Artistja Shpresa Faqi vjen me ekspozitë personale në Kosovë

Muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës do të pasurohen me ekspozitën njëditore të artistes kosovare Shpresa Faqi, të titulluar “Driving”, që do të mbahet më 7 qershor.

Në kuadër të saj do të përfshihen vepra arti, në të cilat do të gërshetohet dashuria mbi të panjohurën, eksplorimi për natyrën e njerëzit e vendeve të ndryshme, duke e sjellë në Kosovë atë të cilën të rinjtë kosovarë nuk e kanë parë shpesh, Evropën.

Për krijimin e kësaj ekspozite, ajo është inspiruar nga viti 1990, periudhë kur së bashku me familjen e saj po largohej nga Kosova.

Tash, pas 28 vitesh, ajo me veturë përshkon të njejtën rrugë prej Gjermanisë në Kosovë. 

Udhëtimin e saj, Shpresa e dokumenton me vizatim tush në letër, instalacione me projektorë në vende publike dhe vizatim me llak thonjësh në kapakët e rrotave, të cilat gjinden gjatë rrugës nga Kassel (D), Bielefeld (D), Salzburg (A), Ljubljanë (SLO), Zagreb (HR), Sarajevë (BIH), Podgoricë (MNE), Ulqin (MNE) dhe Prishtinë. 

Projeksioni i vizatimeve me tush prezantohet në Kosovë më 7 qeshor në murin e GKK-së, pas perëndimit të diellit, në ora 21:00.

Megjithatë, Kosova nuk është vendi i vetëm. Përgjatë 12 javëve, ajo po përshkon 7 vende të Evropës dhe 30 qytete të ndryshme.

Ky rrugëtim i saj ka nisur më 1 prill dhe do të përfundojë më 14 qershor.

Shpresa Faqi u lind në vitin 1984, në Kosovë. Ndonëse artiste e re, e ardhmja e saj është shumë premtuese. Ajo veten e konsideron si artiste evropiane dhe të njëjtën e ka dëshmuar edhe me veprat e saj unike.

Të dhënat e detajuara mbi krijimtarinë e saj artistike i gjeni në: http://shpresa-faqi.com/Shpresa_Faqi/PROJECTIONS.html