Gjyla Çeliku\ Humaniste

Gjyla Çeliku ësht doktor shkence në fushën e politikës, dhe edhe përkundër përgatitjes së lartë profesionale, ajo punën më të madhe është që t’ju dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë, duke pasur në fokus fuqizimin e pozitës së grave në shoqëri.

Gjyla ka një rol të madh në grumbullimin e vajzave e grave shqiptare në formë reale e  virtuale, për ta ndihmuar njëra-tjetrën dhe pastaj, bashkë t’i ndihmojnë të tjerët.

 

Intervista e plotë:

A mund ta prezantoni veten dhe cilat janë disa nga të arriturat tuaja më të rëndësishme?

Kur shkruaj për veten e kam siklet, por pasi keni vendosur një iniciativë inspirimi në këtë kohë pandemie dhe veçanërisht ju VAJZA SHQIPTARE, unë do ta bëj me dëshirë sepse ju kam arsye kontributi, motiv dhe ardhmëri.

Jam doktor e shkencave politike në Universitetin e Tetovës, kryetare e shoqatës “International Women’s Club”, ku para gjashtë muajsh krijova edhe fondacionin “Shkollimi i Vajzave Shqiptare” nga i cili kam financuar disa vajza nga trojet shqiptare dhe tash në kohën e pandemisë kam shpërndarë 20 celularë smart shkaku i transferit të mësimit në online. Jam ambasadore në nje grup të madh vajzash e grash me shoqatën tonë , “Humanizmi Femrat Shqiptare Kudo Që Janë”.

• Ju shquheni edhe si humaniste dhe bashkë me grupin FSHKQJ keni ndihmuar shumë njerëz, prej tyre edhe gra. Cilat janë disa nga aktivitetet kryesore që i keni realizuar deri tash?

Ne kemi ndërtuar diku 15 shtëpi në trojet shqiptare, disa të sëmurë i kemi ndihmuar për shërim, disa humanistëve u kemi transferuar të holla, p.sh Elvis Naçit, Labit, së fundmi edhe në këtë kohë pandemie transferuam të holla në Qeverinë e Kosovës dhe gjithashtu edhe nje nëne vetëushqyese dhe strehimores në Prizren. Aty ndihmohen gratë shqiptare edhe me njëra-tjetrën me shumë mënyra që nuk i dimë as ne, por shoqërohen dhe ndihmohen.

Një pjesë e rëndësishme e përkushtimit tuaj i përket fuqizimit të grave, sidomos në politikë. Pse mendoni që është kaq i rëndësishëm roli i grave në politikë e shoqëri?

Sepse unë e dashuroj politikën, pasi e kam profesion dhe pasion dhe gratë i shoh të denja për këtë përgjegjësi, pasi ato nuk shiten, nuk blehen, nuk tradhtojnë, kanë moral dhe etikë. Përvoja me udhëheqësit burra, me shumicën, pa i futur të gjithë në një thes, është e shëmtuar nē trojet tona dhe e baltuar me tradhëti-krim-korrupsion, duke i dhënë imazhin e pisët edhe politikës. Politika në thelb është baza e shoqërisë sepse udhëheqësit e përgjegjshëm krijojnë shtet të fuqishëm me ekonomi stabile. Politika është humanizëm, t’i rregullosh dikujt jetën me një vend pune, ku ka urata dhe lumturi më të madhe? Në trojet shqiptare politika, luftërat, feja, u transferuan në biznese nga politikanët, aq sa sot janë milionera dhe popullin e harruan në mjerim dhe nje pjesë e përzurën në mërgim. Gratë do ta bëjnë ndryshimin duke mos u trembur nga politika, nga militantët partiakë, nga politikanët kriminelë dhe nga secilit që i pengon zëri i gruas, duke vazhduar kokën lart dhe me bindje të pastërta për një ardhmëri të shëndoshë.

• Sipas jush, a kanë shënuar progres trojet shqiptare sa i përket ngritjes së mentalitetit mbi edukimin e vajzave dhe grave?

Sa përket mentalitetit, ai ka ndryshuar por duhet akoma sepse vajzave përsëri pjesa me e madhe e familjeve shqiptare nuk ua ndan pjesën që u takon (hisen) dhe çdoherë u mungon siguria ekonomike, si bazë e cila i pengon në karrierë, por edhe me raste bëhen edhe viktima të dhunës sepse nuk kanë nga ia mbajnë.

• Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i vajzave/grave?

Shkollimi është fort i rëndësishëm sepse ua rrit vlerat njerëzore por edhe krijon bazë dhe pavarësi ekonomike. Uroj që vajzat e reja ta kenë prioritet shkollimin sepse unë sot jam këtu ku jam falë shkollimit, ambicieve dhe dashurisë për komb e atdhe, për t’i ndihmuar në rimëkëmbje nga vuajtjet e shkaktuara me shekuj.

Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që synojnë të nisin një karrierë në cilindo profesion?

Asnjëherë nuk është vonë për shkollim, kontribut dhe humanizëm, bile e them me shumë krenari bëjeni që tani që jeni duke lexuar reflektimin tim. Ju jeni të zgjuara dhe unë i besoj vlerës së vajzave e grave shqiptare. Nëse keni pasur dështime mos ndaloni, por dëshmojani dështimit që ju dini të fitoni. Nëse vuani nga komplekset e rrethit dhe shoqërisë, dëshmojani që ju jeni ndryshimi dhe që ndryshimi u ndihmon edhe atyre dhe gjeneratave të reja. Unë ju inspiroj dhe do t’ju përkrah sa herë që të jetë nevoja ashtu siç ju kam përkrahur deri sot sepse ne mundemi.

Vajzat e reja unë i kam inspirim dhe pres nga ato të bëjnë atë që unë nuk arrij ta bëj. Ju dua akoma më të forta se unë, më të shkolluara, më humane dhe më elegante, por duke ruajtur vlerat kombëtare dhe traditën.

Pandemia më mësoi që nuk duhet të ndalem asnjëherë sepse kontributi qenka madhështia e njeriut!

 

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara.