Pranvera Musaj/ Aktiviste për të drejtat e njeriut

Jeta, shkollimi e punësimi i grave në një shoqëri patriarkale është shumë i vështirë, por vështirësitë bëhen akoma më të mëdha kur ato janë gra me aftësi të veçanta, ngase diskriminimi dhe paragjykimi ndaj tyre shumëfishohet dhe i përcjellë ato në çdo hap të jetës së tyre.

Përballë vështirësive të tilla u gjend edhe Pranvera Musaj, një vajzë e re nga Suhareka, e cila për shkak të një diagnoze që i erdhi me lindje, nuk mundi të ecte asnjëherë. Por, edhe përkundër të gjitha vështirësive ajo nuk u dorëzua asnjëherë dhe u bë burim inspirimi edhe për shumë vajza e gra të tjera që kanë probleme të ngjashme.

 

INTERVISTA E PLOTË:

  1. A mund ta prezantosh veten?

Jam Pranvera Musaj, 29 vjeçare. Vij nga fshati Samadrexhë, Komuna e Suharekës.

Që nga lindja jam person me aftësi të kufizuar.

 

  1. A punon dhe sa je aktive në jetën shoqërore?

Që nga viti 2001, prej kur jam anëtarësuar në OJQ Handikos, jam angazhuar në shumë projekte nëpër organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë kryesisht me çështje dhe tema sociale. Kurse, nga qershori i vitit 2016, punoj si mbikëqyrëse e kamerave të sigurisë në Viva Fresh Store.

 

  1. Sa ka qenë i vështirë procesi i punësimit?

Ne fakt nuk ka qenë e lehte, por deri tek punësimi kam ardhur në kuadër të një projekti të Handikos-it, në bashkëpunim me OJQ-në PIN, projekt që ka pasur për qëllim inkurajimin e bizneseve dhe institucioneve që të na japin mundësinë që edhe ne të jemi pjesë e tregut sikurse të gjithë të tjerët. Ne çdo ditë diskriminohemi në mënyra dhe nga aktorë të ndryshëm në vendin tonë. E para dhe më e rëndësishmja është mungesa në qasje për lëvizje të lirë sikurse të gjithë qytetarët tjerë.

 

  1. Po shkollimi, sa ka qenë e vështirë të qaseni në procesin arsimor?

Për shkak të aftësisë sime të kufizuar fizike, nuk kam pasur mundësi të vijoj shkollën fillore me moshatarët e mi, andaj me ndihmën e prindërve kam mësuar shkrim-lexim, kurse në Handikos i kam zhvilluar edhe më shumë aftësitë e mia, ku me ndihmën që më jepet aty, unë që nga viti i parë që u anëtarësova në Handikos, përfundova kursin e kompjuterëve, kam marre pjesë në qindra aktivitete, organizime e projekte kulturore, edukative e arsimore, etj.

Pas shume kërkesave për vite me radhë, MASHT me aprovoi edhe kërkesën për shkollim të përshpejtuar për shkollën fillore e të mesme, ku tashme të dyja i kam të përfunduara dhe synoj që të ardhmen e afërt ta përfundoj edhe shkollimin universitar.

 

  1. A mendoni që vajzat dhe gratë shqiptare me nevoja të veçanta e kanë marrë pozitën që u takon sa i përket aspektit të vlerësimit të kontributit?

Pozita e vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara në Kosovë ende nuk është në nivelin e duhur dhe ende nuk na janë ofruar kushtet elementare që edhe ne të kemi një jetë të dinjitetshme si të tjerët.

Përkrahja nga shoqëria nuk mungon kohëve të fundit edhe pse ka gjithmonë vend ku mund të bëhet më shumë duke ju qëndruar edhe më pranë vajzave dhe grave me aftësi te kufizuara që i kanë në rrethin e tyre familjar apo shoqëror.

Por prapë, përkrahja më e madhe e cila mungon, që duhet e mund të bëhet, është ajo e institucioneve shtetërore.

 

  1. Çka do u thoshe personave me nevoja të veçanta që të mos dorëzohen kurrë përballë sfidave?

Unë kam një jetë me aftësinë e kufizuar, pra jam duke bashkëjetuar me të që nga lindja.

Dhe gjëja më e rëndësishme që e kam kuptuar është se asnjë aftësi e kufizuar e jona nuk na kufizon më shumë se që ne e kufizojmë veten ndonjëherë me mendime të ndryshme, duke ia mohuar vetes të drejtën për të pasur një jetë normale, ashtu siç ne e meritojmë.

Ne momentin që ne e pranojmë veten për atë që jemi dhe vazhdojmë para, atëherë çdo sfidë dhe pengesë do ta kalojmë, sepse sfidat janë për t’u mposhtur. Mua personalisht më shumë më vjen inat që nuk di të vizatoj, se sa qe nuk mund të ec.

 

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara