Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997)

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, u lind më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup, atë kohë pjesë e Vilajetit të Kosovës, kurse tash kryeqytet i Maqedonisë së Veriut.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut, me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës.

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tri: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë.

Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta, në Indi, më 1 dhjetor të vitit 1928, ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.

Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e kishte mohuar origjinën e saj shqiptare.

Shkrimet e saj ne shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip, e transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 qershor 1978.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë.

Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Vetëm sipas të dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shperblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë, etj.

Në 13 mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionareve të Bamirësisë dhe ndërroi jetë më 5 shtator 1997.

Në kohën e vdekjes së saj, Misionaret e Bamirësisë së Nënë Terezës kishin mbi 4,000 motra, dhe një vëllazëri prej 300 anëtarësh, që punonin në 610 misione në 123 vende. Këto përfshinin bujtina dhe shtëpi për njerëzit me HIV/AIDS, me gërbulë dhe tuberkulozë, kuzhina supe, programe këshillimi për fëmijë dhe familje, ndihmës personalë, jetimore dhe shkolla. Misionaret e Bamirësisë u ndihmuan edhe nga bashkëpunëtorët, të cilët ishin mbi një milion në vitin 1990.