Ada Halilaj/ Shkrimtare

Ada Halilaj është një shkrimtare e njohur nga Shkodra, shkrimet e së cilës u bënë udhërrëfyes për shumë vajza e gra që të nisnin realizimin e ëndrrave të tyre, por edhe të kërkonin të drejtat që u takojnë, e të bëhen zë për ato që kanë frikë të bëjnë një gjë të tillë.

Rrëfimet e saj janë të afërta me lexuesin, deri në pikën që bëhen një me të e u japin gojë e zë atyre që nuk kanë.

Ada nuk është nga ata shkrimtarë që synojnë ta kapin botën, por me shkrimet e saj, ajo futet në botën e çdo njeriu dhe u ndihmon atyre ta krijojnë një botë të tyre, ku kuptohen, përkrahen e nuk paragjykohen.

 

Intervista e plotë:

  • Kush është Ada?

Unë jam Ada Halilaj, 29 vjeç, e lindun dhe e rritun në Shkodër, aty ku kam lanë peng shpirtin me shumë mall brenda dhe e shkollume në Firence, Itali, aty ku mbeta gjithmonë mish i huaj në një vend të huaj. Jam një grua e thjeshtë, me një jetë të thjeshtë, me një histori të thjeshtë por me një mendje të vështirë, me zà të lartë e me sy jashtëzakonisht kureshtarë. Feministe, animaliste dhe njeri i shkrimit, sot punoj, shkruaj, jetoj midis poezisë, librave, maceve, udhëtimeve, dashnisë për lirinë, për librin, për fjalën dhe protestën duke lobu fort për feminizmin dhe të drejtat gjinore.

  • Prej ku ju ka buruar gjithë ky frymëzim për shkrimin?

Sinqerisht, nuk mbaj mend si ka ardh shkrimi te unë. Di vetëm që ka ardh, krejt natyrshëm, pa asnjë lloj edukimi apo indoktrinimi të jashtëm veçse si nevojë e vetes për veten.

Qysh e vogël kam zbulu të kem një lëkurë të hollë, një aftësi me ndi gjithçka trefish ma fuqishëm, një empati gatigati lënduese me dhimbjen e të tjerëve, një thirrje të pafrenueshme me iu afru historive njerëzore sidomos atyne ma të heshtunave dhe ndoshta shkrimi më ka shërby si formë vetëmbrojtjeje, si mënyrë kujdesi për veten, si një rrugë që të kthen në atdhe, si takimi me nanën, si diçka që m’i ban mirë shpirtit.

Kujtoj të kem shkru dikund që poezia për mu asht një kopsht i vogël ngushëllimi, një vend shërues për mendjen dhe luftën e saj.

Sot, fjala e shkrume, asht diçka që përtej mendjes, me asht fut edhe në trup, si një nevojë kapitale që s’mund ta shmang edhe nëse dua. Nuk jam ai njeriu mekanik, që ulet çdo ditë, me orar të caktum dhe mendim të qartë, përpara makinës së shkrimit, fletës së bardhë apo kompjuterit dhe e din mirë ça don me shkru, ça don me thanë. Unë personalisht frymëzimin e kuptoj si domosdoshmëri fizike me nxjerr fjalën prej heshtjes. Nëse nuk shkruj kur më vjen me shkru, më dhambin kockat, më ziejnë gishtat e trupi me duket sikur më peshon ma shumë se zakonisht. Por shkrimi, poezia ka kohën e vet. Nuk asht bamirësi. E kjo duhet kuptu e sidomos respektu!.

  • Çfarë mëton të shfaqësh e prezantosh përmes shkrimeve?

Asgja dhe gjithçka, njëkohësisht.

Kur shkruaj poezi shkruaj për veten dhe vetëm për veten, shkruaj për atë që ndjej, jo për atë që njoh. Kur shkruaj diçka ndryshe, dëshiroj me vra ndërgjegje, duke fillu nga e jemja.

Dëshiroj me komuniku, me ngrit pyetje, me vu në dyshim, me dialogu, me thanë mendimin tem, me përdor lirinë teme në mënyrën ma të mirë që di. Ama jam kokë e kambë e bindun për atë që nuk dua të shfaq ndërmjet shkrimeve të mia. Nuk shkruj me ble vëmendje, as me u ba shembull e as me imponu mendime. Nuk shkruj sepse mendoj që jam shkrimtare apo poete apo një njeri me talent të jashtëzakonshëm por sepse kam diçka me thanë dhe du me e thanë dhe e them pa u mendu dy herë. Nuk shkruj sepse du me shpëtu botën apo me ba me shpërthy revolucione por sepse para padrejtësisë dhe pabarazisë nuk di me ba sikur nuk shoh e sikur nuk më dhemb. Shkruj sepse akoma nuk e di si asht me u nda prej fjalëve e ia uroj vetes mos ta di kurrë.

  • Në fokus të shkrimeve tua shpeshherë janë gratë. Pse?

Gjithmonë kam mendu sikur brenda meje jetojnë qindra gra e sikur jeta që kam nuk asht realisht jeta jeme e parë. Por gjithçka besoj lidhet në mënyrë të pandreqshme me fëmininë. Kam pas fatin të rritem nga dy prindër shumë komunikues, sidomos nana jeme. Qysh se mbaj mend, kujtoj që nana jeme para se me fjetë nuk më lexonte përralla (nuk mendoj ta kem pa ndonjëherë duke lexu një libër), por më tregonte histori të vërteta. Historinë e saj jo pak të lehtë si grua e një kohe tjetër, historitë e grave të familjes, historitë e grave të fshatit dhe vështirësive ekonomike, sociale dhe psikologjike që kanë shënju jetën e saj po aq sa temen.

Nana jeme më ka dhanë diçka që vlen sa mijëra përralla bashkë: më ka thanë të vërtetën. Kështu, e etun për histori, kudo shkonim, unë në vend të lodrave me fëmijët e tjerë, doja patjetër me kenë pjesë e diskutimeve të të rritunve dhe prindërit e mi, të cilëve u jam mirënjohëse deri në palcë, s’më kanë ndalu asnjëherë këtë kureshtje.

Nga mosha 12 vjeçare, shkoja shpesh me pushime në fshat tek gjyshja e aty u ballafaqova me diçka edhe ma prekëse se historitë e nanës teme, me fenomenin e nuseve-fëmijë.

Kushërinat e mia dhe shoqet e tyne shkëputeshin nga shkolla menjëherë mbas mbarimit të 8-vjeçares (shpesh edhe ma herët), ndryheshin në rolet e punëve të shtëpisë dhe të fshatit duke prit durueshëm derisa një ditë si me  magji “fati” u trokiste në derë. Fati ishte një burrë i mirë, i një familjeje të mirë, me të cilin të martoheshin, të mbushnin shtëpinë, të shërbenin shtëpinë. Oborri ku zakonisht luanim bashkë, shumë shpejt u boshatis. Vajzat u banën nuse, u banën nana, dhe unë, as sot, nuk mundem me e shkul nga vetja zemërimin e atyne viteve… zemërim që vazhdon e më vlon në gjak. Vetëvetiu vajzat dhe gratë u shndërruan në diçka fort të dashtun për mu, sidomos sepse duke u rrit kuptova ça don me thanë me kenë grua në një vend thellësisht patriarkal, paragjykues dhe me mentalitet të ashpër si i joni.

Kuptova dhe pashë me sytë e mi, që gratë nuk trajtohen njësoj si burrat; që tradita fiton mbi ligjin; që abuzimi dhe dhuna ndaj grave asht i përditshëm por i padënushëm; që liria jonë asht me kushte dhe e të drejtat tona edhe pse ligjërisht të njoftuna, moralisht të pranume keq…

Shkruaj për gratë sepse shkrimi asht ndihma që mundem me ofru. Asht arma e vetme me të cilën luftoj. Sot shkruaj për gratë sepse jam grua vetë. Sepse ua njoh dhimbjen, sakrificat, frikën dhe forcën dhe sepse padrejtësitë me të cilat përballemi sistematikisht nuk

DUHET dhe nuk MUND të justifikohen ma me kultin e traditës por të shkëputen prej saj.

  • A mendon se ajo që lexohet në rrjete sociale mund të ndikojë drejtpërdrejt në edukimin e shoqërisë, e me këtë edhe në zhdukjen/thellimin e pabarazisë?

Rrjetet sociale janë të shumë të randsishme. Teknologjia asht shumë e randsishme. Dua që njerëzit të kuptojnë që bota e internetit nuk po na ban ma pak njerëz, as ma pak të mirë e as ma pak të meçëm.

Jena ne, si individ, me vullnetin tonë të plotë, që zgjedhim të jena ma pak njerëz, ma pak të mirë e ma pak të meçem. Dhe kjo ndodh sot në botën virtuale, ashtu sikurse ndodh në botën reale. Ky paragjykimi që gjithçka që lexohet në rrjetet sociale asht “mbeturinë” dhe kësisoj nuk mund të krahasohet me atë që lexohet apo transmetohet jashtë tyne, për mua asht absolutisht i padobishëm. Përkundrazi, ajo që shkruhet dhe lexohet në rrjetet sociale nuk asht aspak ndryshe nga ajo që lexohet dhe mësohet në shkollë, në familje, në komunitet. “Mësuesit” dhe “ nxanësit” janë po të njajtët, jena gjithmonë ne, si në banka, si në divan, si mbas një ekrani.

Rrjetet sociale janë një tavolinë gjigande komunikimi në të cilën besoj të gjithë duhet të kena karrigen tonë, vendin tonë. Na ban mirë me lëviz, me u ballafaqu, me dhanë e me marrë pa gjykime, klasifikime apo prirje superioriteti. Këtu informacioni asht shumë ma i madh, kufinjtë shumë ma të largët dhe mundësitë shumë ma të gjana. Përzgjedhja ban diferencën normalisht.

Rrjetet sociale janë ma të ndershme dhe ma të vërteta se televizioni, ma autentike dhe të pacensurueshme se gazetat, ma edukative se shumë programe artificiale. Rrjetet sociale janë ma shumë se llogaritë e Facebook-ut apo fotografitë e Instagramit. Rrjetet sociale janë komunitet, janë mundësi pune, frymëzimi dhe njohjese. E sidomos mbërrijnë kudo dhe tek kushdo, prandaj eliminojnë përjashtimet dhe diskriminimet e drejtëpërdrejta. Aty ku të gjithë mund të shkruajnë, të gjithë mund të flasin, aty të gjithë mund të ndihena të lirë me marrë dhe me refuzu atë që duam. Liria asht edukatë. Asht forcë. Asht zgjedhje. Asht reagim. Asht përgjegjësi. Prandaj, po, si në pikëpamjen personale dhe atë universale, rrjetet sociale ndikojnë mprehtësisht në edukimin e shoqërisë dhe në çështjet e barazisë duke na dhanë mundësinë me zgjedh, me pa, me mësu, si asnjëherë ma parë.

  • Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i vajzave/grave?

Vajzat dhe gratë janë përjashtu për shekuj, me dashje, nga shkollimi dhe puna jashtë shtëpisë. Ky përjashtim ka vra shumë andrra, mundësi dhe pasione me po të njajtin grusht që ka ndalu rreptësisht pjesëmarrjen dhe kontributin tonë intelektual në shoqëri

Deri vonë historia na ka njoft si anonime, si mollë sherri, si shërbëtore apo në rastin ma të mirë suksesi jonë asht konsideru si një mutacion i jashtëzakonshëm, si diçka jonatyrale, si dalje jashtë rreshtave. Askush, s’na ka vu asgja të gatshme në pjatë. Çdo e drejtë që gëzojmë sot si gra, asht rezultat i përpjekjeve, sakrificave dhe kambënguljes së pareshtun të qindra mijëra grave të tjera në rrugën e historisë, dhe jo prej ‘’ bujarisë’’ së burrave. Sot, ndërkohë që unë po shkruaj, dy e treta e njerëzve që nuk dinë shkrim e lexim në botë janë pikërisht gra. Ky fakt asht dëshpërues dhe indinjues në të njajtën kohë.

Shkollimi, zhvillimi dhe pavarësia e vajzave dhe grave, në mënyrë të barabartë me djemtë dhe burrat ,nuk asht vetëm “punë” e njenës palë por detyrë e të dyjave bashkë. Një grua e shkollume,një njeri i shkolluem, din. Një njeri i ditun asht thesar për botën. Një njeri që din, din edhe çka don prej jetes, prej vetes dhe prej të tjerëve. Një njeri që din ça don, asht i lirë e liria nuk e fal nënshtrimin, ngujimin apo padrejtësinë. Liria don dritë, don progres, don pavarësi.

Një grua e shkollume ka mundësinë me dal jashtë mureve të shtëpisë, me gjetë një punë për të cilën paguhet rregullisht dhe denjësisht, me luftu diskriminimin dhe me frymëzu shkollimin dhe zhvillimin e grave të tjera, me përmirësu jetën e saj, jetën e fëmijëve të saj, të familjes së saj.

Shkollimi çon drejtë e tek fitimi i pavarësisë, fillimisht pavarësisë së mendimit, shprehjes dhe vendimit e sidomos asaj ekonomike. Gratë e pavaruna ekonomikisht kanë një rrugëdalje. Kanë mundësinë faktike të ikin nga ambiente dhe marrëdhënie abuzive, pa frikën se s’kanë para mjaftueshëm për me pagu vetë një shtëpi, për me u ushqy, për me jetu vetëm, për me u ndi të sigurta. Gratë e pavaruna ekonomikisht, nuk kanë nevojë për një burrë por zgjedhin të kenë një burrë. Ndërsa, varësia ekonomike nga dikush tjetër, të detyron me duru, me u përshtat, me u shkel sepse jeta jashtë ‘’kushton’’ ma shumë se burgu brenda, kur nuk ke portofolin tand. Dhe kjo dhunë, dhuna ekonomike, asht e para dhunë me të cilën gratë duhet të bajnë llogaritë e jetës.

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që kanë pasion shkrimin?

Mëshojini fort të zezës mbi të bardhë vajza!

Prindërit kanë me ju thanë që shkrimi nuk çon askund, që nuk asht profesion. Partnerët tuaj nuk kanë me kuptu kurrë orët dhe përqendrimin tuaj fisnik para një flete të bardhë.

Përgatituni me u përball me një publik që vuan shumë nga analfabetizmi gjinor: pra din me lexu burrat por jo gratë. Shoqëria ka me prit prej jush poezi dashnie, të buta, feminile dhe shkrime të qeta mbi natyrën e qetë, mendime paqësore, pa gabime, pa pretendime por kur ju të bani zhurmë me fjalët tuaja kanë me provu me tana mënyrat me jua mbyll gojën e me jua fshi gjurmët.

Ju vazhdoni shkruani!

Luftoni me talent e me guxim.

Shkruani poezi, prozë, romane, artikuj, mendime, gjithçka.

Bani rrëmujë me fjalën tuaj, me të vërtetën tuaj, me imagjinatën tuaj!

Shkruani saktë o me gabime, me fjalë të thjeshta o me fjalë të vështira, veç shkruani.

Besojini vetes, gjithmonë.

Besojini instinktit tuaj dhe kujdesuni për andrrat sikur të ishin fëmijët tuaj.

Nuk keni për t’u ba milionere ndoshta, nuk keni për t’u thirr në emisione televizive, nuk keni me arrit mijëra ndjekës në Instagram e nuk keni me koleksionu çmime prestigjioze, apo ftesa promovimi por keni me fitu diçka ma të madhe se tana humbjet bashkë: pavarësinë dhe vetëbesimin.

Shkruani, shkruani, shkruani!

E kur t’ju lodhet njena dorë, mësoni me shkru me tjetrën!.

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara