“Hyjnesha”, zë i përditshmërisë së grave shqiptare

Rrëfen: Eurisa Rukovci

Inspirimi për projektin e stripit feminist, Hyjnesha” më ka ardhur nga vetë gratë e Kosovës – gra të forta, gra që fuqimisht kërkojnë të drejtat e tyre dhe gra që kurrë nuk dorëzohen.

‘Hyjnesha në fron’ – si simbol i gruas dhe si trashëgimi e jona kulturore – është ndërlidhur në mënyrë përfekte për ta transmetuar artistikisht këtë fuqi që kemi. Ne nuk kemi nevojë të shpëtohemi nga burrat; ne e shpëtojmë veten dhe e shpëtojmë njëra-tjetrën.


Në anën tjetër, për shkak se si e re kam qenë shumë e apasionuar pas superheroinave, siç janë ‘Buffy the Vampire Slayer’ dhe ‘Wonderwoman’, kam pasur dëshirë që t’i jap jetë edhe një superheroine shqiptare.

Përmes stripit ‘Hyjnesha’ do të mundohem ta prezantoj para së gjithash një superheroinë që e gjen fuqinë brenda vetes, por edhe tek gratë e tjera që i ka përreth. Përmes ‘Hyjneshës’ dua gjithashtu ta transmetoj realitetin që shumë gra në Kosovë e përjetojnë – qoftë ai realiteti i një vajze të re që nuk ndihet e sigurt në rrugë ose realiteti i një gruaje që nuk ndihet e sigurt në shtëpinë e saj.

Përmes këtij projekti jam përqendruar në shtjellimin e idesë së përjetimit; të përjetimeve të ndryshme të grave në Kosovë. Ideja ime për këtë strip është që ta krijoj një projektim vizual rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh grua në Kosovë.

Mesazhi im për fuqizimin e grave është që së pari ta fuqizojmë veten dhe më pas të mos harrojmë t’i fuqizojmë edhe gratë e tjera.

 

Më shumë punime nga projekti mund të shihni këtu: https://www.facebook.com/StripiFeministHyjnesha/