Manushaqe Nura/ Ushtarake

Manushaqe Nura është ndër oficeret më të suksesshme në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për shumë njerëz Manushaqja tashmë është emër i njohur, pasi ajo i solli Kosovës dhjetëra shpërblime, që kanë  ndikuar jashtëzakonisht shumë jo vetëm në promovimin edhe emancipimin e grave, por edhe në ndryshimin e perceptimit për gratë në ushtri.

Në FSK Manushaqja shërben si oficere me gradën e kapitenit, dhe punon në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku shërben si Oficer Ndihmës i Komandantit të FSK-së.

Të gjitha këto suksese në profesionin e ushtarakes, që historikisht është dominuar nga burrat, ajo i ka arritur me këmbëngulje dhe dashuri të madhe për atdheun.

 

Intervista e plotë

  • Kush është Manushaqja?

Jam Manushaqe Nura, oficere në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Pas përfundimit të shkollës së mesme fillimisht kam përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake të FSK-së këtu në Prishtinë. Paralelisht me akademinë unë kam përfunduar edhe studimet bachelor në Rochester Institute of Technology, dega në Kosovë (ish-AUK) në drejtimin Teknologji Informative dhe Komunikim Grafik. Më pas jam përzgjedhur për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, ku kam diplomuar në vitin 2013. Shkollimit tim i shtoj edhe shumë trajnime të zhvillimit të karrierës të cilat i kam ndjekur në shtete të ndryshme të Evropës dhe në ShBA. Për shembull para pak kohësh jam kthyer nga një trajnim 6-mujor  për menaxhimin e burimeve  njerëzore në Shkollën e Agjutantëve në ShBA.

Gjatë shërbimit tim për 12 vjeçar si ushtarake kam shërbyer në pozita kyçe të niveleve të ndryshme të lidershipit brenda radhëve të FSK-së.

  • Çka ka qenë frymëzim jete për ju?

Përgjatë historikut tonë deri në shtetndërtim ne kemi pasur shumë figura  të shquara dhe njerëz që janë angazhuar me sinqeritet për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë, si dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Figurat si Fan Noli, motrat Qiriazi, Shotë Galica, Anton Qeta, e deri tek figurat e luftës së fundit, siç janë aktivistët e çështjes kombëtare dhe luftëtarët për çlirimin e Kosovës, sidomos ato gra, janë dhe do të jenë gjithmonë inspirim për mua.

  • Çka të shtyri t`i bashkohesh ushtrisë dhe si ka qenë procesi?

Kuptohet që dashuria për vendin dhe dëshira për ta mbrojtur atë sidomos nga rrezikuesit e jashtëm është një ndër motivuesit kryesorë që unë jam sot këtu. Procesi është zhvilluar me konkurs të hapur ku konkurrenca ka qenë mjaftë e lartë, por pas kalimit nëpër faza të ndryshme testimesh fatmirësisht unë dola një ndër dymbëdhjetë kandidatët që u pranuan, ku mund të them që edhe sot ndajmë një miqësi të përhershme mes vete.

  • Cila është grada juaj aktuale dhe cilat janë përgjegjësitë?

Në FSK shërbej si oficer me gradën e kapitenit. Momentalisht punoj në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku jam pjesë e stafit të kabinetit të komandantit të FSK-së. Aty shërbej si Oficer Ndihmës i Komandantit të FSK-së (në rrafshin ndërkombëtar kjo pozitë njihet si Aide de Camp).

  • Cilat janë disa nga të arriturat kryesore në karrierën tuaj ushtarake?

Gjatë karrierës sime besoj se kam arritur t`i reprezentoj gratë denjësisht duke dhënë gjithmonë maksimumin tim. Kam përfaqësuar FSK-në në nivel ndërkombëtar disa herë, ku gjithmonë jam kthyer me rezultate maksimale duke e vënë Kosovën në krye të listës. Këto për mua kanë qenë shumë me rëndësi për shkak që Kosova ka jashtëzakonisht shumë nevojë për emancipimin e gruas dhe për ngritjen e imazhit të shtetit në nivel ndërkombëtar. Për këto arritje jam shpërblyer me medalje dhe mirënjohje nga përfaqësuesit e shtetit, FSK, organizata vendore dhe nga figura dhe institucione ndërkombëtare. Disa prej arritjeve dhe mirënjohjeve janë Medalja Presidenciale e Meritave 2014, fituese  e garës ndërkombtare të ushtarit më të mirë në Kroaci, Medalja Diplomatike në ShBA,  Medalja e Artë në Garën Cambrian Patrol në Britani (Ekipore) etj.

  • Si ka ndryshuar ushtria në karakterin tuaj?

Këtë do ta përshkruaj me një  fjali: ushtria të kalitë, ndërsa thelbi mbetet i njëjtë. Thelbi i asaj se çfarë jam si karakter ka mbetur i njëjtë, për këtë arsye shumë arritje ia dedikoj edhe familjes sime. Ndërsa ushtria më ka kalitur, më ka fortësuar pikat që kanë pasur nevojë për zhvillim dhe ka ndihmuar shumë në pjekjen time si individ.

  • Nga përvoja personale, sa është sfiduese për gatë të jenë ushtare?

Profesioni i ushtarakes nuk duhet të konsiderohet sfidues për gra sa i përket anës tonë. Çka konsideroj si barrierë është skepticizmi i të tjerëve në raport me atë se sa mund të ia dalë një grua në këtë profesion. Ky skepticizëm në profesionet jo të zakonshme për gratë, shumë shpesh i ka lënë ato pa vendin që meritojnë. Sa i përket përvojës personale në FSK, e vërteta është që ia kam dalë mjaft mirë. Deri më tani kam gjetur përkrahje dhe më janë besuar detyra me rëndësi, por kuptohet që edhe angazhimi im ka qenë gjithmonë maksimal. Në këtë mënyrë besoj se kam arritur ta fitoj besimin dhe të hap rrugë edhe për gjeneratat që po vijnë. Gratë në Kosovë kanë barrierë edhe pritshmërinë kulturore ndaj tyre. Nga gratë pritet angazhim maksimal në punët e shtëpisë, prandaj puna në ushtri si një profesion shumë kërkues dhe puna në shtëpi po ashtu shumëkërkuese ndikon në performancën e gruas në vendin e punës.

  • A jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar ose më pak e vlerësuar vetëm për faktin se keni qenë grua?

Po, si në jetën private ashtu edhe në jetën profesionale. Këto raste kanë qenë nga individë që nuk janë të vetëdijesuar mbi trajtimin e barabartë të grave. Fakti që tendenca për diskriminim apo diskriminimi ka rrjedhur nga perceptime të gabuara të disa individëve dhe jo nga institucioni si tërësi, ka bërë që kjo të mos ndikojë fare në karrierën time deri më tani. Prandaj mendoj se të informuarit drejt me mundësitë që na takojnë ligjërisht dhe lufta për këto mundësi është shumë e rëndësishme për gratë që shërbejnë në profesione të dominuara nga burrat. Njësoj edhe në jetën private, mendoj që ne nuk duhet të humbim kohën tonë të vlefshme duke u marrë me paragjykimet e të tjerëve ndaj nesh, sepse nëse nuk u jep vëmendjen e duhur ato veniten me kalimin e kohës.

  • Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i grave?

Shkollimi mendoj se ndihmon në vetëdijesimin e tyre për rëndësinë që ato kanë në shoqëri dhe të drejtat që i gëzojnë si individ. Ndërsa,  pavarësimi ekonomik kontribuon shumë në luftën për këto të drejta sidomos kur ato nuk janë të garantuara nga palët tjera.

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që kanë pasion e që duan ta kenë profesion ushtrinë?

Sa i përket anës emocionale mund t’ju them që shërbimi ushtarak për mua ka qenë nderi më i madh jetësor. Unë jam shumë krenare që jam e thirrur që me jetë ta mbroj mëmëdhenë, sepse për mua nuk ka sakrificë më të madhe se vet jeta. E sa i përket anës se mundësisë për zhvillim, mund të them që FSK është një institucion në rritje dhe ofron mundësi të mëdha për shkollim dhe trajnime të ndryshme profesionale. Gjithçka që FSK kërkon të ofrojë këto kushte për ju, është që të jeni pjesë e saj dhe të jeni të përkushtuar sinqerisht ndaj profesionit. Një element tjetër shumë me rëndësi për t`iu bashkuar uniformës mendoj se është dashuria ndaj saj.

 

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara