Serbeze Haxhiaj/ Gazetare

Serbeze Haxhiaj është një ndër gazetaret më të mira që ka pasur ndonjëherë Kosova. Përvoja e saj 21-vjeçare si gazetare ka bërë që në punën e saj të merret me shumë tema e raste, shpeshherë që kanë rrezikuar edhe jetën e saj, por që rrugëtimi i saj drejt gazetarisë profesionale nuk është ndalur kurrë.

Sot punon  për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe për Rrjetin Ballkanik për Gazetari  Hulumtuese (BIRN). Për raportim në çështje që ndërlidhen me korrupsion, krim të organizuar, krimet e luftës, religjionin dhe të drejtat e njeriut, ka fituar 15 çmime nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Serbezja thotë se të gjithë  ato që zgjedhin të merren me gazetari në Kosovë duhet ta kenë parasysh se është një ambient i vrazhdë i të bërit gazetari dhe do t’u duhet shumë pasion dhe punë për të ecur përpara. Sipas saj, ky profesion nuk është diçka që të tjerët ta japin krejtësisht në formën e një vlerësimi apo pozite si garanci për të mbajtur një vend pune. Është një punë që ndikimi dhe rezultati i saj vjen në mijëra forma tjera brenda dhe jashtë kufijve të vendit ku punon.

 

Intervista e plotë:

  • Si do e përshkruanit veten dhe punën tuaj?

Zakonisht e kam goxha siklet të flas për veten. Por do ta përshkruaja si një person me një lidhje të fortë për profesionin, që çdo ditë e kupton më shumë se është e mishëruar me punën, një person që dëshpërohet, ndoshta shpesh më shumë se që motivohet, por nuk heq dorë, nuk dorëzohet. Një person që mbahet fort pas idesë se profesionit nuk i duhet vetëm përkushtimi dhe njohuritë, por edhe integriteti e parimet. Puna ime do të thosha  është një refleksion i asaj që ka ndodhur për më shumë se dy dekada në Kosovë. Në artikujt e mi lexohet në detaje çdo kapitull i zhvillimeve në vend, në tërë totalitetin e tyre. Gjithashtu për shkak të ambientit në të cilën ndodhen mediat në Kosovë, rrugëtimi im është një ecje nëpër fushën e minuar të etikës.

  • Prej nga ju ka buruar kjo dashuri kaq e madhe për gazetarinë?

Mendoj që është pasioni, si tipar më shumë i natyrshëm. Pasioni për profesionin, për të vërtetën çfarëdo që të jetë ajo. Mendoj se për gratë dhe vajzat në Kosovë, gazetaria nëse nuk është pasion e deri diku edhe sakrificë, do të jetë e vështirë për ta bërë si duhet. Nuk do të ketë shkëlqim në asnjë rast nëse nuk do të ketë pasion dhe sakrificë. Për më shumë se dy dekada  ka pasur shumë gra që kanë qenë inspirim për mua dhe pavarësisht egërsisë së ambientit ku kam punuar ka pasur gra që kanë qenë krah i fortë i shtytjes për të ecur.

  • Cila është përvoja juaj si gazetare shumëvjeçare?

Unë kam punuar për më shumë se 21 vite si gazetare dhe redaktore e lajmeve në Kosovë dhe në mediat ndërkombëtare, dhe jam marrë kryesisht me çështje të ndjeshme, përfshi korrupsionin, krimin e organizuar, krimet e luftës, çështjet e sigurisë, çështjet politik, ekstremizmin fetar, terrorizmin dhe të drejtat e njeriut.

Aktualisht punoj për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari  Hulumtuese (BIRN).  Më herët, në fakt punën e kam nisur në  fund të vitit 1998 në gazetën Bujku që në atë kohë të represionit  në Kosovë nxirrej nga stafi i gazetës ditore  publike Rilindja, pastaj kam punuar në gazetën Zëri, Lajm dhe Koha Ditore.  Gjithashtu kam qenë për katër vite korrespondente nga Prishtina e agjencinë franceze, Le Courrier des Balkan. Shkrimet e mia janë botuar gjithashtu në disa nga mediat më të mëdha në botë, si The Financial Times, Der Standard, Neue Zürcher Zeitung dhe Al Jazeera. Gjithashtu ka punuar për pesë vjet si hulumtuese për Navanti, një institut amerikan për hulumtim dhe analiza. Për raportim në çështje që ndërlidhen me korrupsion, krim të organizuar, krimet e luftës, religjionin dhe  të drejtat e njeriut kam marrë 15 çmime nga organizata vendore e ndërkombëtare.

  • Sa është e vështirë për një vajzë/grua të jetë gazetare?

Gazetaria është një profesion shumëfish më i vështirë për gratë në Kosovë. Nuk është vetëm dallimi gjinor, paragjykimet, diskriminimi, por është edhe seksizmi, presioni indirekt, e shpesh edhe ngacmimet që përcjellin punën e grave në mediat e Kosovës. Ekziston edhe këtu një lloj rregulli i pashkruar, nënçmues,  ku gratë perceptohen me një përmasë vlere më pak se që e kanë në fakt. Por, nëpër vite kam pasur edhe përvoja të hidhura ku gratë kanë luftuar egërsisht njëra- tjetrën.

  • Jeni ndër gazetaret më të mira shqiptare, cili ka qenë rrugëtimi që keni bërë deri në ditët e sotme?

Në tërësinë e vet deri më tani rrugëtimi im ka qenë tejet i vështirë, shpesh i rënduar dhe i kushtëzuar nga faktorë të tjerë jashtë profesionit që kanë përcaktuar veprimin tim. Përcaktimi për të pasur atë që është e jotja, që nënkupton diçka të arritur me mundin dhe dijen tënde, shpesh ka një tagër të lartë për të paguar. Zakonisht kam qenë ndër personat e paktë në vend që nuk i kam ekzagjeruar kërcënimet, presionet, përpjekjen direkt e indirekt për ta shtypur punën time. Kjo ka ardhur  nga grupet politike e para politike apo njerëzit që u shërbejnë atyre, qoftë në media apo jashtë tyre. Për shumë arsye, e njëra nga ato edhe familjare më ka bërë të luftoj pa shumë zhurmë. E kam parë si diçka që është pjesë e punës, jo si heroizëm. Përveçse ligjit nuk kam parapëlqyer të mbrohem në forma tjera, e në fakt në Kosovë sistemi i drejtësisë, si palca kurrizore e funksionimit të demokracisë së një vendi, është i coptuar.

Për mua gazetaria ka qenë një shpjegim në trajtën e një thënie të shkurtër të Orwell-it që  thotë se “gazetari është ajo që të tjerët nuk duan ta shohin të publikuar, ndërsa pjesa tjetër është marrëdhënie me publikun”. Në këtë trajektore, në vendet si Kosova është shumëfish më e rëndë, sidomos për gratë për të shmangur  elementet që cenojnë punën e mirëfilltë një gazetari, që ka vetëm një rol, të vërtetën në shërbim të publikut.

Ajo që kam mësuar është se forca e këmbënguljes, e luftës për të drejtën dhe të vërtetën  peshon fort, jo vetëm në qenien tënde dhe gjithmonë ka një fryt.

  • A mendoni se vajzat/gratë në shoqërinë tonë paragjykohen/nënvlerësohen për guximin për të hulumtuar e për t’u marrë me tema të mëdha?

Për një pjesë të shoqërisë një kohë të gjatë gazetaria është perceptuar si punë që nuk është tamam për gratë. Por në fakt gratë në Kosovë kanë qenë në zemër të gazetarisë profesionale, gazetarisë së hulumtuar mirë. Dua të theksoj vetëm një rast nga tërë ajo që kam parë këto vite. Fatmire Tërdevci ka qenë një prej gazetareve më të mira të Kohës Ditore që ka publikuar disa prej hulumtimeve më tronditëse në atë kohë në Kosovë . Ajo është plagosur në vitin 2004 në muajin e nëntë të shtatzënisë së saj dhe tentim- vrasja e saj ende nuk është zbardhur. Gjithashtu kërcënimet dhe presioni në Kosovë ka qenë më i lehtë për t’u bërë ndaj grave sepse shihen si me më pak forcë dhe më pak për të iu frikësuar. Rrallë herë të qenit femër ka qenë përparësi në këtë profesion.

  • Si do i inspiroje vajzat e reja dhe ato të çfarëdo moshe që synojnë të nisin këtë profesion?

Të gjithë  ato që zgjedhin të merren me gazetari në Kosovë duhet ta kenë parasysh se është një ambient i vrazhdë i të bërit gazetari dhe do t’u duhet shumë pasion dhe punë për të ecur përpara. Ky profesion nuk është diçka që të tjerët ta japin krejtësisht në formën e një vlerësimi apo pozite si garanci për të mbajtur një vend pune. Është një punë që ndikimi dhe rezultati i saj vjen në mijëra forma tjera brenda dhe jashtë kufijve të vendit ku punon.

 

 

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara