Shpresa Frrokaj/ Psikologe

Shpresa Frrokaj është psikologe dhe punon si këshilluese psikosociale me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, teksa udhëheq edhe kopshtin “ANDRRA”.

I tërë aktivizmi i saj lidhet me ndryshimet që dëshiron t’i bëjë në shoqëri, e sidomos fokusohet tek perceptimi që njerëzit e kanë për rolin e nënave në edukimin e fëmijëve.

Shpresa thotë se nëse vajzat trajtohen të barabarta që nga lindja, ato edukohen, pavarësohen e marrin një profesion, dhe kështu edhe shoqëria në përgjithësi do të jetë më e shëndoshë.

 

Intervista e plotë:

  • Kush është Shpresa?

Unë jam Shpresa Frrokaj, 32 vjeçare, me profesion jam psikologe. Punoj në Medica Gjakova, OJQ e grave dhe punoj si këshilluese psikosociale me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

  • Si përfiton shoqëria, e veçanërisht gratë nga aktiviteti juaj?

Unë, që nga viti 2008 punoj në organizata të grave, duke përfshirë Qendrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore (MVPT-PVPT), në Prishtinë. Aktualisht punoj në Organizatën “Medica Gjakova”, në Gjakovë, ku jam Këshilluese Psikosociale dhe ofroj këshillime individuale, grupore, familjare, të qifteve dhe këshillime grupore me adoleshentë në fushën e SGBV-së. Ndërsa, kopshti “ANDRRA” është biznes privat që unë e menaxhoj.

Mendoj që puna ime është e ndërlidhur ngushtë me gratë dhe përfitimet e tyre nga aktiviteti im. Sa i përket kopshtit, mendoj që shoqëria në përgjithësi përfiton, pasi që fëmijët dhe familjet që janë pjesë e kopsht janë edhe pjesë e shoqërisë. Në kopsht janë të punësuara 8 punëtore dhe me këtë numër të të punësuarave unë mendoj që kam ndikuar në përmirësimin e jetës sociale dhe ekonomike për 8 familje, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e pozitës së gruas në familje.

Përveç menaxhimit të kopshtit, unë në mënyrë të vazhdueshme bëj psikoedukim me prindërit e kopshtit, veçanërisht me nënat për edukimin e fëmijëve me metoda të buta të edukimit. Kjo mënyrë e komunikimit dhe bashkëpunimit me nënat, ka ndikuar pozitivisht në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre si dhe në gjendjen emocionale të nënave. Nënat janë më të qeta dhe më të vetëdijesuara sa i përket efektit të dëmshëm që ka sjellja jo e mirë e prindërve në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

  • Çka e karakterizon aktivizmin tuaj gjatë këtyre ditëve?

Jam duke u marrë me shkrimin e disa tregimeve edukative për fëmijët. Pjesë e këtyre tregimeve do të jenë fëmijët që janë të regjistruar në kopshtin  brenda vitit 2020. Ne jemi të vetëdijshëm që tregimet për fëmijë nuk e përfshijnë shumë qëndrimin e fëmijës në kopsht, momentet e bukura që ata kalojnë, sjelljet e mira që ata mësojnë dhe miqtë që ata krijojnë brenda kopshtit në raport me vështirësitë që i kanë të qëndrojnë pa prindërit. Përmes këtyre tregimeve unë po synoj që fëmijët të dëgjojnë personazhe të ndryshme dhe jam duke synuar të fokusohem në sjelljet pozitive të fëmijëve. Një gjë që unë jam duke u përpjekur ta ndryshoj është pozicioni social i nënës, duke e përfshirë nënën dhe rolin e saj në secilin tregim, gjithmonë duke mos përjashtuar edhe babanë. Kjo formë e të shkruanit të tregimeve do të ndikojë që fëmijët të kenë një imazh më të mirë për veten, shokët, mësueset dhe për kopshtin. Këto tregime ua kam dërguar prindërve në mënyrë që ata t’ua lexojnë fëmijëve të tyre. Nga prindërit kam marrë shumë përshtypje pozitive dhe kjo ka ndikuar pozitivisht tek familja në përgjithësi.

  • Si lindi ideja e krijimit t kopshtit?

Ideja që unë të krijoj diçka vetë, ka lindur menjëherë pasi kam përfunduar studimet për Psikologji. Gjatë studimeve e kam kuptuar rëndësinë e mirëqenies së njeriut dhe rëndësinë që ajo ka në të jetuarit e një jete normale dhe pa vështirësi. Ideja e krijimit të kopshtit më lindi me lindjen e vajzës sime. Që nga ai moment, unë nuk kam mundur t’ia besoj mirëqenien e fëmijës tim askujt tjetër dhe bashkë me kolegen time, Emirjeta Kumnova – Hoxha kemi hapur kopshtin në Gjakovë. Motivi kryesor i hapjes së kopshtit ka qenë rritja dhe edukimi i vajzës sime në një ambient, ku ajo është e qetë, trajtohet mirë dhe ku metodat e edukimit janë zgjedhje e saj, e jo detyrim.

  • Sa mendoni që është i rëndësishëm edukimi i duhur, sidomos ai i vajzave?

Nëse vajzat trajtohen të barabarta që nga lindja, ato edukohen, pavarësohen e marrin një profesion, dhe kështu edhe shoqëria në përgjithësi do të jetë më e shëndoshë.

  • Këshilla juaj për të gjitha gratë e vajzat që momentalisht po përballen me vështirësi në realizimin e ëndrrave të tyre?

Kopshti që unë e kam krijuar e mbanë emrin “Andrra”. Këtë emër e kam dëgjuar rastësisht nga një grua që ishte ndarë nga bashkëshorti i saj vetëm për faktin që nuk kishte pasur fëmijë. Ai ishte ndarë nga ajo dhe ishte martuar me dikë tjetër, ndërsa gruaja pas ndarjes kishte adoptuar një vajzë, të cilës ja kishte vendosur emrin ANDRRA. (kjo është ngjarje e vërtetë). Unë kam pasur një ëndërr dhe e kam realizuar. Edhe përkundër vështirësive që unë kam hasur gjatë rrugës, nuk jam dorëzuar asnjëherë Një gjë që mua në mënyrë të vazhdueshme më jep motiv për të vazhduar tutje është buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve të mi dhe në fytyrat e të gjithë fëmijëve të tjerë që janë pjesë e kopshtit.

 

@AlbFem: Të gjitha të drejtat e rezervuara