Rita Behadini/ Moderatore & aktiviste

Rita Behadini është moderatore në Televizionin Alsat të Maqedonisë së Veriut, por angazhimi i saj më i madh është si aktiviste e shoqërisë civile në Maqedoni.

Angazhimi i saj mbi të drejtat e njeriut, e veçanërisht të grave ka filluar shumë herët, por duke u aktivizuar më tepër gjatë fakultetit, ku edhe së bashku me disa studentë të tjerë formuan Klubin Feminist në universitetin ku studionin, e për ta vazhduar më pas angazhimin Qendrën për Mundësi të Barabarta (Center for Equal Opportunities),

E këshilla e saj është shumë e vlefshme:

“Atëherë kur gjithkush e shihte Ritën si një vajzë të vogël që është rritur në një fshat të vogël, dhe gjithkush më thoshte se unë nuk do mundem kurrë t’i realizoj ëndrrat e mia, unë ju thosha: “Do ta shihni”. I kam lënë të shohin tani derisa po i jetoj ëndrrat e mia. Përderisa unë e kam bërë, mundemi edhe ju. Duhet të bëhesh vetë ndryshimi që do të shohësh në shoqëri”.

 

Intervista e plotë:

  • A mund ta prezantosh veten?

Unë jam Rita Behadini, momentalisht punoj si moderatore e emisionit të mëngjesit “Ditë e Re” në televizionin Alsat të Maqedonisë së Veriut, ndonëse kam mbaruar studimet për Marketing dhe Menaxhment. Përveç punës që bëj tani, njerëzit më njohin edhe si aktiviste, meqë kam qenë pjesë e disa aksioneve guerile, aktiviteteve për të drejtat e grave dhe aksioneve humanitare, për shumicën prej të cilave kam qenë edhe iniciatore. Kohëve të fundit, meqë lufta me lajmet e rrejshme ka nevojë për përforcime, jam pjesë e portalit Mythbuster që merret me demistifikimin e të njëjtave.

 

  • Në çfarë moshe ke filluar aktivizmin dhe me çfarë po merresh aktualisht?

Që nga shkolla e mesme do kisha thënë, por i jam përkushtuar aktivizmit më tepër gjatë studimeve. Duke qenë vetë vajzë dhe duke parë “mungesat” e të drejtave dhe lirive, mendova që do të ishte e udhës të luftoj për vajzat që ndoshta nuk kanë mundësi kurrë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë atë që mendojnë se ju mungon. Puna ime si aktiviste për të drejtat e grave filloi me themelimin e “Klubit Feminist” që funksiononte në kuadër të universitetit në të cilin studioja. Pas studimeve, me ca miq të mi, e vazhduam kauzën tonë duke themeluar organizatën “Qendra për Mundësi të Barabarta” (Center for Equal Opportunities), dhe me të cilën po merremi aktualisht.

  • Cilat janë disa nga arritjet tuaja që i vlerësoni më së shumti?

“Klubi Feminist” ka qenë një ndër të parat organizata që nxori në pah problemet e grave në Maqedoninë e Veriut dhe paraqiti nevojën për luftë për barazi gjinore, andaj dhe jam shumë krenare që jam një ndër themeluesit e këtij klubi. Pastaj, edhe puna si gazetare në portalin informativ Portalb më ka mundësuar t’i luftoj dukuritë negative të shoqërisë tonë dhe të kem ndikim në ndryshimin e të njëjtave. Normalisht, puna që bëj tani si moderatore në Alsat, më jep fuqinë të jem çdo ditë para njerëzve dhe të bart te të njëjtët mesazhe dhe informacione që unë personalisht mendoj se duhet t’i barten publikut. Padyshim, prej të gjithave të lartpërmendurave, jam krenare për aktivitetet humanitare që kam arritur t’i organizojë. T’u gjendesh pranë njerëzve në nevojë të mbush shpirtin.

 

  • Sa është e vështirë të punosh e veprosh në një ambient dhe vend ku pos vajzë, je edhe pakicë kombëtare?

Është e vështirë, do gënjeja nëse do thosha që nuk është. Ajo që mua më ka bërë të vazhdoj punën dhe të mos ndalem kanë qenë pikërisht njerëzit që më kanë thënë se jam vajzë dhe se herët a vonë do të dorëzohem. Ne jetojmë në një vend ku jo gjithmonë ai që ka meritat merr lavdet, në një vend ku punëve të mira ju vendosen pengesa nga persona të ndryshëm. Unë nuk jam dorëzuar kurrë para pengesave, dhe as nuk merrem me pengesat por me mënyrën se si mund t’i tejkaloj. Nuk ju kam kushtuar kurrë rëndësi njerëzve që gjithmonë kanë pasur diçka negative për të thënë për punën time. Për aq kohë sa unë besoj se diçka është e drejtë dhe gjëja e duhur për t’u bërë, tjerat nuk kanë rëndësi. Të jesh vajzë pastaj në një vend të këtillë ka sfida plus, meqë “ti përfaqëson nderin e familjes tënde, përfaqëson jo vetëm veten por edhe mamin dhe babin tënd, gjithçka që ti bën është pasqyrë e familjes tënde”. Unë kam refuzuar të jem përfaqësuese e nderit të dikujt tjetër dhe kam përfaqësuar vetëm veten, andaj kam qenë e lirë të veproj. Kur nuk ke frikë, nuk ka limite.

Personalisht deri sot, ndoshta indirekt po, po direkt fakti që i përkas një nacionaliteti që është pakicë në këtë vend nuk ka pasur impakt, përkundrazi puna ime është duartrokitur edhe nga pala maqedonase dhe nga mediat maqedonase. Kam përshtypjen se është shumë zor të mos ju duartrokasësh punëve që kanë rezultat.

 

  • Tashmë po punoni edhe si moderatore. Cilat janë sfidat dhe të mirat e këtij profesioni?

Ashtu si çdo profesion tjetër të duhet të bësh shumë punë vetë, ke barrë të madhe mbi supe. Ke përgjegjësi për gjithçka që ti thua para publikut. Unë mundohem të bart vlerat dhe mendimet që i kam unë personalisht, mundohem të “bëj luftën time” edhe nëpërmjet emisionit për dukuritë negative. Më ra për hise edhe të punoj gjatë krizës së virusit korona, ku edhe natyra e punës ndryshoi plotësisht. Megjithatë, ka shumë të bukura brenda ky profesion, njerëzit e shumtë që takon, shembuj pozitiv të shoqërisë, puna me shumë njerëz e shumë të tjera që të bëjnë të zgjohesh e lumtur në mëngjes për të shkuar në punë.

  • Pse është i rëndësishëm edukimi i fëmijëve, e sidomos i vajzave?

Sepse aty fillon gjithçka. Edukimi i duhur i fëmijëve do t’i bëjë ata të mendojnë vetë dhe të mos marrin gjithçka siç ju servohet. Problemi më i madh me vajzat në vendin tonë është se të njëjtat nuk e dinë se janë të diskriminuara, nuk e dinë se veprimet dhe ngjarjet në jetën e tyre të përditshme janë diskriminim. Sipas meje, vajzat ende nuk e dinë se çfarë vendi meritojnë të kenë në shoqëri, dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e jo edukimit të duhur. Patjetër që vlen e njëjta edhe për djemtë, nëse duam të ecin përpara duhet të kemi një shoqëri, djem e vajza, të edukuar si duhet.

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që të arrijnë synimet që i kanë në jetë?

Mos dëgjoni çka thonë njerëzit përreth dhe mos lejoni që fakti se ata mendojnë se ju përfaqësoni jo vetëm veten por edhe nderin e burrit dhe familjes të ju ndalojë të bëni atë që mendoni se është e drejtë. Edhe nëse dështoni në diçka, ju përfaqësoni vetëm veten. Unë kam dashur vetë të bëhem shembull që t’i motivojë të tjerët. Atëherë kur gjithkush e shihte Ritën si një vajzë të vogël që është rritur në një fshat të vogël, dhe gjithkush më thoshte se unë nuk do mundem kurrë t’i realizoj ëndrrat e mia, unë ju thosha: “Do ta shihni”. I kam lënë të shohin tani derisa po i jetoj ëndrrat e mia. Përderisa unë e kam bërë, mundemi edhe ju. Duhet të bëhesh vetë ndryshimi që do të shohësh në shoqëri

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara