Fjolla Rraci/ Aktiviste për të drejtat e njeriut

Fjolla Rracin e njohin shumë njerëz, e më së shumti personat me nevoja të veçanta, të cilëve ajo ua ka kushtuar gjithë jetën e saj.

Që nga fëmijëria, e pa u ndalur e lodhur asnjëherë, ajo vazhdon të jetë shoqe dhe mësuese për këta persona, veçse ndihma e saj tashmë i ka kaluar kufijtë shtetërorë e kombëtarë.

Ajo momentalisht ndodhet në Amerikë, ku po përkujdeset për disa persona me autizëm dhe me Alzheimer.

Për Fjollën, qëllimi që ia ka përcaktuar vetes është i qartë, do të mundohet që bashkë me secilin person me nevoja të veçanta që e ka shoqëruar, që ka punuar, e që është kujdesur, t’ia dëshmojnë botës që të jesh njeri me nevoja të veçanta njerëzore nuk do të thotë të kesh nevojë për shërim, veç për pranim, ashtu siç janë.

 

Intervista e plotë:

  • Kush është Fjolla?

M ‘quajtën Fjolla se qëlloj dimër kur linda por t’ftohtin e asaj stine se kam ndjerë asniherë n’jetën time, se kam pas gjithë ngrohtësinë e njerëzve qe m’kanë rrethuar.

  • Prej ku e ka gjenezën gjithë kjo dashuri e përkujdesje për personat me sindromën Down?

Bash 9 muaj pas lindjes time, erdhi në jetë Meritoni, djali i axhës. Kush e dinte atë kohë që do ishte ardhja e tij në jetë ajo që do t’ma ndryshonte jetën mua.

Meritoni bashkë me gëzimin që solli në familjen tonë, ai solli me lindjen e tij edhe diçka që do ta “shoqëronte” atë gjithë jetën, sindromën Down.

Kështu, unë rritesha, ai rritej, e dashnia jone rritej. Ka qenë Meritoni personi i parë me sindromën Down që ka ardhur në jetën time, ka qenë mësuesi im i jetës prej asaj kohe e sa t’kem jetë.

Prej tij unë mësova si t’i dua shokët e tij e si të sillesha me ta, si të trajtoja çdo njeri njëjtë pa u bazuar në diagnozat e tyre.

  • Momentalisht nuk je në Kosovë, me çfarë po merresh tani?

Dy vite ma parë erdha të jetoj në Amerikë, ndrrova vend ama kurrë mënyrën e jetës, tashmë po jetoja tek nji familje ne New York e po kujdesesha për Katy-n, e cila kishte lindur me autizëm.

Për plot nji vit ia kisha vënë synim vetes që çdo sfidë që më shfaqej me Katy-n ta menaxhoja, ta kuptoja e ta arsyetoja çdo veprim të saj, e asnjiherë ta ndryshoja.

Në kohën kur Katy ishte në shkollë vendosa të bëja punë vullnetare për personat me Alzhaimer, kështu pasditeve shkoja në shtëpitë e personave që tashmë gjithçka nga jeta e tyre kishin harruar, e mundohesha t’i bëj të ndihen që s’janë të harruar. Ngjyrosnim, këndonim, kërcenim, çkado që ata i bënte të ndiheshin mirë.

  • Cili është mësimi jetësor që e more gjatë gjithë këtyre viteve duke ndihmuar gjithë këta persona?

Tash, e dje, e sa t’kem jetë kam me u mundu me u ba za i atyne që zani s’ju dëgjohet, e me ia dëshmu botës që ne jemi vendi ma i bukur kur mes nesh ekzistojnë mendje të ndryshme, e n’vend se me u mundu me i ndryshu ato mendje, duhet me i pranu, qashtu msohesh edhe m’i dashtë.

  • Si mendon ta vazhdosh ndihmën dhe mbështetjen?

Unë qëllimet vetes ka kohë që ia kam përcaktu, kam me u mundu që bashkë me secilin person me nevoja të veçanta që kam me u shoqnu, me punu, a me u kujdesë, bashkë me ata kemi me ia dëshmu botës që me qenë njeri me nevoja të veçanta njerëzore nuk do të thotë me pasë nevojë për shërim, veç për pranim, qashtu qysh janë!

 

@AlbFem: Të gjitha të drejtat e rezervuara