Fitore Zenelaj/ E mbijetuar e kancerit të gjirit

Fitore Zenelaj është një grua 29 vjeçare, e cila momentalisht është duke punuar në kompaninë e produkteve natyrale, “LIMES 04”. Por mbi të gjitha, ajo tani ka një punë shumë më të rëndësishme, luftimin e sëmundjes së kancerit dhe heqjen e stigmës në shoqëri sa i përket kësaj sëmundjeje.

Fitorja tash e një vit po e lufton  me kancerin dhe po ia del falë forcës, pozitivitetit dhe dashurisë së madhe që ka për jetën. Ajo po e bën këtë haptazi, pa paruke e pa u fshehur nga vetja e bota.

Fitorja thotë se janë pak gra që flasin për sëmundjen, por nuk e njeh ndonjë që flet haptazi për të dhe për vështirësitë që vijnë me të, për shkak të mungesës së vetëbesimit dhe të informacioneve, porse sipas saj, në tërë procesin e vështirë të mposhtjes së sëmundjes, askush nuk mund të ndihmojë më shumë se vetja.

 

Intervista e plotë:

1. Kush është Fitorja?
Quhem Fitore Zenelaj, jam 29 vjeçe, momentalisht jam duke punuar në kompaninë “LIMES 04”, që merret me shitjen e produkteve bimore. Ndërkaq, synoj që në të ardhmen të filloj studimet për psikologji, në mënyrë që t’ju dalë në ndihmë grave që përballen me kancer.

2. Si ishe para sëmundjes?
E dashur, e lumtur, pozitive gjithmonë. E jetoja jetën, mirëpo me një frikë të brendshme të tregoja ndjenjat e mia pa pasur ndikim nga të tjerët.

3. Sa ishte e vështirë të përballesh me këtë realitet të ri që po prekte jetën tënde?
Jam e diagnostikuar me kancer (Carcinoma duktale invazive), Gjëndra më është shfaqur në mars të vitit të kaluar, ndërkaq në shtator rezultati i biopsisë tregoi që kam kancer gjiri. Të përballesha me realitetin e ri nuk ishte aspak e vështirë. Mjekësia ka përparuar shumë dhe kanceri i gjirit është një sëmundje që kalohet. Nuk duhet të mendojmë të keqen asnjëherë, askush nuk e di se sa jetë ke për të jetuar dhe askush s’mund ta dijë se si na vjen vdekja.

4. Në cilën shkallë të zhvillimit/shërimit është momentalisht sëmundja?
Kur u diagnostikova, kanceri im ishte në fazën e tretë, jam operuar, kam përfunduar 8 kimioterapi. Tash kam filluar me 17 herceptina çdo 3 javë nga një dhe kam për t’i bërë 25 rrezatime. Analizat më kanë dalë mirë, pra deri më tani kanceri nuk është rishfaqur në ndonjë pjesë të trupit tim.

5. Me gjithë terapitë e dhimbjet, si e motivoni veten dhe si qëndroni kaq pozitive gjatë gjithë kohës? Nga ku buron gjithë kjo energji e dashuri për jetën?
Terapitë i kalova, dhimbje nuk kisha, ndoshta edhe kisha por unë nuk i ndjeva për arsye se asnjëherë nuk e mendova të keqen, por vetëm duke i thënë vetes: duro se do të kalojë, asgjë nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kam qëndruar e buzëqeshur dhe pozitive gjatë gjithë kohës sepse e dua jetën dhe kur e do jetën nuk ka barrierë që të ndal rrugën të vazhdosh përpara. Burimi kryesor vjen nga ana ime brendshme, e cila është shumë e bukur, e ndjeshme, pozitive dhe e dashur me jetën.

6. A mendoni që në Kosovë nuk flitet haptazi për këto sëmundje? Nëse jo, pse mendoni se ngurrojnë njerëzit e sidomos gratë?
Jo që e mendoj, por është fakt që shihet dhe unë po luftoj që t’i përkrah njerëzit e atakuar me këto sëmundje. Prandaj, ju lus të nxirrni jashtë ato tundimet e brendshme sepse ato të vrasin, nuk të vret sëmundja. Në vendet e tjera nuk ndodh kjo, mirëpo në Kosovë ngurrojnë njerëzit, e më së shumti gratë dhe mendoj që arsyeja kryesore është ndikimi i të tjerëve tek këta persona. Unë nuk po shoh dhe nuk po takoj gra që mund të flasin hapur: “Po unë jam kjo, po unë kam këtë sëmundje, nuk e kërkova po ja që më ra, unë po luftoj dhe do ta mund atë”. Fatkeqësisht, gjithmonë kanë atë frikën se si do ta presin të tjerët atë që themi, mos harroni që heqja e kësaj frike është vet ilaçi juaj kryesor.

7. A mendoni që sëmundjet e këtilla shoqërohen nga stigma?
Sëmundjet e këtilla mund të shoqërohen nga stigma vetëm tek ata persona që nuk kanë vetëbesim dhe kjo mund t’i çojë njerëzit tek fshehja e sëmundjes, të mos kërkojnë informacion rreth sëmundjes dhe të ndjejnë frikë tek shëndetësia dhe shërbimet që marrin.

8. Cila është këshilla/mesazhi yt për të gjitha njerëzit që aktualisht po përballen me kancer dhe si do t’i inspironit që të qëndrojnë të padorëzuar përgjatë sfidës?
Këshilla/mesazhi im është që ta doni veten ashtu siç jeni dhe jo siç duan të tjerët të jeni. Unë guxova dhe ia dola, pra guxoni edhe ju, sepse më besoni që do t’ia dilni. Kanceri është një sëmundje si gjithë të tjerat, kërkon luftë dhe ne do të fitojmë çdo betejë .
Ju përqafoj me ngrohtësi!

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara