Serbeze Gashi (1981-1999)

Serbeze Gashi u lind më 8 qershor të vitit 1981, në fshatin Baran të Pejës. Shkollën fillore e kishte kryer në fshatin e lindjes, kurse të mesmen e kishte nisur në Gjimnazin matematiko-natyror, “Bedri Pejani”, në Pejë, por që nuk arriti ta përfundonte për shkak të angazhimit të saj në UÇK. Ajo shquhej edhe si atlete premtuese, pasi në moshë shumë të hershme kishte zënë vendin e dytë në maratonën e organizuar në Kosovë.

Serbezja ishte e bija e Brahim dhe Hatmane Gashit, të cilët kishin edhe gjashtë fëmijë të tjerë, katër vajza dhe dy djem.

Familja e Serbezes ishte përherë në shënjestër të regjimit serb, pasi masat e dhunshme të pushtetit në vitin 1990 ia kishin larguar të atin nga puna, gjatë kohës kur punonte në Kombinatin Bujqësor të Pejës. Brahimi ishte burgosur për shkak të nacionalizmit të treguar  edhe gjatë kohës së shërbimit ushtarak në armatën jugosllave.

Regjimi serb e kishte burgosur edhe xhaxhain e Serbezes, Qazimin, për shkak të angazhimit dhe aktivitetit të tij.

Të gjitha këto ngjarje kishin ndikuar thellësisht në formimin e karakterit të Serbezes, e cila aktivizmin e saj e kishte nisur si minorene, me pjesëmarrjen e saj në çdo protestë që organizohej kundër regjimit.

Ëndrra e saj për t’ju bashkuar UÇK-së u jetësua më 20 shtator 1998, kur Serbezja posa i kishte mbushur 17 vite jetë. Ajo u sistemua në Brigadën 131, “Jusuf Gërvalla”.

Kontaktet e saj të para me UÇK-në ishin në fshatin Rosuja, atëherë kur edhe u shpërbë UÇK-ja në Lug të Baranit, më 12 shtator 1998. Por, pas rëpërtëritjes së UÇK-së në regjionin e Dukagjinit, Serbezja ndihmonte batalionin ku bënte pjesë duke bërë furnizime për ushtarët dhe duke ndihmuar të plagosurit.

Pas takimit me dëshmorët, Shkëlzen Haradinaj e Lulzim Morina, ajo mori detyra të veçanta të logjistikës, vëzhgimet, dhënies së informatave, etj., pasi që Barani nuk ishte më në mbikëqyrje të UÇK-së.

Më 5 prill 1999, ajo kontaktoi me komandantin Shkëlzen Haradinaj, ku u doli në ndihmë të plagosurve me ushqime dhe veshmbathje, të cilit më pas i ishte lutur ta merrte në ushtri, por ai i kishte thënë të mbetej aty sepse ushtria do të kthehej përsëri.

Më 12 prill 1999, kur Serbezja po shkonte për t’u konsultuar me ushtrinë dhe për të vizituar nënën dhe motrat, të cilat ishin të strehuara në një gërmadhë bashkë me 300 civilë të tjerë në fshatin Turjakë, ajo ra në pritë dhe snajperistët serbë e qëlluan Serbezen për vdekje.

Njësitet e UÇK-së e kishin tërhequr kufomën dhe e kishin varrosur përkohësisht në fshatin Rosuja, ndërsa pas përfundimit të luftës, ajo ishte zhvarrosur për t’u rivarrosur në fshatin Baran, e prej aty, ishte zhvarrosur e rivarrosur përsëri nga pjesëtarët e TMK-së dhe trupi i saj përfundimisht prehet në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

Sot busti i Serbezes ndodhet në fshatin e saj të lindjes, teksa edhe rrugë në Pejë mbajnë emrin e saj.