Puhiza Shemsidini/ Aktiviste për të drejtat e fëmijëve

Puhiza Shemsidini është vetëm 14-vjeçare, por ka 4 vite që ajo vazhdon të luftojë për të drejtat e fëmijëve dhe të vajzave. Ajo aktualisht është kryetare  e Asamblesë Komunale të Fëmijëve të Prizrenit, pasi beson fuqishëm se edukimi dhe vetëdijesimi i fëmijëve është shtysë përparimi për të gjithë shoqërinë.

Puhiza numëron shumë nga sukseset që kanë arritur deri tash, e që janë probleme që i shqetësojnë edhe të rriturit, përfshirë punësimin e psikologëve nëpër shkolla, ndalimin e shitjes së pijeve narkotike pranë objekteve shkollore, inkuadrimin e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në procesin mësimor, etj.

Ajo thotë se sikur të rriturit të dëgjonin më shumë zërin e fëmijëve, do të bindeshin se ata kanë shumë se çfarë të dëgjojnë.

 

Intervista e plotë:

  • A mund ta prezantosh veten?

Quhem Puhiza Shemsidini, jam 14 vjeçare. Të drejtat e fëmijëve dhe padrejtësitë më kanë brengosur qysh në një moshë të vogël kur isha 10 vjeç. Mirëpo, veprimet që i kam ndërmarrë kanë përfshirë një horizont jo shumë të gjerë. Klasa, rruga dhe shoqëria ime ishin ato që unë mund t’i ndikoja. Dy vite me vonë, Asambleja Komunale e Fëmijëve u bë ura lidhëse ndërmjet fëmijëve dhe institucioneve përgjegjëse. Tani unë jam kryetare e Asamblesë Komunale të Fëmijëve të Prizrenit, anëtare e grupit “ROR” si dhe përherë pjesëmarrëse e aktiviteteve  apo kampanjave që realizohen në kuadër të të drejtave të fëmijëve dhe të vajzave.

  • Cilat janë disa nga arritjet më të mëdha që i keni realizuar me Asamblenë Komunale të Fëmijëve?

Përmes AKF-së unë dhe të gjithë anëtarët kemi mësuar shumë. Ajo çfarë kam mësuar për një jetë të tërë nga Asambleja është të mos hesht asnjëherë. Frika dhe mos vetëbesimi nuk janë më pjesë e imja. Tani unë po të mundja do t’i flisja të gjithë botës pa mu trembur syri dhe t’ju bëja apel të gjithëve të na respektojnë të drejtat tona. AKF më ka mundësuar të jem një zë në media, të jem pjesë e takimeve me institucione dhe zyrtarë ligjorë, të njohim punën e tyre dhe kam mësuar se cili problem ku duhet të drejtohet. Kam kuptuar që edhe pse jemi fëmijë, së bashku si grup mund të arrijmë shumë. Si për shembull, punësimi i psikologëve nëpër shkolla, ndalimi i shitjes së pijeve narkotike pranë objekteve shkollore, inkuadrimi i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në procesin mësimor, formimi i këshillit të nxënësve në shkolla ku nuk ka funksionuar, janë vetëm disa çështjet që Asambleja jonë i ka zgjidhur.

  • Pse mendon se është e rëndësishme që edhe fëmijët të bëhen pjesë aktive e shoqërisë?

Nëse duam një vend të paqes, të suksesshëm dhe të drejtë, atëherë fëmijët dhe gjithë përfshirja e tyre duhet të jetë prioriteti  i shoqërisë. Ne jemi ngjyrat e botës dhe duhet të marrim pjesë në vendimmarrje lokale. Nëse do të na dëgjoni, do ta vëreni se kemi shumë për të folur.  Mos na shkatërroni ëndrrat nëse tuajat janë shkatërruar.

  • Pse është i rëndësishëm edukimi i fëmijëve, e sidomos i vajzave?

Edukimi jonë është i rëndësishëm sepse ne jemi ata që do ta udhëheqim këtë vend në të ardhmen. Diskriminimi nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë, vajzat meritojnë të gëzojnë çdo të drejtë si djemtë. Të gjithë keni qenë fëmijë dhe jeni të lindur dhe të edukuar nga një grua. A nuk është turp t’i përbuzni ato që po na zbardhin fytyrën anë e mbanë botës?.

  • Si do i inspiroje vajzat e moshës tënde dhe ato të çfarëdo moshe që të arrijnë synimet që i kanë në jetë?

Dua të ju them të gjitha vajzave që të fillojnë që tani, nuk është herët e as vonë. Ju mund të arrini shumë dhe askush nuk ka të drejtë t’jua mohojë aftësitë e juaja. Me vonë në jetë do ta falënderojmë veten për momentin që kemi filluar. Ti ke të drejtë të arsimohesh, të luash, të vishesh si ke dëshirë, të krijosh jetën tënde, të shfaqësh talentet tua, ti mund të bëhesh një inspirim për të gjithë botën. Mos ngurro, bashkëpuno, sepse jemi shumë vajza që do të të përkrahim.

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara