Dijana Toska/ Veterane e gazetarisë

Dijana Toska është një emër i përveçëm në jetën publike e shoqërore në Kosovë dhe Maqedoni.

E edukuar në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, e hapur, kritike, direkte, me shumë ndjenjë për humor, me punën dhe formimin e saj, e armatosur intelektualisht me të gjitha këto vlera universale, ajo ka sjellë në shoqëri edhe modelen e veprimtares që prodhon ide dhe i bën ato pronë të gjithë shoqërisë.

Karriera e saj fillon me gazetarinë ku edhe u profilizua në një figurë me ndikim publik, shoqëror e intelektual, si autore dhe producente e debateve të shumta televizive.

 

Intervista e plotë:

  • A mund ta prezantoni veten?

Kam lindur në Shkup, në kryeqendrën e Dardanisë. Shkollën fillore e të mesme i kam kryer në Shkup, ndërsa Fakultetin Juridik dhe Avokatinë në Prishtinë, më 1984. Në karrierën time 36-vjeçare kam punuar gazetare, korrespodente, drejtore, producente e programeve politike dhe bashkëpunëtore e agjencive të ndryshme të lajmeve vendëse e ndërkombëtare, në Televizionin e Prishtinës dhe në Radio Televizionin e Kosovës, në VOA, Rilindje, Lajm, ligjëruese në Akademinë Policore në Vushtrri.

Përfaqësuese rajonale e KEN-Knowlegde Economy Network, me seli ne Bruksel dhe ICPE. Në Parlamentin e Maqedonisë aktualisht jam anëtare e Këshillit të Mbikëqyrjes Qytetare mbi Agjensionin Tekniko-Operativ nga fusha e mbrojtjes për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sigurisë dhe mbrojtjes .Themeluese e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”, Themeluese e Shoqatës “MY LIFE”, Kryetare e Bordit të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit në GJi, “JETA/VITA”, si dhe drejtore ekzekutive e OJQ-së, “Little People of Kosova”, e cila në vitin 2013 fitoi Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Autore e filmit të parë dokumentar në Kosovën e pasluftës “Lugina e dhembjes dhe e shpresës – Bllaca”. autore e librit, “Maqedonia në Gazetarinë Time”, pastaj autore dhe producente e “Himnit të Nënë Terezës”, autore e Pullës Postare dedikuar shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila fitoi çmimin e parë në botë në Itali. Ideatore dhe producente e Koncertit në Vatikan me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ambasadore e Paqes, veprimtare dhe lobiste e të drejtave të njeriut, fituese e shumë çmimeve dhe mirënjohjeve të ndryshme në botë për filantropi, autorësi dhe punë profesionale.

  • A keni pasur vështirësi gjatë shkollimit?

Fatkeqësisht, politika serbe e jugosllave në rrjedhën e viteve të ’80-ta të regjimit të tyre bënë ç’shqiptarizimin masiv të Shkupit dhe populli shqiptar u përjashtua nga ndërtimi i kësaj qendre diplomatike, politike, kulturore e akademike, edhe përkundër identitetit historik, gjeografik e kulturor. Historia e popullit shqiptar në këto troje u  shkrua  me masa represive, duke u trajtuar në vazhdimësi si rrezik demografik, gjeopolitik dhe strategjik, ndërkohë që ne mësuam se si të mbijetojmë, por jo edhe sesi të jetojmë.

Edhe pse përfundova shkollën e mesme me sukses të shkëlqyeshëm, dyert e Universitetit “Kiril e Metodi”, për mua e nxënësit shqiptarë ishte të mbyllura. Andaj, disa prej nesh që kishim mundësi u detyruam të studiojmë në Universitetin e Prishtinës dhe ta ndajmë fatin tonë me pjesën tjetër të kombit.

  • Cili ka qenë rrugëtimi juaj dhe avancimi në karrierë si grua?

Nisa më 1983 në TV-në e Maqedonisë, 1984 në TVP, 1990, TV Toska, 1994 VOA, 1999 në RTK, 2007  Lajm…

Në fillet e karrierës time u ballafaqova me turbulenca politike që nuk i kuptoja sa duhet, por që shkas kishin demonstratat e vitit 1981, të shpallura si kontrarevolucionare nga regjimi komunist i Jugosllavisë,e të cilat si studente i kisha përkrahur dhe luftuar për përmirësimin e kushteve të studentëve. Si gazetare e punësuar në TVM, vetëm pas një muaji punë u diferencova duke u shpallur nacionaliste nga LK e Maqedonisë. Në rrugëtimin tim prej gazetareje e me këtë anatemim mbi supe, më vonë në RTP, çdo veprim e raportim i imi ishte nën thjerrëz të partisë e bashkëpuntorëve të Serbisë, deri në okupim nga regjimi millosheviqian më 5 korrik të vitit 1990 kur u mbyll për shqiptarët. Në TVP kam punuar si gazetare duke raportuar për ngjarjet më të rëndësishme, kam realizuar me qindra emisione të drejtpërdrejta politiko-kulturore dhe emisione dokumentare. Pastaj, korenspodente e VOA-s nga Maqedonia, për t’u kthyer pas lufte menjëherë në RTK. Isha ligjëruese në Akademinë Policore në Vushtrri, drejtoreshë e gazetës Lajm dhe kam edhe bashkëpunime të shumta profesionale.

Kam pasur shumë ngritje e rënie në karrierë. Por, gjatë gjithë këtij rrugëtimi 36-vjeçar, asnjëherë nuk kam luftuar për titull apo avancim në karrierë, përveç përkushtimit të gjithhershëm që të informoj drejt e saktë opinionin. Jam e lumtur që kamë arritur besueshmërinë dhe ky është çmimi e mirënjohja më e bukur që e përjetoj në të gjitha trojet shqiptare kudo që shkoj.

  • Si kishit për ta përshkruar karrierën tuaj profesionale?

Karrierën time prej gazetareje e drejtuan fuqi të tjera, duke më shndërruar në një nomade, herë në atë anë, e herë në këtë anë të kufirit, por pa dëshirën time. Për një kohë relativisht të shkurtër u ngrita, mësova shumë gjëra që, ndoshta, nga ndonjë pozicion tjetër nuk do t’i kisha ditur. Mësova se ndonjëherë profesioni të bëhet barrë në jetë, por jo rrallë, pa problemet që t’i shkakton profesioni, nuk mund ta njohësh anën e padukshme të jetës. Thjesht, gazetaria për mua ishte dhe mbetet rreze rëntgeni, që depërton atje ku nuk mund të depërtojë syri i thjeshtë, ndonëse për këtë ajo paguan edhe çmimin e saj. Ndonjëherë më të lartë, e ndonjëherë, më të ulët. Unë pagova, dhe për këtë ndjehem krenare, shumë çmime në jetën profesionale të mospërkuljes para mentalitetit policor të një politike shtetërore, mentalitetit gjeneralësh të nëntokës  që nuk arritën të reformohen, në njërën anë, dhe, të ngritjes së dinjitetit profesional në kushtet e mospërfilljes së fjalës publike në Maqedoni dhe Kosovë, në anën tjetër.

U përpoqa të jetoj duke punuar dhe guxuar, duke provuar shumë gjëra dhe jam në paqe me vetveten dhe ndërgjegjen time, se jam e bekuar të jetoj me guxim. Shkupi dhe Prishtina gjatë gjithë kohës ngelën tek unë dy stacione, që i lidhë një fije e padukshme, dhe, sa më shumë që tentoj ta tërheqë atë fije, ajo bëhet edhe më e fortë dhe më e pashkëputshme. Asnjëherë nuk arrita ta kuptoj se dashuria për profesionin dhe përkushtimi për familjen i bashkonte këto dy qytetet, apo natyra ime kërkimtare provonte të nxirrte në pah dy anët e një trupi, që fuqishëm forconte zhvillimin tim ndër vite. Sido që të jetë, unë isha pjesë e sagës ballkanike që të gjithëve na bënte të qanim dhe të qeshnim, si dhe me lotët e zemërimit tonë gatuanim shpresat për një të nesërme më të mirë.

Libri ,“Maqedonia në gazetarinë time”, ndoshta ishte edhe një dëshirë në ndërdijen time për të lënë gjurmë për një lloj gazetarie të zhvilluar në një kohë vendimtare politike për popullin shqiptar, ku jo rrallë, raportet i tejkalonin primesat profesionale dhe anonin nga nacionalja, pastaj, kushtet në të cilat raportonim, të cilat mund të jenë të paimagjinueshme për kolegët e mi të kësaj kohe, ideali, guximi, dhe më kryesorja ndoshta, një përpjekje për të dëshmuar se, për një pjesë të gjeneratës sime, gazetaria ishte një dashuri me të cilën dhe për të cilën sfidohej e tërë qenia  njerëzore, intelektuale e kombëtare. Më duket se jemi gjenerata e fundit, që kemi punuar në këso kushtesh, të cilat do të jenë të paimagjinueshme për një brez të ri gazetarësh të shekullit 21.Unë pata atë lloj fati të punoj në dy sisteme krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, në atë komunist e në sistem demokratik në tranzicion, që kërkonin impenjim secila e më të rëndë, e secila në mënyrën e vet. U përpoqa që gazetarisë sime t’i jepja imazhin, shpirtin dhe përkushtimin tim, gjithçka që kisha investuar profesionalisht në tërë këto vite në personalitetin tim prej gazetareje.

  • Sa ka qenë e vështirë për ju si grua që të bëni punën e gazetares?

Anatomia nuk është fati i vajzës/gruas. Ne jemi të ndryshëm seksualisht, por të barabartë si njerëz. Gjinia nuk ka ndikime në karakterin e as në personalitetin e njeriut. Individualiteti social i njeriut nuk është i lidhur apo i kushtëzuar me atë seksual. Roli shoqëror i gruas nuk është i lidhur me gjininë, por me sistemin shoqëror. Çështja e seksizmit-diskriminimit të gjinive s’është asgjë tjetër veç racizëm. Gratë patjetër duhet ta kuptojnë se vlera e tyre qëndron mbi normat që i diktojnë burrat dhe sistemet injorante neokomuniste.

Prandaj, karriera ime në esencë nuk është zhvilluar në kontekstin e luftës mes gjinive, por duke luftuar për fitimin e të drejtave kombëtare. Se fundja, profesioni nuk njeh gjini, por vetëm profesionalizëm dhe përkushtim deri sa të shndërrohet në mision jetësor.

  • A jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar ose e rrezikuar?

Gazetaria më vuri në sprovë përballë pushtetit më 1990 në një gjendje të jashtëzakonshme e orë policore që ishte shpallur nga RSFJ. Në një debat televiziv me të gjithë udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, në përballje 4-orëshe live, si gruaja e vetme sy patrembur pata pyetur Rahman Morinën: “A ju vret ndërgjegjja për vrasjet që po ndodhin në Kosovë?”, edhe pse e dija që jashtë studios më priste sigurimi shtetëror i Serbisë, i cili kishte rrethuar TVP-në me tanke. Në opinion u mirëprita si heroinë, ndërkohë që serbët më kërcënonin me jetë dhe kërkonin burgosjen me arsyetimin se kamë provokuar pushtetin e Serbisë.

Pastaj, në vitin 1996 si korrespodente e VOA-s, sigurimi shtetëror i Maqedonisë ma mori akreditimin, me arsyetimin se kam punuar kundër interesave shtetërore, duke e thirrur popullin shqiptar në përkrahje të Universitetit të Tetovës. U kërcënova, u shantazhova dhe rrezikova jetën e gjithë familjes, ndërkohë që bisedat informative nga shërbimet e sigurimit shtetëror më detyruan ta lë punën si korespondente e VOA-s.

Në shtator të vitit 1999, në RTK realizova intervistën e parë paslufte me Presidentin Ibrahim Rugova. Disa komandantë pas lufte këtë nuk ma falën me arsyetimin meskin se e kisha ngjallur presidentin, ngase ata konsideronin që ai ishte një president i vdekur dhe se historia po fillonte ekskluzivisht me ta. Ndërkohë, që një grup i quajtur “Shqiponjat e Kuqe”, përmes një letre dërguar në zyrat e Presidencës, kishin kërkuar likuidimin tim dhe të disa kolegëve të tjerë, duke na shpallur “Rugovist”, përkatësisht “Tradhtarë”. Mi shpuan gomat e makinës, më shantazhuan e kërcënuan me vrasje, për çka u detyrova në prill të 2000 të largohem nga RTK.

Diskriminimet në krahasim me rrezikun nuk ja vlen as t’i përmend.

  • Duke pasur parasysh që keni impakt shoqëror e intelektual. Cila është familja e juaj?

Familja është foleja më e ngrohtë e gjithsecilit dhe lum ata që dinë ta vlerësojnë bukurinë jetësore që rrjedh nga ky gji i dashurisë dhe bekimit njerëzor.

Familja është pjesa më e bukur e jetës sime, më edukoi shëndetshëm në rininë time dhe ndikoi në pjekurinë time shpirtërore ,intelektuale e njerëzore. Kultura e komunikimit brenda përbrenda familjes të përmbushur me dashuri e bujari të mëson se bukuria e njeriut qëndron tek fjala, urtësia, thjeshtësia, e mbi të gjitha vendosmëria.

Një familje e shëndoshë e përparimtare, të edukon që të nisesh në rrugët e jetës me idenë se bota që na rrethon është refleksion i sjelljeve dhe prirjeve tona. Kjo aksiomë të shërben të bëhesh ekzemplar i vetëpërgjegjësisë, duke i shërbyer atyre kauzave që e bëjnë njeriun faktorin e ndryshimeve pozitive në shoqëri dhe që përcjellin traditën familjare brez pas brezi.

Familja ime është ajo që i dhuroj denjësisht tërë preokupimin e qenies sime.

  • Sa u ka ndihmuar në jetë gazetaria, për arritjen e qëllimeve qoftë personale, qoftë kombëtare?

Të jesh gazetare në rrethanat ku ne jetojmë e veprojmë është tejet e vështirë, sidomos të jesh e pavarur në aspektin partiak, klanor, financiar, fisnor, fetar, e rrjeteve banditeske, që vendosin për fatin e shumicës në Kosovë.

Fatkeqësisht, mediet sot janë shndërruar në zëdhënës dhe në profiterë të  pëlqimeve, duke afirmuar më shumë prapanicat e disa sex bombave dhe selfiet që bëjnë politikanët tanë vend e pavend, se sa vlerat e mirëfillta që ndodhin në shoqëri. Ndërkohë që, ambienti aspak fisnik i jetës sonë publike ka prodhuar marrëdhënie të këqija në mes të individit dhe institucioneve, dhe në këtë kontekst, gruaja shqiptare e ka vështirë të krijojë identitetin e vet profesional e krijues. Këto janë pengesa që hasen shpesh në Kosovë dhe pothuajse ndaj çdo projekti që lind me vetiniciativë dhe në mënyrë të pavarur. Pengesat bëhen edhe më të vështira atëherë kur ndonjë kryepartiak, lider, boss apo  institucion nuk e gjen interesin e tij personal apo pretendon ta kapitalizojë këtë iniciativë për interesa personale meskine.

Prandaj, për ta ruajtur pavarësinë time personale viteve të fundit po merrem me tema që humanizojnë shoqërinë shqiptare dhe mbrojnë pastërtinë time shpirtërore. Nga 2003 jam drejtore ekzekutive e OJQ-së, “Little People of Kosova”, me të cilën fituam çmimin e OKB/së për të drejtat e njeriut në vitin 2013, në NYC. Ndjehem në paqe me vetveten teksa punoj vullnetarisht për njerëzit me aftësi të kufizuara, për t’ua krijuar një jetë më të dinjitetshme dhe jam mirënjohëse që më është dhënë kjo mundësi me kënaqësi nga ana e tyre.

Pavarësia në punën time si gazetare më ka shkaktuar shumë dhembje e trishtim, por jam përpjekur të qëndroj vertikalisht dhe sfidat e jetës t’i sfidoj me guxim. Kam arritur të realizoj kohë pas kohe ndonjë qëllim, qoftë personal a kombëtar, falë qëndrueshmërisë dhe këmbëngulësisë sime.

Cili është çmimi i profesionit?

Jeta ime u soll mes shtetit tim të lindjes dhe atij të gjakut. E shndërruar në një nomade, herë në atë anë e, herë në këtë anë të kufirit, herë me dëshirë e herë herë pa dëshirën time, e detyruar nga barra e jetës që të godet ndonjëherë atëherë kur më së paku e pret. Pagova çmimin  e jetës në të dyja anët e kufirit dhe secila ishte më e dhimbshme se tjetra, ndonjëherë më e lartë e ndonjëherë, më e ulët, por e pagova, (dhe për këtë ndjehem krenare) çmimin e mospërkuljes para mentalitetit policor të një politike, që nuk arriti të reformohej, në njërën anë dhe, çmimin e lirisë së Kosovës, në anën tjetër.

  • Cilat janë takimet e juaja më të rëndësishme në profesionin tuaj si gazetare?

Pati takime profesionale e misionare, të cilat jo rrallë patën ndikim pozitiv në ngjarjet e përgjithshme politike e kombëtare. Presidentë shtetesh, Kryeministra, Diplomatë, Kardinalë, e personalitete të shquara…

Por, me kënaqësi rikujtoj porositë e miqve familjarë me të cilët pata fatin të bashkëpunoj e të kontribuoj për të mirën e përgjithshme. Presidentit Rugova, Fehmi Agani, Mahmut Bakalli, Asllan Fazliu, Veli Deva, Iljaz Kurteshi, pastaj aktivisten e madhe të përmasave botërore, Kristinë Von Khol. E ruaj me xhelozi porosinë impresionuese që mikja ime nga Vjena ma la viteve të ’90-ta si korenspodente e VOA-s: “Ti ndiqe lirinë që kaq shumë e do. Mos u ndal para kritikave, rrëmujave e ndërskamëseve, që t’i krijojnë ndonjëherë edhe ata që më së paku e pret. Përpiqu t’i sfidosh duke pasur gjithnjë në mendje se në beteja të rënda zhurmë bëjnë vetëm ata që mbeten në publik, e jo lojtarët. Këtë mos e harro kurrë, mikja ime”.
Nga intervistat do të veçoja për nga rëndësia e kohës kur janë zhvilluar. Intervista me Presidentin e fundit të RSFJ-së, Stipe Mesiç në Beograd, Rahman Morinën, Ibrahim Rugovën, Fadil Sulejmanin, Christine Von Kohl,  bashkëpunimin 10-vjeçar me Ambasadorin Gert Ahrens. Do t’i mbaj përjetësisht në kujtim intervistat me Tadeusz Mazowiecki nga OKB dhe Gjeneralin e NATO-s, Klaus Rejnhard, për porositë madhështore dhe reflektimin pozitiv që patën në opinion.

Dhe shumë e shumë të tjera…

  • Cila është vepra juaj më e madhe që keni bë me një qëllim të caktuar?

Himni i Nënës Terezë. Unë jam tejet e lumtur, që për herë të parë kombi shqiptar arriti që të nderojë veprën dhe jetën e Nënë Terezës. I paraprimë shenjtërimit të saj me fjalët e saj, në gjuhën e saj, të bashkuar si komb, si asnjëherë më parë. Ende jemi duke jetuar me famën e saj pa bërë përpjekje si komb për ta vazhduar rrugën e saj. Shoqëria shqiptare ka nevojë për humanizim dhe reflektim për të dëshmuar se jemi bijtë e shpirtit e gjakut të Nënës Terezë. Në vigjile të Shenjtërimit të Nënë Terezës organizuam koncertin në Vatikan me yjet shqiptare, i cili u përcoll me admirim nga 140 milionë shikues në mbarë botën. Ishte një manifestim i papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar.

Pulla postare dedikuar Shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila fitoi Çmimin e parë në botë, në Itali.

Më 2010, në selinë e OKB-së në NYC, me Little People of Kosova mbajtëm një ekspozitë ku shpalosëm edhe  Flamurin e Kosovës. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme ngase Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së dhe këtë “Flamur Historik” e ruaj me dashuri në shtëpinë time.

Janë shumë e shumë ngjarje sa historike e sa madhështore të realizuara në karrierën time profesionale. Por, kulminacioni është lufta në Kosovë dhe më pas realizimi i filmit të parë dokumentar, “Bllaca”.

  • Cilat janë karakteristikat e personalitetit tuaj si një grua e hekurt?

Ideali dhe Intuita. Njerëzimi është një etnitet unik i cili në vazhdimësi ka nevojë për zemrën e njeriut dhe ndërgjegjen e tij. Bota gjithmonë ka nevojë për impulse të reja morale që historikisht shikuar nuk kanë ardhur as nga xhamiat e as nga kishat, por nga idealistë nga mbarë bota që Zotin e kishin në ndërgjegjen e tyre dhe i shërbyen të mirës së njerëzimit pa egoizëm, por me altruizëm, si Luter King, Nelson Mendela, Gandi.

Ajnshtajni thoshte, nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mund ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Prandaj, pa një çik ideali në vete as nuk mund të ecësh para, e as nuk mund t’i shërbesh askujt, bile as familjes, shoqërisë, kombit, e aq më pak njerëzimit nga i cili rrjedh përgjegjësia morale e secilit individ me mendje të shëndoshë në këtë botë.

Ndërsa, intuita është një aftësi shpirtërore të cilës i besoj shumë dhe përpiqem vibrimet e saj t’i lexoj, t’i interpretoj, analizoj dhe aplikoj në përditshmërinë time jetësore. Intuita është porta magjike e fushëveprimit tim, e cila më shtyn të ec drejt qëllimit tim në jetë dhe t’i bëj realitet disa ide kreative nga ëndrrat e mia.

  • Mund të zbuloni misionin tuaj të ardhshëm?

Unë preferoj një mision shpirtëror, dashuri ndaj njeriut për njeriun, sidomos në këto kohëra kur teknika është shndërruar në alfa e omega të veprimit tonë ndërnjerëzor. Në kohën kur njeriu ka nevojë më së tepërmi për ngrohtësinë njerëzore, na imponohet ftohtësia e komunkimit virtual. Kjo më ka nxitur të mendoj pak më tepër se si ta humanizojmë jetën tonë, si ta bëjmë njerëzoren- substancën tonë të referimit etik e social.

Realizimi i filmit dokumentar kushtuar Nënë Terezës. Monografia kushtuar Himnit të Nënë Terezës dhe dorëshkrimi i dy librave që me vite po më presin t’i përfundoj.

  • Për fund?

Vazhdoj punën time përmes zërit të jetës time duke bashkëjetuar në bekim me guximin dhe besimin në njerëzimin.

Tani duke iu afruar fundit të karrierës profesionale, vazhdoj ta dëgjoj ritmin e zemrës  sime përmes poezisë së jetës sime. Nga trashigimia që më lanë prindërit e mi, kam blerë dhe ndjek lirinë time që aq shumë e dua. Vitet e mia po përpiqem t’i sfidoj duke iu dhuruar sa më shumë jetë hyjnore.

  


 

@AlbFem: Të gjitha të drejtat e rezervuara