Të lindësh me dashurinë për të jetuar në një shoqëri të barabartë

Rrëfen: Rina Shabani

 

Angazhimin tim në shoqëri civile e kam filluar që në moshën 11 vjeçare, kur jam bërë anëtare e Klubit të Ambasadorëve të Rinj, me ç’rast u emërova si “Ambasadore e Re” e Kosovës në Finlandë. Pastaj, kam qenë e angazhuar edhe në disa organizata të tjera joqeveritare, kryesisht për fuqizim të rinisë.

Jam zgjedhur koordinatore lojale e organizatës “PEN”, kam qenë lidere e rinisë dhe trajnere për edukim shëndetësor në Kryqin e Kuq, dega Drenas, dhe për 3 vite kam qenë sekretare dhe nënkryetare e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Drenas.

Në vitin 2016, bashkë me një grup të shokëve e shoqeve aplikuam në punëtorinë sociale, “UPSHIFT”, ku konkuruam me temën rreth të drejtave pronêsore të grave dhe vajzave. Aty dolëm fitues të kësaj punëtorie dhe filluam implementimin e projektit “Trashëgimia në pronë”, në Komunën e Drenasit. Unë këtë iniciativë e konsideroj edhe fillimin e aktivizmit tim në fushën e barazisë gjinore. Ka shumë  gra e burra që m’kanë inspiru në këtë rrugëtim. Ne organizuam takime nëpër shkolla me të rinj sepse vlerësuam që është e nevojshme që barazinë gjinore t’a kultivojme tek moshat e reja, si dhe organizuam debate e aktivitete tjera me gra e burra.

Përveç kësaj, në rrugëtimin tim m’kanë inspiru t’gjitha gratë shqiptare t’shkeluna nga patriarkati.
Pas kësaj kohe ka fillu me më fjetë n’zemër edhe letërsia feministe, autoret: Maya Angelou, Elena Ferrante, Doris Lessing, e plot, e plot shkrimtare tjera.

Edhe a e dini kush tjetër m’ka inspiru?

Krejt ata njerëz që n’shumë rrugë m’kanë thanë: “me krejt kto’ suksese, qysh nuk qëllove djalë”.

Rrugës shumë sfida, lodhje, stres, por në fund të çdo rruge, ekzistojnë suksese t’shumta që t’bajnë me e harru lodhjen e me vazhdu me punën.
S’mundem me pak fjalë me i përshkru krejt sukseset, por po e ndajë me ju suksesin tim të fundit: një storie nga Departamenti Amerikan i Shtetit për punën time për të drejtat pronësore.
Kam qenë po ashtu edhe pjesë e storieve të suksesit të: ING Bank, UNICEF, USAID në Washington, disa gazetave në New York dhe një gazete në Brazil.

E padyshim, suksesi ma i madh është që bashkë me shokë e shoqe i kemi shkundë pak themelet e patriarkatit n’provincën tonë. Ama, duhet ende shumë punë. Shumë, shumë.

Për shumë vite kam punu me shumë njerëz, e jam përballë me shumë situata. Kam taku e kam punu me njerëz që kanë tentu me më ndalë, me m’a injoru punën, por edhe të atillë që m’kanë ndihmu e m’kanë përkrahë.
Secila vajzë që vjen nga një qytet i vogël, e rritun në një familje patriarkale, do të përballej me sfida t’njejta, e veçanërisht kur e merr sfidën e punës për barazi gjinore mbi supe.
Krejt këto bahen bashkë e t’lodhin, t’dëshpërojnë, ama, me t’ndalë nuk munden kurrë. Forca jem e përkushtimi për me jetu në një vend që ofron mundêsi t’barabarta për dy gjinitë, i then të gjitha barrierat që m’dalin përpara.

 

Nuk e mbaj në mend autorin, por këtë thënie e kam lexuar diku:

“Trupat e njerëzve janë të ndërtuar  nga një fije asht, e si të tillë nuk duhet të trajtohen ndryshe, veçse t’barabartë”.

Sot është më e rëndësishme se kurrë që të rinjtë t’a kuptojnë që pa angazhim të grave në t’gjitha proceset politike e shoqërore, s’ka shoqëri stabile e t’shëndoshë.
Se mjaft gra që kanë kontribu historikisht në përpjekjet për liri e pavarësi, i kemi lanë n’harresë, veç pse kanë qenë gra.