Yllka Domi (1982-1999)

Yllka Domi u lind më 18 gusht 1982, në Gjakovë. Yllka ishte e bija e Afrim dhe Dashurie Domit. Gjyshi i saj, Kasim Domi ishte një atdhetar dhe veprimtar i madh u dënua nga pushtuesit serbo-jugosllav dhe vuajti dënimin në burgun më famëkeq në Goli Otok. Babai i Yllkës, Afrimi po ashtu u angazhua në aktivitete dhe në institucionet Kosovës për të dhënë kontributin e tij. ​Për aktivitetin e tij, ai u dënua nga pushtuesit serb dhe vuajti burgun në burgjet serbe.

E ëma e Yllkës Dashuria, i edukoi fëmijët e saj, Triumfin, Visarin dhe Yllkën, dhe i ushqeu me dashuri dhe atdhedashuri, edhe pse në rrethana mjaft të vështira, sepse ishin kohë të egra dhe familja e tyre ishte vazhdimisht në shënjestër të pushtimit serb.

 

Yllka ishte nxënëse e shkëlqyeshme e shkollës “Mazllom Këpuska“, në Gjakovë, dhe herët u dallua për shkathtësitë e saj organizative, por edhe për talentin e rrallë që kishte për shkrimet dhe krijimtarinë letrare. Pra, shumë herët ajo u mor me shkrime dhe aktrim.

 

Yllka angazhohej në të gjitha programet dhe manifestimet e shkollës, por ishte e pranishme edhe në organizimet tjera kulturore që mbaheshin në qytet gjatë kohës së okupimit. Ajo lexonte poezitë e saj, por edhe recitonte bukur poezitë e shkrimtarëve të mëdhenj.

Yllka Domi ka botuar shkrimet dhe poezitë e saj në revista të ndryshme. ​Me këto cilësi, ajo vazhdoi edhe mësimet në Gjimnazin ”Hajdar Dushi“, ku përveç sukseseve në mësime, ajo udhëhoqi edhe grupin letrar.​

 

Yllka rritej në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohej saktë se si po lëviznin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja.

Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre. Ajo ishte shumë e shkathtë dhe çdo përpjekje të saj e realizonte me sukses. Ashtu siç edhe kishte dëshirë, ashtu edhe u radhitë, në Brigadën 137 – Gjakova, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila po zhvillohej në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe, më 7 maj të vitit 1999, u vra Yllka bashkë me disa bashkëluftëtarë.​

16-vjeçarja Yllka Domi u vra me snajper nga forcat serbe, në Çabrat, në ofensivën e 7 majit 1999.​

Ushtria serbe, për të fshehur gjurmët e krimit, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.​

 

Pas identifikimit të eshtrave të Yllka Domit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, ajo u rivarrosë më 23 dhjetor të vitit 2003, në kodrën e Çabratit, në Gjakovë. ​