Fetnete Ramosaj (1972-2019)

Fetnete Ramosaj u lind në vitin 1972, në Deçan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike e kreu në Gjakovë,

Fakultetin dhe studimet pasuniversitare i përfundoi në Prishtinë,si dhe ka magjistruar në Shkencat e Sigurisë.

Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht, ka raportuar edhe për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Kosovës, “KosovaPress”, Radion “Kosova e Lirë”, Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), etj. Ka bashkëpunuar edhe me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle”, “BBC” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.

Ka qenë bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës “Zgjimi”, Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë “Ardhmëria” – Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore “Fokus”, Prishtinë (2003-2007), etj.

Ishte autore e disa fejtoneve dhe dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës, që nga viti 1991 e këndej; ishte recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare.

Është autore e librave:

· DEÇANI (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, botoi “Zgjimi”, Deçan, nëntor 1997, 528 f.

· Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve” / “Serbian crimes in Kosova – WITHOUT APOLOGY – Facts Against Defamations” (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), botoi “Fokusi”, Prishtinë, 2005. Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje, 350 f.

· Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (Vëllimi i Dytë), botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008, 442 f.

· Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë, botoi ISGJS, Prishtinë, 2013,  183 f.

Fetnete Ramosaj ndërroi jetë më 5 prill të vitit 2019, në Prishtinë, pas një sëmundjeje të shkurtër.