Hyrë Emini (1973-2001)

Hyrë Emini (Mira) u lind më 21 korrik 1973, në Ferizaj. Familja e saj ishte me prejardhje nga fshati Maçitevë i Therandës, por që u shpërngulë me dhunë për në Turqi. Prej atje, rikthehen në Kosovë, për t’u vendosur përfundimisht në Ferizaj.

Shkollimin fillor dhe gjimnazin, Hyra i kreu në qytetin e lindjes, ku ishte shpallur nxënësja më e dalluar në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollës së mesme, regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, ku po ashtu ishte studente me sukses të dalluar.

Në fakultet, Hyra njohu dhe krijoi lidhje të ngushta me shumë studentë, ndër të cilët edhe me pjesëtarët  e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani e Hyrie Veliu.

Në fillim të viteve të ’90-ta, ajo ishte angazhuar në kuadrin e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ferizaj. , Hyra merrej edhe me aktivitete kulturore, me ç’rast kishte arritur ta organizonte grupin e recituesve të rinj në Ferizaj, si dhe manifestimin multikulturor kushtuar dëshmorëve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, “Flaka e Janarit”.

Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo ishte arrestuar nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe ishte dënuar për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese të Lipjanit, kurse pjesën tjetër në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Duke qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serb, Hyraishte detyruar t’i ndërprente studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Mirëpo, edhe në Tiranë, Hyra nuk i kishte vënë studimet në planin e parë. Këto studime i kishte përfunduar vetëm pas mbarimit të luftës së armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saj.

Pas fillimit të luftës në Kosovë, Hyra vendosi të inkuadrohej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qëllim, në maj të vitit 1998, ajo arriti në familjen e saj në Ferizaj dhe një muaj më vonë ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së, në pikën ushtarake në Jezerc, e cila sapo ishte formuar dhe komandohej nga Imri Ilazi, i quajtur Komandat “Ferri”. Më vonë, kur UÇK-ja formoi zonat ushtarake operative dhe bëri rikonstruktimin e brendshëm, Hyra veproi në kuadrin e Brigadës 161. Bashkëluftëtarët e njihnin atë me emrin e luftës “Mira”. Si pjesëtare e kësaj brigade ajo mori pjesë në të gjitha betejat e ashpra që u zhvilluan në Zonën Operative të Neredimes, deri në mbarim të luftës, kur pushtuesi serb u detyrua të kapitullojë, teksa Hyra u dalluar si ushtare e devotshme e lirisë, me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe ndaj bashkëluftëtarëve. Automatiku, revolja dhe bombat e dorës, ishin armatimi i përhershëm i saj.

              Shtatorja e Hyrë Eminit në qytetin e Ferizajt

Ajo kishte edhe kamerën zhiruese, në të cilën fiksonte shumë nga momentet e rëndësishme të luftimeve. Pas formimit të institucioneve informative të UÇK-së, Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së Lajmeve Kosovapress, ndër korrespondentët e shumtë të tyre nga zonat operative, ishte edhe Hyrë Emini, e cila së bashku me Ruzhdi Jasharin, Ali Ukën, e të tjerë, raportonin për zhvillimet e luftës në këtë zonë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, u inkuadrua në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Shpërthimi i luftës në trevën e Kosovës Lindore, në fillim të vitit 2000, nuk e la të qetë Hyrën, e cila dha dorëheqje nga TMK, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Sapo arrin në Maqedoni, Hyra me shokë angazhohet për të shtrirë frontin edhe më në jug të trojeve shqiptare, në rrethinat e Dibrës e të Gostivarit. Dy muaj më vonë, më 29 korrik të vitit 2001, në një aksion ushtarak, “Mira” bie në krye të detyrës, në Kuk Zabel të Gostivarit. Në këtë rast bien edhe bashkëluftëtarët e pandashëm të saj, Tahir Sinani, Brahim Ademi, nga Kosharja e Ferizajt. Trupat e tyre varrosën nga bashkëluftëtarët në afërsi të vendit të rënies.

Në historinë e re të luftës për çlirim kombëtar, heroizmi i saj paraqet shembullin me të ndritshëm të figurës së gruas shqiptare dhe të flijimit të saj për lirinë e atdheut.

Burim plotësues: Radio Kosova e Lirë