Kaltrina Zeka/ Dizajnere Grafike, Filantrope

E  re, e dhënë pas punës dhe pas dëshirës për të ndihmuar të tjerët, kjo është Kaltrina Zeka, që me veprat e saj të pareshtura për komunitetin e që shpesh nuk marrin vëmendjen e merituar, po bën diferencën në shoqëri.

Ajo punon si dizajnere grafike për një kompani ndërkombëtare dhe është pjesë e ekipit të Image of Kosovo, të cilët janë duke bërë punë të mrekullueshme në promovimin dhe krijimin e imazhit të mirë të Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar.

Sipas saj, çelësi i suksesit është tek pavarësimi dhe zhvillimi i zërit, e suksesi arrihet vetëm duke besuar e duke punuar në atë që e bën.

 

Intervista e plotë:

  • Si do ta përshkruante Rina veten?

Rina është natyrë tejet kurreshtare, e etur për të udhëtuar, e guximshme për të filluar aktivitete e fushata edhe at’herë kur nuk e gjej përkrahjen e shumicës. Shoqëria dhe familja më konsideron si “gjenerator të energjisë”.

  • Në çfarë moshe ke filluar punën vullnetare dhe çka do të thotë puna vullnetare për ty?

Aktivitetet e para kam filluar qysh e vogël në organizimet e shkollës dhe lagjes. Ndërsa, fushatat e para që i kemi ndërmarrë me rrethin e ngushtë shoqëror filluan kur isha në moshën 18 vjeçare. Prej asaj kohe kam qenë pjesmarrëse në mbi 30 organizime të tilla.

Për mua vullnetarizmi duhet patjetër të jetë i rregulluar me ligj, të jetë diçka obligative për të rinj sepse e vlerësoj si tejet të nevojshme për të gjithë, sidomos për ata që e konsiderojnë si humbje kohe. Vullnetarizmi më ka mësuar dhe shërbyer më shumë se profesioni.

  • Cilat janë disa nga aktivitetet më të rëndësishme vullnetare dhe jashtë tyre, cili është profesioni yt?
Aktivitetet tona bamirëse në kuadër të grupit “Për familjet në nevojë”, në theks të veçantë i kanë fëmijët dhe nënat vetushqyese. Ndër ato që vlejnë të përmenden janë:
  • Pajisja e fëmijëve me çanta dhe mjete shkollore,
  • Fuqizimi i grave (viktimat e dhunës gjatë luftës dhe pas saj),
  • Dhurimi vullnetar i gjakut,
  • Dhurata për fëmijë në fshatra dhe zona të largta,
  • Pako me veshmbathje dhe pajisje higjienike për fëmijët e braktisur në neonatologji,
  • Po ashtu, promovimi i Kosovës, i vlerave të saj natyrore dhe kulturore përmes platformës tonë IMAGE OF KOSOVO.
Me profesion jam Dizajnere Grafike, ku tash e tri vite jam e punësuar në një kompani të huaj.

  • Për çfarë je krenare në jetë sa i përket arritjeve tua?
Moment i paharrueshëm mbetet ceremonia e ndarjes së çmimeve FIDES për Filantropi, ku patëm fatin të jemi të nominuar dhe fitues në kategorinë “Liderët e rinj”, për aktivitetete zhvilluara në kuadër të grupit tonë vullnetarë “Për familjet në nevojë”.
Jam shumë krenare për besimin që e gëzojmë familjet tona nga qytetarët e thjeshtë, mediat dhe personat e shumtë me ndikim tek masa. Mendoj që besimi fitohet dhe ne e kemi fituar atë me punë dhe përkushtim.
  • Si lindi IMAGE OF KOSOVO dhe si u krijua?

IMAGE OF KOSOVO është nismë e shokut tim të ngushtë Oltion Beshirit, i cili të gjithën e kishte filluar nga dëshira për ta promovuar vendin, në mungesë të platformave të tilla në të cilat mund të informohemi më shumë rreth vlerave kulturore, bukuritë natyrore dhe turizmin, sukseset e kosovarëve të cilët na përfaqësojnë nëpër botë.

  • Çka do të thotë të jesh e re dhe kaq aktive në shumë sfera të jetës? Nga buron gjithë ky vullnet?

Vetë fakti se jemi të ri në moshë, gëzojmë energjinë dhe shëndetin, duhet ta shfrytëzojmë kohën aq sa kemi mundësi. Aktivizimi ynë mund t’ju shërbejë gjeneratave para dhe pas nesh.

Më vonë besoj se me shtimin e përgjegjësive familjare, do kufizohemi në kohë dhe nuk do t’kemi mundësi të japim kontribut me intensitet të njëjtë si sot.

  • Sa mendon që kanë liri të shprehjes vajzat/gratë në Kosovë dhe a mendon si ju mungojnë platformat për t’u shprehur?

E gjithë liria e shprehjes dallon nga zonat dhe mentaliteti.

Gjithmonë qytetet e mëdha kanë gëzuar privilegje më shumë sesa zonat rurale. Kjo automatikisht na bënë të kuptojmë se liria e shprehjes është më e madhe.

Aty ku ka liri të shprehjes ndonjëherë keqpërdoret, aty ku ka çfarë të thuhet shpesh mungon kjo liri.

Por gjithsesi, nuk qëndrojmë aq keq duke e parë pjesëmarrjen e grave në politikë, OJQ, gazetari, art dhe kulturë dhe në përgjithësi në shoqëri civile.

  • Si do t’i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që synojnë të jetësojnë ëndrrat e tyre?

Fillimisht duhet të pavarësohemi nga mendimet e të tjerëve, pastaj të tregohemi të vendosura në përzgjedhjet tona. Mos të presin gjithmonë përkrahjen e të tjerve sepse rezultati i punës gjithmonë ngjallë kureshtjen e njerëzve për t’u bashkuar. Kam besuar në idetë e mia, kam qenë e vendosur të punoj deri në fund dhe pa arritur cakun që i kam vendosur vetes nuk jam dorëzuar.

Energjia dhe vullneti jonë reflektohet edhe te bashkëpuntoret tona.

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara