Ditëlindja e Furtunës dhe historia ime e lindjes në luftë

Shkruan: Vjollca Izmaku

Sa herë i dëgjojsha gjyshet e mia tu i tregu hjekat dhe lindjet e fëmijëve t’tyne nëpër shpia, unë si f’mijë nuk mujsha me kuptu qysh kan mujt me ja dal e me mbijetu, por asnjëherë se kisha mendu se edhe unë do ta kisha fatin e tyne që me shumë përjetime t’randa e me shumë vështirësi me i mbijetu lindjes në kohë lufte.

DITËLINDJA jote FURTUNË, është edhe e Imja, na të dyja bashkë ja dolëm me shumë vështirësi atij rrugëtimi t’gjatë me shumë vuajtje, rrezik, frikë e dhimbje t’mdha.

PANTINË, VUSHTRRI, 1999

Unë shtatzanë me Furtunën, e Tringa  ishte 4 vjeçe. Ferkiu bashkë me vëllaun e tij Ruzhdiun e kushërinjtë e tyre t’fshatit ju kishin bashkangjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne patëm fatin shumë herët t’i braktisnim shtëpitë tona se luftimet fillun n’fshatin tonë dhe shtëpitë na i dogjën.

Unë isha me Balin e Nanën e madhe (vjehërrit e mij, kunatën Halën e me fëmijët e saj Shqipen, Albanën, Gentin, Gentianën, Blinera e Beharin.

Nuk do t’i harroj kurrë ato ditë t’randa që endeshim prej një shpie në tjetrën, e jo rrallë herë ishim t’padëshirum e t’rrezikshëm për ata njerëz që na strehonin. Ne njiheshim si familjarë t’pjesëtarëve t’hershëm të UÇK-së e shumë prej tyre na e kishin frikën t’na i hapnin dyert e shpisë se mund ti lajmëronte dikush e i druheshin edhe serbëve fqinjë t’fshatit tonë që na njihnin e kishin jetu afër shpijave tona në Pantinë, deri kur fillun sulmet e para prej tyre.

Pothujse çdo 3-4 ditë na binte të zhvendoseshim nga një shpi në tjetrën e nëpër katune t’ndryshme, por kur fillun bombardimet e NATO-së, gjithçka u ba ma e vështirë për neve. NATO atë mesnatë sulmoi kazermën ushtarake në Bajr të Mitrovicës, e shtëpia e Shyqri Feratit dhe tezës Hysë, ku na ishim t’strehum, u dëmtu aq shumë sa prej detonimit t’fuqishëm, dritaret na ranë me gjithë kornizë, na ishim n’gjumë e nuk dijshim çka po ndodh prej zhurmës t’madhe që rr’zoheshin çeremidet e kulmit t’shpisë. Edhe prej aty u largum se erdhën e na qitën jashtë forcat serbe e ju bashkangjitëm kolonës së gjatë me gra e burra, fëmijë e pleqë. Sa shumë i lakmojshim ata njerëz që ishin nëpër traktora t’tyne e që kishin shtrojë e mbulojë. Unë shtazanë, nuk mujsha me bajt shumë gjana n’dorë, Bali, nana e madhe e kunata jem me f’mijt e saj, bajshin e ishin t’ngarkum me batanije, sende e ato pak ushqime që i kishim me veti.

E mbaj mend që Tringës ju patën ba gjunjjtë e zi se e merrke gjumi tu ec nēpër kolonë edhe e lshojshin kambët se nuk mujshim gjithë me mbajt n’dorë. Nuk e harroj mëngjesin e asaj nate që e kalum n’malin e Vojteshit. Bali i kishte mbledh do rrema e na e kishte dhez një zjerm se mëngjesi ishte i ftohtë e me shi. Tringa ish e vogel e kur u qu prej gjumit, u g’zu se mendoj që po pjekim flija, Balin e pashë që u mundu me i mshef lotët prej neve, ai ka përjetu shumë vujtje e dhimbje me neve, tu na pa shumë herë edhe pa bukë e tu u mundu me rujt njani-tjetrin, që fmija me pas me hangër, ai na e rujke bukën neve e vet nuk hajke.

E kujtoj njëherë kunata jem Hala, ja bani një sherbet e nuk i kallxoj, po ja dha me pi si ujë, Bali e pini ju dridhshin durt e ju mushën sytë me lot.

Ndjenjën e urisë edhe tmerrin e luftës nuk mundesh me i kuptu, pa i përjetu!!

Shkum në një shpi tjetër t’pabanume në fshatin Vaganicë, ku atë natë flejtëm bashkë një bodrum me shumë njerëz t’panjohur, afër meje u kan edhe një pulë me zogj t’vegjël, unë kisha dhimt e gati krejt nata na shkoi n’oborr me kunatën tem.

N’mëngjes e kuptum se n’atë bodrum ku flejtëm atë natë, ish kanë edhe një njeri i vdekur aty e nuk e kemi dijt.

Gjatë atyne lëvizjeve, na pat ra me shku edhe n’Zhabar një shpi t’vjetër që e lshojke dheun prej tavani sa herë që na lëvizshim, kunata jem Hala, nuk flejke e na rujke natën mos po na bjen tavani. Një natë e kalum edhe një shpi t’djegun, e n’mëngjes krejt ftyrat tona ishin ba t’zeza prej zhigut që na kishte ra, e shpisë i vijke era hala shkrum.

E kujtoj që një natë e kemi kalu edhe në shpinë e veteranit të UÇK-së, Kamer Imerit, babait të dëshmorit Bislim Imerit.

E kam t’vështirë me i kujtu krejt shpijat ku jemi kanë po e mbaj mend që na ka ra me shku edhe n’fshatrat Lubovec, Balinc, Ashlan , Akrashticë, Shtitaricë, Dobërllug.

Mua po m’afrohej koha e lindjes e ankthi e frika veç po m’shtoheshin se e kisha të domosdosëm një intervenim që do t’më shpëtonte jetë, por sa e vështirë ishte rruga deri atje, këtu fillon RRËFIMI IM!

PRILL, 1999.

Ishim t’strehum në një familje n’fshatin Shtitaricë. Pas një kohe t’gjatë që unë nuk dijsha kurgjë se ku janë prindërit e familja ime që jetonin n’qytet në Vushtrri, atë ditë me shi, Tringa ish ul te dritarja kur e nijta tu thanë “NANA” (nanës tem i thojke nanë) e mu mendja mejherë m’shkoj për t’keq, ju paska ndodh diqka e keqe atyne mendova e Tringës po ja nin zemra. Por jo, Nana ish vërtetë, Nana na kish gjet e ish ardh me na marr, bashkë me të ishte edhe Luljeta, vajza e hallës dhe kojshikja Hasibja, që nuk e kishin lan nanën t’vetme ta merrte at rrugë.

U përshëndeta me vaj e lotë me Balin, nanën e madhe, Halën e krejt fëmijët, mas krejt atyne hjekave që i kalum bashkë.

Sa t’randa ishin ndarjet n’kohë lufte, kur nuk e dijshim a do ta shihnim ma njani tjetrin t’gjallë.

Rrugën deri te shpia ime n’qytet e kalum n’kambë e me shumē frikë, shumë shtëpi digjeshin atë ditë tek stacioni i vjetër në Vushtrri.

VUSHTRRI, Prill, 1999

Nuk isha as e vetëdijshme që e kisha jetën aq n’rrezik, kur erdha n’shpi te nana, mas një kohe t’gjatë u ngiva bukë, u pastrova e flejsha n’shtrat me krejt t’pastra, e m’u doke që luftë aty s’kish pas.

Ditët e lindjes po m’afroheshin, tu e pa shqetsimin e nanës, babës e motrave t’mija për mu. Një mjek që banonte n’lagjën tonë, i kishte njoftu ma herët për rrezikun që m’priste, nëse nuk mujsha me hjek “cerklazhin” para kohës së lindjes.

Krejt familja e kishin dijt rrezikun ma shumë se unë që e kijsha. Kunata ime Nexhmije Aliu e cila jetonte në qytet t’Mitrovicës ishte mundu shumë me m’gjet zgjidhje tu e rreziku jetën e tu i vizitu mjek e gjinekolog t’ndryshëm e s’kishte arrit me ardh me m’marr mu.

(Letra e saj dhe e Ferkisë që i kishin shkëmby at kohë lufte janë bashkangjitur në këtë tregim)

Një ditë rrezikum e shkum te një doktor jashtë profesionit, provum te Dr. Agim Xhafa, por me gjithë përpjekjet e tij, pa mjete nuk mujti me m’ndihmu. Tu u kthy atë ditë prej Maxhunajt, NATO bombardoi urën n’fshatin Milloshevë, detonimi ishte aq i fuqishëm sa na u dridh edhe toka nën kambë.

Pas shumë përpjekjeve edhe me Dr.Bajram Rexhepin i cili n’atë kohë ishte në zona lufte por as ai nuk i kishte mjetet e nevojshme.

Ferkiu m’qoj fjalë që me u nis në Spitalin Ushtarak të Kovaçicës e që e kish organizu udhën krejt e ish marr vesh me shok’t e tij që ata me dal me m’prit.

Të nesërmen u nisëm herët me mēngjes fillimisht kishim me shku në fshatin Studime, prej shpisë u nisëm kambë bashkë me nanën e motra ime Xhyljeta, ajo ishte shumë e re e Gjyshja jem ja veshi një mantill e ja vnoj një shall prej frikës që kishim se shumë gra e vajza t’reja maltretoheshin e dhunoheshin në kohë lufte.

Kalum nëpërmes lumit t’fshatit Studime, ku u vranë e u masakruan shumë njerëz, por edhe t’afërm t’familjes sime. Një pjesë t’rrugës e kalum në qetësi derisa plumbat ja nisën me ra n’gjethe t’shelnjeve t’lumit e na ecshim poshë nëpër ujë.

Me shumë frikë e kalum atë pjesë dhe dolëm te zona ku ish e kontrollume prej UÇK-së.

Aty kish dal e na priste ushtari i UÇK-së Hamdi Ferati, i cili me kerr na qoj deri te vendi tjetër për t’vazhdu ma tutje.

E kujtoj me mall atë ditë kur ai na foli me shumë kurajo e pak humor tu u mundu me na e largu tmerrin e frikën që na e shihke n’ftyrë. U përshëndet me neve, e përqafoj Tringën e na tha “Ju rujt Zoti e kujdesnu për veten se Lirinë nuk e kena larg”

Lirinë vërtetë se patëm larg, por ai nuk e priti, ishte përshëndetja e fundit me të, ku pas 2 javësh me datën 10 Maj,1999, ai u vra heroikisht e ra Dëshmor i Kombit.

Po atë ditë e takova, u nala e fola edhe me Selatin Gërgjaliun, i afërm i familjes n’Pantinë.

U përshëndeta edhe me Selatinin dhe e vazhdum udhën tjetër për në Ceceli.

Selatini bashkë me gruan e 7 fëmijtë e tij u vranë e u masakruan në shtëpinë e tij pas 4 javësh me datën 31 Maj ,1999.

Sa t’dhimbshme e trishtuse ishin k’to lajme në kohë lufte kur dëgjojshim për vrasjen e njerëzve që i njihnim e jetonin aq afër shtëpive tona.

Hypëm në një traktor së bashku me shumë veta tjera. Me dhimbje e kujtoj edhe një gru t’re shtatëzanë që i priste dy binjakë, ajo e kishte prit me aq dëshirë e gzim at shtatëzani sa nuk ja kishte luftês frikën edhe pse e kishte problemin e njëjtë me mu. Pas përfundimit t’luftës kam dëgju se ajo nuk arriti t’i shpëtoj dhe mbijetoj lindjes.

CECELI

Mrrijtëm në fshatin Ceceli, në vendlindjen e babës tim, n’shtëpinë e kushëririt tim Hashim Izmaku cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe shtëpia e tij ishte sofër buke për ushtarët e UÇK-së e krejt ata njerëz që ishin vendos aty.

E lodhun e shtatëzanë prej asaj udhe t’vështirë që e bana m’priste edhe një udhë tjetër e panjohur për mu, e vetme dhe e rrezikshme.

K’saj here u përqafova e u përshëndeta si për herë t’fundit me nanën, Tringën tem e Xhyljetën, tu u lut që kjo mos t’ishte hera e fundit që po i shihja.

KOVAÇICË- Shalë e Bajgorës

U nisëm me një traktor në Spitalin Ushtarak në fshatin Kovaçicë, bashkë me Hashimin edhe Mentorin djalin e dajës tim qē edhe ai ishte ushtar i UÇK-së, Mentor Imeri.

Nuk e harroj kurrë atë natë me shumë shi, ku në atë spital e takova edhe vendasen time Bahrije Kasumi e cila ishte plagos rëndë në kambë.

Bashkë përjetum tmerr e dhimbje.

Aty e sollën një fëmijë 4 vjeç i cili ishte plagos n’krahët e nanës së tij Naimes nga fshati Dobratin. Naimja erdhi e tmerrume bashkë me kunatin e saj dhe djalin e saj t’plagosur që po e mbante n’krah.

Luli i vogël ishte plagos randë dhe po luftonte me jetën para syve tanë.

Aty ishte Dr.Faik Bllata që nuk kishte mundësi me shpëtu se nuk kishte kushte e as mjete për operim përveq një infuzioni me lugë që ja jepke nana e vet, por Luli i vogël lypke ujë kroni.

E kujtoj mirë edhe doktorin ulun jashtë n’prag t’derës që vujti e derdhi lot bashkë me neve.

Ishte hera e parë për mu që e pērjetojsha një vdekje e fryma mu nalke prej vajit kur e pashë me sytë e mi atë femijë që ndrroj jetë aq qetë e aq dhimbshëm.

Para syve e kam kur nana e tij për s’vdekuri ja vnoj kapelën n’kokë, ja veshi jaknën, ja mbathi qizmet djalit t’saj, e mori ngryk n’krahë dhe bashkë me kunatin e saj u nisën.

Naimja kur erdhi at ditë na kallxoj që mes plumbave e kishte lan edhe qikën e vogël në beshik bashkë me nanën e saj, ku ma vonë e kam kuptu prej Bahrijes që nanën ja kishin vrarë.

Në atë spital e njoftova edhe Nysret Musën që e thirrshin “ Hoxha”, djaloshin 19 vjeçar që ju kishte bashkangjit UÇK-së me gjithë at vullnet e dashuri që kishte për atdheun.

Me mall e dhimbje i kujtoj ato momente kur bashkë me Bahrijen na ra me njoft që mos me harru kurrë bashkë me tregimet e t’qeshurat e tij që na jepshin kurajo në kohë lufte.

Bahrija ishte shumë e re, e plagosur randë n’kambë edhe i kutjoj mirë fjalët kur i tha “Pashë zotin “hoxhë” që vijnë shkijet, ama një plumb e mos m’le n’dorë tyne” e ai me shumë guxim ja kthej  “O gajle mos ki, se pa m’myt mu, ty s’kan me t’prek”

Nysreti ra heroikisht përballë me armikun vetëm pas 2-3 ditësh, për t’mbet përjetë n’kujtimet e mia.

Nuk e harroj kurrë as Dëshmorin Faruk Beqirin, që tash nuk m’kujtohet në cilin spital e kam taku, në Kovaçicë apo në Potok por e dij që ishte i plagosur dhe pas pak ditëve e kuptova se nuk kishte mujt t’ju mbijetoj plagëve dhe kishte shkuar në perjetësi!

As në Spitalin e Kovaçicës nuk kishin mjete  me m’ndihmu e prapë prej aty niske një udhë e re për mu.

Mu dhimt n’shpirt atë ditë Bahrija kur u nisa dhe e lashë e me lot n’sy m’tha “ Oj Vjollcë edhe ti po m’shkon a, ma ban hallall se shumë m’ke ndihmu”

U përqafum e u ndamë t’u mos e dijt asnjana për fatin që na priste.

POTOK, LLAP, 29-30 PRILL, 1999

Mu s’bashku me një infermier na nisën në Spitalin Ushtarak në fshatin POTOK të Llapit.

Sa e gjatë ishte ajo rrugë me një karrocë t’vjetër me kuaj, aq e vështirë dhe e mundimshe. Bashkëudhtari im përpëlitej me dhimbje e shtrëngime aq t’forta se i kishte pëlcit “zorra qorre”. Me gjithë ato dhimbje e i mbulum me djersë, shpesh m’kërkonte falje rrugës për gjamët e britmat që i lshonte se nuk mujke me i duru.

Sa ma shumë që i afroheshim spitalit aq ma shumë granatime e gjujtje. Një granatë na ra aq afër sa edhe copat e saj i ranë edhe kalit që na bartke neve, nuk e harroj kurrë tmerrin e asaj dite, kuajt ngriheshin përpjetë prej grantimeve t’mdhaja. Rrugën e bojshim krejt n’mal e ushtojke aq shumë mali kur u rr’zojshin lisat prej granatimeve. U rr’zu edhe një lis i madh para nesh e na u ba pengesë për me vazhdu rrugën deri te spitali por me shumë vështirësi ma n’fund mrrijtëm aty.

Njerëz t’plagosur gjithandej, t’shtrim nëpër tokë, zana t’trishtum që kërkojshin ndihmë, plagë t’hapura…. Sot kur e kujtoj e kam t’vshtirë me besu, qysh arrita me i përballu asaj dite aq t’tmerrshme për mu!

(Detajet janë t’randa)

As sot nuk e di cila ishte ajo mjeke që me aq shpejtsi e kreu intervenimin tim e m’uroj fat ma tutje.

Krejt intervenimet kryheshin shpejt atë ditë se granatimet nuk u ndalshin.

Ajo ditë qëlloj t’ishte edhe dita e fundit e atij spitali që kishte shpëtu shumë jetë, e unë pata fatin që mas gjithë atyne udhve e përjetimeve ta mrrij për pak orë at derë të hapur që shpëtoj edhe jetën time.

30 Prill, 1999, Spitali u mbyll!

Rrugët tona tani po ndaheshin, me ata që udhëtojsha nuk mujshin me m’kthy deri në Ceceli ku atje e kisha nanen e Tringën.

Rreziku po afrohej çdo herë e ma shumë, e m’than me shku bashkë me ta një katun e mos m’u nda prej tyne. Po unë qysh e kisha punën, dojsha mu kthy te nana e qika, se e dijsha që së shpejti kisha me lind e ata nuk dijshin më kurgjë për mu!

Vendosa me ec në kambë deri në Sllakovc se aty e dijsha që ka pas shumë njerëz t’strehum e prej aty e kisha afër Cecelinë.

Ata që ishin me mu m’kallxun që “koxha një copë e ke veç m’than mos ju ndaj ksaj udhës s’shkelne.

U nisa e vetme asaj udhe t’malit që nuk përfundojke kurrē, ecsha e ecsha e nuk nijsha më asnje za, veç zogjtë edhe zhurmën e kambëve t’mija tu ec.

U lodha shumë, isha shumë e unt e as ujë nuk kisha me pij. Udha s’ka mujt me kan kaq gjatë folsha me veten, men’dojsha që kam hup edhe pse e shihsha që jam tu ec rrugës pa ju nda.

Kjo udhë është pjesa që prej krejt përjetimeve t’mia sa herë e kam kujtu çdo herë e ma shumë ju kam frigu!

Ma n’fund prej largu e shihsha një tym e tu u afru vijshin edhe do zana t’fmijve.

Aty e dij që jom shliru edhe m’ka ardh një vaj me nji za që s’ja kisha nij vetës najherë!

S’kam mujt me fol hiq edhe me ju përgjigj njerëzve që m’ofrojshin ndihmë!

Aty kam qëndru 3-4 orë së paku derisa erdhi një veturë e UÇK-së dhe pothujse në mesnatë mrrijta në Ceceli te nana e Tringa.

Të nesërmen u nisëm për në Vushtrri.

Prapë e kalum në kambë pjesën e lumit të Studimes dhe me shumë mundim lodhje e frikë mrrijtëm në shpi.

Lot gzimi t’babës e t’Xhevës kur na panë që u kthym dhe e kisha kry intervenimin, por mu gjatë rrugës tu ec veç m’kishin fillu dhimt e lindjes dhe kur mrrijtëm mu desht mejherë me ju tregu.

Shumë mu dhimshin nana e baba, motrat e mia Xhevahire e Xhyljeta, u tutsha që s’kam me mujt me mbijetu, u nijsha shumë e pafuqishme, frika e ecjet e gjata m’kishin dërmu. Dhimbjet sa ma shumë po m’baheshin ma t’padurushme, shumë u munojsha mos me lshu asnjë za se e dijsha që krejt janë qaty n’shpi dhe më nijn.

Asnjëherë s’i kam besu plotësisht fjalës për njerëz që vetë jan kan n’rrezik për jetën dhe shpeshherë i kam nij tu thanë nuk mu dhimke vetja. Po kjo ish ma shumë se e vërtetë, e mendojsha Tringën që mbetet pa mu, nanën e babën që aq shumë ishin mundu për mu, motrat që i bana aq shumë me u friksu për mu!

Baba e nana n’ato rrethana t’rrezikshme ku krejt kalojshim nëpërmes oborreve t’shpijave pa dal në rrugë, natën vonë shkun dhe e morën maminë e mirënjohur t’qytetit tonë Fatime Manovin e cila rrezikoj at natë e erdhi në ndihmë bashkë me fqinjtë tanë t’nderum çiftin Dr. Rabije dhe Dr. Fehmi Haxhaj.

Pranë e kisha edhe grun e axhës t’dashur Rabijen, e cila gjithë kohës m’ka dhanë kurajo.

U jam mirënjohëse e falenderuese PërJetë!

Pas shumë orëve me dhimbje t’gjata, Mëngjesin e 1 Majit erdhi në jetë Furtuna!

Po atë ditë në mbramje vonë me shumë vështirësi erdhi Ferkiu, rrugëve me baltë e nuk e harroj krejt teshat i kish pas të shkyme se e kishin sulmu shumë qenë rrugëve t’fshehta tu ardh.

Ishte ba një kohë e gjatë që s’na kishte pa, as mu e as Tringën e sa shumë u g’zu që ma n’fund m’pa që isha shliru dhe ndihesha mirë.

Emrin ja vuri vet lufta tha tezja e vet Xheva, dhe e pagëzoj FURTUNË

1 -2 MAJ, 1999 VUSHTRRI

Atë natë Vushtrria përjetoj edhe masakrën ma t’madhe gjatë luftës ku në fshatin Studime u vranë e u masakruan shumë gra, fëmijë e burra civil. Asaj masakre i mbijetoj edhe vllau im i vogël Qenani i cili i kishte vetëm 16 vjeç dhe at natë edhe ai e përjetoj tmerrin e vërtetë ku me sytë e vet e pa at krim të randë që u ba. Ai e përjetoj shumë randë vrasjen e 3 fqinjëve tanë ku bashkë me trupat e tyne të vramë qëndroj një traktor dhe me nanën e tyre që kishte mbet gjallë.

Me datën 9 Maj ,1999 u vra edhe Afrimi, burri i motrës time Qefsere cila mbeti shtatëzanë 3 muajshe.

Nuk e harroj kurrë atë ditë kur unë e ndihmova me vnu çantën e randë në krah e ai u nis me gëzim te familja e tij që kishte mbet në Dumnicë, me ju dërgu ushqim. Pas një ore e kuptum që Afrimin e kishin vra.

Djali i tij sot mban emrin e tij Afrim Bekteshi.

Kjo është historia ime që nuk fillon e as nuk mbaron me kaq!

Furtuna, nuk e mban mend babin e saj Ferki Aliu i cili ra Dëshmor i Kombit dhe ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona e Shalës së Bajgorës.

Furtuna, çdo herë m’ka kërku ti shkruj këto përjetime, ajo sot studjon në një Akademi të famshme për film dhe teatër në Hollywood Los Angeles dhe ëndrra e saj është që historinë time e të saj ta realizoj në film.

E dij që ky tregim i imi në letër do të jetë dhurata ma e dashur e saj!

Furtunë e dashur, unë e mbylla këtē tregim me urimet ma t’mira për Ty!

Jemi larg në ditëlindjen tënde, ti po i ndjek ëndrrat e tua në Hollywood e urimi im për ty është e përjetofsha ëndrrën tënde të realizuar!

Urime Ditëlindja Furtunë❤️

 

(Shkrimi është pa ndërhyrje dhe botohet me lejen e autores, bashkëshorte e dëshmorit të Kombit, Ferki Aliu)./ Gazeta Scanner