Vasfije Krasniqi pranon në Korenë e Jugut çmimin “Kim Bok-Dong”

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, tash aktiviste e fuqishme për të drejtat e grave, Vasfije Krasniqi Goodman, ka pranuar çmimin “Kim Bok-Dong”, në Seul të Koresë Jugore, për vitin 2019.

Ky çmim i është ndarë nga Këshilli Korean për Drejtësinë dhe Përkujtimin për Çështjen e Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia (Këshilli Korean).

Me çmimin në fjalë nderohen individët apo organizatat që kanë qenë të angazhuar në lëvizje për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e njeriut të grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.

Vasfije Krasniqi – Goodman ishte personi i parë që ndau publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë, për t’u bërë më pas zë i fuqishëm i fushatës ‘Bëhu Zëri Im’, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe përpjekjet e palodhshme të saj në luftimin e stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore.