Rrëfenjë për dy muza frymëzimi: Sala Ahmeti dhe Shukrije Gashi

Shkruan: Valbonë Bajrami

AlbFem e kishte marrë një iniciativë për tregime se kush ju ka frymëzuar në jetë. Interesant si nismë. U frymëzova prej thirrjes.

Nganjëherë harrojmë t’i falënderojmë njerëzit që kanë ndiku pozitivisht në jetët tona. Frymëzimi asht zinxhiri më i bukur që të dhuron dikush, sidomos kur gratë për gra në shoqni të shtypura, hallkë-hallkë zgjerojnë rrethin e bashkëgjinoreve si nxitje dhe mbështetje për edukim. E edukimi asht çelësi i pavarësisë. Jemi ne izolim për shkak të pandemisë, me kohë të mjaftueshme për rrëfime. Asht ngjashëm me kronologji të “talk therapy”, që mundesh me i realizu pa shpenzim. Disa bindje apo përvoja nuk asht mirë me i mbajtë për vete, paçka se pa vetëdije i ndryjmë për shkak të dinamikës së jetës ose distancës fizike.

Të kthehem në temë. Jashtë familjes nukleare, unë kam pasë frymëzim dy gra. Dy zonja, aktiviste. Dy luftëtare të mentalitetit shtypës ndaj grave. Dy gra që kane thye barriera të kohës. E mbi të gjitha, dy patriote që e kanë dashtë mëmëdheun pa asgja në këmbim. Mbase ato nuk janë në dijeni për ndikimin e madh që kanë pasë në mu, e që në vete shpesh i falënderoj për përkrahje apo këshilla që më kanë dhanë. Thjesht, kam pasë shumë fat që i kam njoftë në kohë të ndryshme. Dy muzat e mia të frymëzimit: Sala Ahmeti dhe Shukrije Gashi – të dyja “fajtore” për ndërtim të ecejakeve të mentalitetit tem.

Muzën e parë, Salën, e kam pasë si nanë të dyte, qysh në vegjëli. Në moshë kur pësojmë tranzicion nga bota fminore, kërkojmë edukatë ndryshe prej metodave të prindërve. Zgjanojmë  burimet e resurseve informative. Kam aq shumë eksperienca të kandshme me të, sa që hamendem t’i ndaj. Po e theksoj një këshille të saj, që ma ka pasë dhanë në vitin 1995, kur rastësisht ajo e vëren që nuk ndjehesha mirë emocionalisht. Në mes të bisedës së gjatë më tha:

“Po nuk e respektove veten, nuk ka me të respektu askush në jetë. Kur ti je mirë me veten, mundesh me ba mirë edhe për të tjerët. Po nuk e vendove veten në radhë të parë, suksesi asht diskutabil”.

Kjo këshille e saj më ka përcjellë deri sot që veproj si punëtore sociale për shëndet mendor. Sa herë çohem a rrëzohem, e kam kuptue që me vendu veten në radhë të parë, gjithmonë je më e pranueshme, më e qetë, kryesorja, më produktive karshi të tjerëve. Tezja Salë, ashtu qysh e thërras unë, mbase nuk e di se një këshille e saj shumë njerëzore dhe e interpretume me qetësi e dashuni, ka ndiku si refren në ecejaket e mia në jetë. Dhe për më shumë, ajo këshille mbase nuk kishte me pasë peshe të madhe në mu nëse ma kishte thane dikush tjetër — ajo ka thye barriera të kohës; asht shkollu në një kohe kur fatin e çikave e ka pre kanuni; asht ngrite intelektualisht paralel me fisnikërinë e saj në rrethin social, pa diskriminu, apo dallu njerëz; njëtrajtshëm me përgatitjen e saj akademike si profesoreshë në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë. Shume breza janë shkollue e ndihmue neper duer të saj – e ky asht patriotizmi ma i madh që mundesh me i dhurue vendit tand – paçka se ajo asht mbesë e Shotës, e motër e heroi kombëtar, vlerën saj e peshoj në kontribut që ka dhanë për shkollim gjeneratash, në periudha edhe pa pagesë. Këtij rrëfimi nuk due me ia shtue bisedat e shumta që kam pase me të sepse droj që humbet lezeti. E nganjëherë me folë më pak thue më shumë, thuhet në një shprehje anglosaksone.

Muza e dytë, ashtu qysh e thërras unë, Shuki, asht flakadane që m’ka hedhë “zjarr” pozitiv për të drejta të grave kur dikur isha veç kandil. Ne vitin 1996 ose ‘97, nuk e mbaj mend saktësisht, në një orë letrare, në mes shumë poetesh të tjerë, vëmendja jem përqendrohet në biografinë që lexohej në foltore. Një grue që i kishte luftue të gjitha barrierat e kohës: e burgosun për veprimtari politike; poete; e aktiviste e te drejtave të grave. Në atë ore letrare nuk shkova me vullnetin tem. Pasi baba im më nxen në vepër me cigare në dorë, me qetësi me detyron ta shoqëroj. “Një udhë e dy punë”, me thotë, sepse e kishte konfirmu pjesëmarrjen. Qortohem ashpër rrugës për veprën që kisha ba, por nga ajo e keqe lindi diçka e mirë. Derisa po lexohej veprimtaria e Shukit, baba më nxite me dëgju me vëmendje. Me zgjoi kureshtje veprimtaria e saj, por nuk mora guxim ta përshëndes në fund. Rrugës derisa po ktheheshim me shpi, harrova qortimin e babës. E harroi edhe ai sepse ndërlidhi bisedën për gratë e Ilegales – shume emna i theksoi, meqë kureshtja ime ishte për gra. Pas një viti, prapa baba, vjen dhe ma jep një libër për me lexu. Unë refuzoj dhe arsyetohem se ishte vapë, dojsha me shku në bazen të Gërmisë. Vendojmë kusht që unë ja shpaguj lejen për me shku në këmbim të një testi se a e kam lexu librin. Ne mesin e shume poezive hasi ne emnin e Shukit. Me kishte lane andje të mirë para një viti. Edhe sot e kësaj dite e me rri ne memorie një pjesë e poezisë së saj:

“…Grua, thyej të gjitha rregullat e shejterisë gjinore, të mos mbetesh lule anemone, koha vrastare le të vdes, në ritëm të valles pagane në lindje të diellit ku heshtja pëlcet”.

Nga ajo poezi jam frymëzu e interesu në të ardhmen për shkeljen e të drejtave të grave. Ka qenë pikëfillimi që më ka nxitë me u marrë me këtë problem ekzistent në të gjithë botën, edhe pse e ardhmja jem ishte e destinume në Amerikë. Vite ma vonë, kush e kishte mendu që me Shukin rri gu me gu. Ia dëgjoj me vëmendje këshillat, vërejtjet, nxitjet për të mirë, sikur që bahen në një rreth motërzimi, e thjesht ndjehesh me fat.

Me fat që i kam njoftë këto dy gra në jetën tem, e më kanë dhanë frymëzim.

 

***

Përshëndetje Valbonë!

Kam dashur të të shkruaj disa herë për të të thënë se po kënaqem duke i lexuar shkrimet tuaja! Po ja që sot erdhi rasti. E lexova shkrimin tënd si përgjigje të një ftese për të dhënë opinionin për gratë që të kanë frymëzuar në formësimin tënd (natyrisht përveç familjes) si grua e fortë dhe avangarde që je, sidomos sa i përket barazisë gjinore dhe vlerave kombëtare që ke.

Kur e lexova u ndjeva tepër e lumtur dhe e vlerësuar që sado pak paskam ndikuar në mënyrën e rrugëtimit tënd si një luftëtare e paepur për kultivimin e vlerave dhe koncepteve që promovojnë lirinë si koncept universal (e edhe të gruas). Unë kam pasur një rrugëtim të vështirë jetësor. Por, nuk jam ligështuar ndaj asnjë pengese. Për punën time 50 vjeçare kam marrë çmim nga Universiteti i Prishtinës, nga Fakulteti i Filologjisë, nga Drejtoria e Arsimit të Skenderajt, etj., por ta them sinqerisht asnjëherë nuk jam ndjerë më e vlerësuar dhe e lumtur se sa nga vlerësimi yt, Valbonë. Nuk e di kur kam qenë më e emocionuar dhe më e përmbushur se sot nga fjalët tua sepse ti e thua me sinqeritet, me çiltërsi, me idealizëm dhe me qëllimin që të arrish të ndikosh tek vajzat e reja për t’u bërë të dinjitetshme dhe të guximshme në rrugëtimin e tyre jetësor. Për mua vlerësimi yt më bën më të lumtur se çmimi “DIELLI ILIR” që më ka dhënë Universiteti. Valbonë, edhe ti je grua e zonja intelektualisht, kombëtarisht dhe promovuesja e barazisë së mirëfilltë gjinore! Ti je shndërruar në frymëzim për vajzat e reja. Je një Diell që rrezon! Jam e bindur se ti do të jesh një Simone de Beauvoir e sotme. Të dua.

  • Sala Ahmeti.