Vasfije Krasniqi-Goodman, i drejtohet e përlotur deputetëve të Kosovës

Të ngritur në këmbë e me duartrokitje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përcjellë Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në fjalën e saj para tyre e qytetarëve.

Ajo është shprehur se shoqëria po i stigmatizon për shumë vite, ndërsa e përlotur u pa tek fliste për të mbijetuarat e tjera në Kosovë, e derisa kritionte institucionet e Kosovës.

Të tmerrshëm e quajti faktin që shumë burra shqiptarë ende sot nuk i pranojnë gratë, motrat e vajzat e tyre për shkak të asaj që u ka ndodhur gjatë luftës

 

E mllefosur foli edhe për politikanët e shtetin, për të cilët u shpreh se nuk po i mbrojnë të mbijetuarat, e për rastin e saj tha se e ka humbur për shkak të shtetit aq sa prej EULEX-it e UNMIK-ut.

“Ligji i Kosovës na quan viktima, por ne jemi të mbijetuara. E kam pasë rastin të flas në vende të botës duke treguar të vërtetën tonë por asnjëherë nuk jam ndje si jam ndje në Kosovë. Ndjehem mirë kur e di që ka anëtarë, burra që i përkrahin gratë e veta. Por ndjehem edhe më keq kur e di që ata nuk i mborjnë e nuk i përkrahin. U thonë fjalë që nuk mund t’i përmend këtu.  Edhe pse prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lëndu neve viktimave shumë, nuk mund t’i them këto fjalë”.

“Shoqëria jonë na stigamtizon, na bën të mos ndjehemi motra, gra e nëna të mira. Po ku ishit ju para 21 vjetëve, a ishit në tavana kur iu përdhunu gruaja e ku e morrët guximin me lënë atë gru, ku ishin djemtë që e panë nënën tuaj që u përdhunua?”

 

“Tash ju çka po bëni për me na lehtësu ne jetën. Duhet me ju ardhë turp gjithë shoqërisë kosovare që po na viktimizoni ju neve. Ne nuk po duam asgjë tjetër, veç drejtësi. Prej familjarëve tanë po duam mbrojtje, diçka na ka ndodhë ne, ka qenë krim i luftës, e ju nuk ishit aty me na mbrojtë. Ne kemi dëgju shpesh se Vasfija e ka lehtë se e ka burrin amerikan, ndjehem krenare se ai më pëkrahë, por mos harroni se vëllau im është këtu që ballafaqohet me fjalë që thonë njerëzit dhe ai po mundohet çdo ditë që të kem jetë më të mirë”.

“Ne jemi në gjendje me bë më shumë se ju për motrën e nënën tuaj. Ku keni ju fytyrë që motra a nëna juaj me shku me një shoqatë se sa me u mbështet tek ti. Kjo është e tmerrshme për shoqërinë, sidomos për burrat që i dëmtojnë gratë, me rrahje e mundime për çka u bëri armiku. Që 20 vjet boll iu kemi duru, nuk ja u falim atë që na keni shti me duru për këto vjet”.

 

Ndërsa në fund u drejtoi një lutje deputetëve që t’i trajtojnë krimet e luftës e rastet e të mbijetuarave të dhunës seksuale me seriozitet.

Lus deputetët që krimet me u trajtu me seriozitet. Ju e dini që unë rastin e kam humbë, ma ka humbë UNMIK-u, EULEX-i por ma ka humbë edhe shteti im”.