Mimoza Rraci/ Piktore

Mimoza Rraci është një piktore e re, por ndër më të talentuarat që ka Kosova. Përmes talentit e kreativitetit të vet, ajo po arrin që njerëzve t’ju përçojë pozitivitet e t’ju transmetojë emocione që vetëm arti mund t’i përcjellë.

Mimoza sidomos këtë kohë karantine e ka shfrytëzuar për t’i dhënë jetë shumë veprave të saj, të cilat i kanë mahnitur njerëzit dhe ua ka dëshmuar se e bukura dhe e veçanta ndodhet në çdo gjë.

 

Intervista e plotë

  • Kush është Mimoza?

Mimoza është një qytetare e thjeshtë e më shumë dëshira për të zbukuruar çdo gjë që sheh. Punoj për të kënaqur veten dhe për t’i gëzuar ata që e duan artin tim.

 

  • Prej ku ju ka buruar gjithë ky frymëzim për artin?

Unë frymëzohem nga një fjalë e thëne, nga një situatë e përjetuar, nga një gjendje a veprim i caktuar, saktësisht çdo gjë rreth meje është burim frymëzimi për mua.

  • Çfarë mëton të shfaqësh e prezantosh përmes veprave tua artistike?

Veprat e mia janë reflektim i qenies sime, me anë të tyre unë komunikoj me botën.

  • Cilat janë veprat më të veçanta që ke realizuar dhe çka paraqesin?

Çdo punim që bej ka një copëz shpirti dhe dashurie që unë e lë ne të, kështu që është e vështire të zgjedh disa prej tyre, secili punim është bërë në kohë dhe arsye të caktuar, e secili e ka vlerën e vet.

  • Cilat janë vështirësitë që hasin artistët në Kosovë, sidomos artistet gra?

Arti nuk ka gjini, ama e mbaj mend kur kam realizuar pikturat e para nudo sa shume jam paragjykuar e akuzuar që po përhapi imoralitet.

  • Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i vajzave/grave?

Ta zotërosh veten e te jesh ti i vetmi njeri që pyetesh për veten është e jashtëzakonshme si ndjenjë. Ndjenja e te mos qenit pronë e barrë e askujt është shumë e rëndësishme për gratë në Kosovë sepse vetëm kështu e dimë sa të vlefshme janë.

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që kanë pasion artin?

Arti është ndjenjë e nëse ti e do artin e nuk e realizon atë ti po e shtypë ndjenjën tënde. Jeto e realizo për vete e do ta shohësh sa shumë njerëz do ta duan punën tënde.

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara