Zylfije Gashi (1979-1999)

Zylfije Gashi u lind më 5 korrik të vitit 1979, në fshatin Tërbovc (Malishtë), të komunës së Lipjanit.

Katër klasë të shkollës fillore i kreu në shkollën e fshatit të lindjes. Ndërkaq, duke qenë se klasët tjera duhej t’i ndiqte në fshatrat përreth, ajo u detyrua ta ndërprente shkollimin e mëtejmë.

Fshati Malishtë, për shkak të pozitës së tij gjeografike në grykat e maleve mbi Manastir rrëzë bjeshkëve të Zhegocit, ishte zgjedhur si vend strategjik edhe për pozicionet e UÇK-së të Zonës Operative të Karadakut.

Gatishmëria e familjes së Faik Gashit për të ndihmuar e për t’u vënë në shërbim të çështjes së lirisë, këtë fshat e bën edhe më tërheqës për luftëtarët e lirisë.

Shtëpia e kësaj familjeje, së shpejti u shndërrua në bazë të sigurt të ushtarëve të lirisë të anëve të ndryshme të Kosovës, prej nga mbaheshin lidhje e koordinoheshin aksione nga Drenica, Nerodimja, Karadaku, Llapi e Gollaku.

Kështu, në verë të vitit 1998, e tërë familja Gashi ishte vënë në shërbim të UÇK-së. Vëllai i madh i Zylfijes, Mustafa, i punësuar prej vitesh në Gjermani, po ndihmonte pa kursim fondin “Vendlindja Thërret”. Vëllai tjetër, Agroni, po ndihmonte në fushën e logjistikës dhe u inkuadrua në radhët e UÇK-së, për të marrë pjesë në shumë fronte të luftës kundër forcave pushtuese serbe, deri në kapitullimin dhe tërheqjen e tyre nga Kosova.

E ngarkuar me detyrën ushtarake në Logjistikë e Informim, Zylfijes, këto detyra i ishin dukur të vogla, prandaj ëndërronte të radhitej në vijën e frontit. Mirëpo, e ëma, Sadberja kishte shprehur brengosjen: “Nëse shkon edhe ti, si do t’ia dalë unë moj bijë, vetëm me gra e fëmijë? Kush e di se në çfarë situate mund të ndodhemi nesër?”.

Kur Zona Operative e Karadakut vendosi Komandën në Malësinë e Zhegocit, ku tashmë vëllai i Zylfijes, Agroni, ishte i mobilizuar, Zylfija u angazhua në sektorin e furnizimit me gjëra ushqimore.

Në prill të vitit 1999, edhe në këto anë armiku ndërmori ofansivë në shkallë të gjerë.

Si çdo ushtar i lirisë edhe Zylfije Gashi në çdo moment ishte në krye të detyrës për t’u konfrontuar me forcat armike.

Më 16 prill të vitit 1999, në orët e paraditës, Zylfije Gashi sapo kishte përcjellur dhe orientuar një njësit ushtarak deri në pikën e caktuar nga Komanda e ZOK-ut. Duke u kthyer për të raportuar për kryerjen e kësaj detyre dhe për të vazhduar me detyra të tjera, bie në pritë të forcave armike, me ç’rast përjetësohet në altarin e lirisë.

Në mungesë të uniformave ushtarake të UÇK-së, në momentin e rënies ajo kishte vetëm kapelen me emblemën e UÇK-së.

Varrimi i dëshmores u bë në varrezat e fshatit të lindjes.

Vepra e saj u përjetësua me lapidarin e ngritur në dyvjetorin e rënies.

Burimi: Radio Kosova e Lirë