Nadire Dida (1930-2017)

Nadire Dida u lind më 28 nëntor 1930, në Prishtinë. Filloi të jepte mësim qysh prej moshës 16 vjeçare dhe i përket gjeneratës së parë të mësuesve në kohën kur filluan orët e para shqiptare.

Ajo ka punuar në shkolla të ndryshme anembanë Kosovës, në Suharekë, Prizren dhe Prishtinë. Ka punuar në shkollën fillore “Hasan Prishtina” (Aca Maroviç në atë kohë) nga viti 1955 deri në vitin 1977, kur ka dalë në pension.

E njohur jo vetëm si një mësuese e dashur për të gjithë ato gjenerata që u dha dije e dashuri për shkollën, historinë e kulturën shqiptare, Nadirja kujtohet edhe si një qendrestare në furtunat politike të kohës.

Në vitin 1949, ajo u martua me intelektualin nga Prizreni, Sedat Dida, me të cilin lindë dy fëmijë, Agronin dhe Vetonin.

Duke qenë bashkëshortja e Sedat Didës, kryeredaktorit të “Rilindjes” në kohë të rënda, kur ai u burgos e u dënua si një nga protagonistët e Procesit të njohur të Prizrenit, ajo ia doli në përballjet me persekutimet dhe përndjekjet e UDB-së ndaj bashkëshortit të saj dhe intelektualëve të pakët të atëhershëm shqiptarë.

Për përkushtimin e saj si mësuese e pedagoge ajo ka marrë mirënjohje e shpërblime të shumta nga përfaqësuesit më të lartë shtetërorë.

Ajo u dekorua me Medaljen “Mësuese e Merituar”, “Medalja për kontributin e dhënë në fushën e arsimit”, “Mirënjohja për punë dhe rezultate të jashtëzakonshme në lëmin e kulturës së përgjithshme arsimore dhe edukative”, Mirënjohja në 50-të vjetorin e shkollës “Faik Konica”, etj.

Nadire Dida vdiq më 20 gusht të vitit 2017, e rrethuar nga dashuria e familjarëve të saj dhe u varros me nderime nga qindra qytetarë dhe ish-nxënës të saj.