Shkrimtari Majlinda Bregasi, në garë për Çmimin Letrar të BE-së

“Gërsheti i prerë”, nga shkrimtarja Majlinda Bregasi është libri me të cilin ajo po synon çmimin e parë në Garën për Çmimin Letrar të BE-së. Libri sjell historinë e tri gjeneratave, tri vendeve, tri kohëve, që kapërdredhen me njëra-tjetrën tek zbulon situata ekstreme.

“Dashuri e konflikt, pasion e rebelim, çmenduri e frikë, liri e izolim, ky është dualizmi brenda të cilit përplasen personazhet. Tri gra, tri botë të ndryshme që jetojnë brenda njëratjetrës pavetëdijshëm, mblidhen për t’u njohur, si një gërshet i përdredhur, i cili na shpie në botën e misterit që mbulon raportin mes prindit e fëmijës”, është përshkrimi i romanit që e vë në mesin e finalisteve nga Kosova, autoren Majlinda Bregasi. Sipas saj, ky është një privilegj i madh.

Çmimi i Bashkimit Evropian për letërsi synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Evropës. Ky është edicioni i dymbëdhjetë i Çmimit të BE-së për Letërsi (EUPL) dhe Kosova merr pjesë për herë të parë.