Entenela Ndrevataj/ Aktiviste

Entenela Ndrevataj është ndër aktivistet më të zëshme që ka Shqipëria. Ajo nuk i është ndarë protestave kundër padrejtësive që nga mosha 18 vjeçare, e me më së shumti pasion lufton për të drejtat e njerëzve, veçanërisht të grave.

Ajo thotë se mospranimi i rrethit patriarkal në të cilin ka jetuar e ka shtyrë atë të zhvillojë një zë të vetin, jo vetëm për veten, por edhe për çdo njeri tjetër që i mohohen të drejtat.

Për Entenelën, drejtësia do të vijë vetëm atëherë kur gratë të ndalojnë së heshturi dhe të fillojnë të kërkojnë zëshëm atë që ju takon.

 

Intervista e plotë: 

  • Kush është Entenela?

Unë quhem Entenela Ndrevataj dhe ma ka ëndja ta përcaktoj që në krye se jam aktiviste. Kam mbaruar studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës për Punë Sociale, dhe gëzoj një Master Shkencor në këtë fushë.

  • Në çfarë moshe e ke filluar aktivizmin dhe me çfarë po merresh aktualisht?

Do doja të ndaja shkurtimisht një copëz të jetës sime, që ka qenë vendimtare për vitet e mëpasshme. Në fund të vitit 1999, familjarisht, u shpërngulëm nga një qytet i veriut drejt një zone periferike të Tiranës. Sikurse familja ime, ishin edhe banorët e tjerë të asaj lagjeje, që gjithë çfarë kishin mbartur ishte varfëria dhe shpresa për një jetë më mirë. Vitet e para, veçanërisht, ishin shumë të vështira, pasi na u desh t’ia nisnim nga zeroja. Në lagjen time filloi veprimtarinë një fondacion dhe të gjithë banorët e asaj zone merrnim shërbime sociale dhe një vakt të ngrohtë tre ditë të javës. Kjo vazhdoi për vite me radhë dhe shpesh organizimet që bënte fondacioni, për ne fëmijët, ishin argëtimet e vetëm. Mendoj se vitet e fëmijërisë kanë shënjuar personalitetin tim.

Aktivizmi im saktësisht ka filluar në fillim të vitit të parë të universitetit dhe përkon me protestat e mëdha kundër armëve kimike, ku isha pjesërisht aktive. Atëherë isha 18 vjeç. Që prej atij momenti nuk i jam ndarë sheshit.

Aktualisht jam gazetare. Punoj pranë një organizate mediatike të quajtur Citizens Channel ku mbuloj tematikat që lidhem me të drejtat e njeriut  kryesisht.

Ju jeni aktualisht aktiviste e të drejtave të grave, çfarë ju ka shtyrë që të merreni kaq fort me këtë çështje?

Unë vij nga një mjedis shumë patriarkal, ku shtypja ka qenë në formë konstante. Sigurisht, më janë dashur shumë vite që të vetëdijesohem rreth saj. Pavarësisht përpjekjeve për t’u çliruar nga ky mjedis, jam qartësisht e përjashtuar nga e drejta e pronës në familjen time vetëm prej gjinisë, kam kufizime orari, më duhet të përballem me presionin për t’u martuar. Në një pozitë shumë më të keqe ndodhen pjesa dërrmuese e vajzave dhe gravë në Shqipëri. Ato privohen të drejtat themelore dhe përjetojnë dhunë në të gjitha format e saj; ekonomike, fizike, emocionale, seksuale dhe neglizhencë, e një shoqëri e tërë hesht.

Por unë para padrejtësisë e kam të pamundur të hesht! Kësisoj, flas për veten time, flas për shumë vajza që gjenden në dhunë të vazhdueshme, flas me shpresën se diçka do të ndryshojë. Shprehem sepse dua që viktimat ta dëgjojnë që nuk janë vetëm. Unë besoj se artikulimi i qartë i problemit është fillimi i ndryshimit.

  • Ku mendoni se qëndron problemi i pabarazisë me bazë gjinore në trojet shqiptare?

Problemi i pabarazisë i ka rrënjët shumë të thella. Kulturalisht, në Shqipëri djali është trashëgues, përcjellës i mbiemrit, kujdestar i prindërve në pleqëri, është shtylla e familjes. Njëkohësisht, djemtë dhe burrat sot e kësaj dite nuk pranojnë të heqin dorë nga privilegjet që patriarkati i jep. Ata nuk duhet të pastrojnë, nuk kanë pse kujdesen për fëmijët gjatë natës e gjatë ditës besa, mund të hyjnë dhe të dalin kur të duan, nuk ekziston një koncept për “nderin”  që u rëndon mbi shpinë sepse ata “lahen me një pikë ujë”. Detyra e tyre është të sjellin të ardhura në familje.

Njëkohësisht, në konceptin tim, gratë dhe vajzat në pamundësi për të thyer rregullat dhe normat gjinore që shpesh kanë pasoja deri në vrasjen e tyre, vendosin të bëhen palë me shtypësin, si mekanizëm mbrojtës. Ato shtypin dëshirën për të qenë të lira, besojnë se në “robëri” janë të lumtura e kësisoj u hakërrehen vajzave që guxojnë.

Mendoj po ashtu se në sistemin arsimor, si shtyllë për të emancipuar shoqërinë, është investuar shumë pak. Në kurrikul, në reformat arsimore. Unë jam e gjykimit që në të gjitha nivelet e arsimit në Shqipëri, duhet integruar barazia gjinore dhe jam e bindur se ka hapësirë.

Si shoqëri civile, po ashtu, duhet të kishim bërë më shumë. Organizimet zgjasin vetëm një ditë, nuk ka kërkesë llogari të mjaftueshme ndaj institucioneve, nuk ka mjaftueshëm zemërim. Mungon solidariteti dhe organizimi aftagjatë.

  • Sa mendoni që luan rol aktivizmi në edukimin e gjeneratave të reja sa i përket konceptit të barazisë gjinore?

Aktivizmin e shikoj si një faktor kyç në sjelljen e ndryshimeve shoqërore. Përmes aktivizmit mund të arrish të përçosh mesazhe të forta dhe të ushtrosh presion në hartimin e politikave që kanë në fokus barazinë gjinore. Shembujt e vajzave luftarake veçanërisht, që thyejnë stereotipe dhe luftojnë për një shoqëri më të mirë, janë esencialisht të nevojshme për gratë që përjetojnë çdo ditë dhunë, duke u kujtuar atyre se nuk janë vetëm. Ato ndikojnë edhe tek brezat e rinj. Teksa ofrojnë një tjetër këndvështrim rreth lirive individuale, i kujton shoqërisë dhe të rinjve se rolët gjinore janë konstrukte sociale, të ndërtuara nga vetë njeriu, e kësisoj, është krejt në rregull t’i refuzosh ato, duke zgjedhur vetë stilin e jetesës. Aktivizmi ofron modele të reja, ofron qasje tjetër dhe nxit mendimin kritik, që është thelbësore për një shoqëri demokratike.

  • Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i vajzave/grave?

Shkollimi është hapi i parë i shkëputjes prej roleve gjinore të kushtëzuara nga shoqëria. Kjo jo domosdoshmërish e çon procesin deri në fund, ka vajza që bien pre e presioneve të ndryshme dhe detyrohen të përshtaten me kushtëzimet shoqërore. Një sistem arsimor i dobët nuk i sfidon krejtësisht rolet, megjithatë materialet mësimore nxisin mendimin kritik, dhe kjo, siç e thashë më sipër është shumë e rëndësishme për individin dhe shoqërinë.

Shkollimi ofron gjasa më të larta për të pasur një karrierë dhe të ardhura të sigurta në fund të muajit për të përballuar shpenzimet. Varësia ekonomike është faktor që ndikon në zgjatjen e ciklit të dhunës. Të pashpresa, pa të ardhura, pa mbështetjen e familjes së origjinës, në mungesë të një shteti social, viktimat e dhunës në familje detyrohen të qëndrojnë me agresorin. Pavarësia ekonomike jep vetëbesim dhe vetëbesimi i shtyn njerëzit drejt vendimeve të sigurta dhe të matura.

Në rastin e vajzave dhe grave, shkollimi është jetësor. Duke marrë parasysh se vajzat përjashtohen nga e drejta e pronës, edukohen që të jenë të nënshtruara dhe me vetëbesim të cungët – mungesa e arsimit, e thellon më të tej problemin, krijon varësi të plotë, sepse mundësitë e një të ardhmjeje ekonomike të qëndrueshme minimizohen jashtëzakonisht. Njëkohësisht, ndërprerja e shkollës nënkupton që atyre u mohohet e drejta për të njohur më tej liritë bazë që i gëzojnë si qenie njerëzore, duke ndihmuar kështu në normalizimin dhe pranimin e dhunës si diçka “normale”.

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që synojnë të nxisin një karrierë në cilindo profesion?

Deri në vitin 2005 familja ime dhe jo vetëm, kemi pasur vazhdimisht probleme me energjinë elektrike. Duke marrë parasysh se babai ishte në emigrim, ishte mami ajo që ngjitej në shtyllën elektrike, kundrejt rrezikut që mbarte kjo gjë, dhe na e sillte dritën në shtëpi. Ajo gjithashtu rregullonte lavatriçe, vazhdon ta bëjë ende.

Me këtë dua të them se përcaktimi i profesioneve është po aq i stisur sa ngjyra e kaltër për djemte dhe  roza për vajzat. Bëjini lëmsh ngjyrat dhe profesionet dhe shkëlqe në atë që di të bësh më mirë. Nuk ka profesione për “burra” dhe “gra”, ka profesione për njeriun. Ajo çfarë duhet pasur gjithmonë parasysh; shkollimi duhet të jetë prioritet.

Çfarë do i thoje një vajze apo gruaje që momentalisht në një formë ose tjetrën po i shkelen të drejtat që i takojnë?

Ti nuk je vetëm. Në të njëjtën pozitë jam edhe unë. Si ne ka shumë të tjerat. Sidoqoftë, gjërat nuk do të jenë gjithmonë kaq të vështira. Ti nuk e meriton dhunën, askush nuk e meriton atë.

Por mos harro, nuk duhet të jesh kaq altruiste. Po, së pari duhet të mendosh për veten. Kushdo që lëndohet nga liria jote, nuk të do në mënyrë të shëndetshme, e kjo, edhe pse dhemb, duhet pranuar, si hap i parë për të sjellë ndryshimin.

Kultura dhe traditat e zonës, që të shtypin dhe diktojnë përditshmërinë, janë të vështira për t’u sfiduar, por duhet bërë, për hir të mirëqënies tënde mendore e fizike.

Mos ki frikë nga paragjykimet, në fund të fundit ata gjithnjë do e gjejnë diçka ku të kapen sepse ne jemi gra. Koncepti i nderit është krijuar për të pasur një motiv më shumë që të na paragjykojnë lirisht. Dhe sigurisht, jemi shoqëri e frustruar seksualisht, nuk është faji jot.

Ti je njeri dhe meriton trajtim me dinjitet prej kësaj, jo sepse je nënë dhe bashkëshorte. Ato janë zgjedhje që ti bën në jetë, mundesh fare mirë mos të duash fëmijë. Ose të mos martohesh.

Urtësia nuk është veçori për t’u mburrur. Zëri jot ka rëndësi kudo ku ti shkel, ndaj të lutem fol. Bërtit nëse është nevoja, por mos hesht. Jo kur të shtypen të drejtat, të lutem. Unë e besoj se bashkë do mund të sjellim ndryshimin që kaq shumë kemi nevojë por duhet të mos heshtim më!

 

@AlbFem. Të gjitha të drejtat e rezervuara.