Qemoran Toptani (1912-1981)

Qemoran Toptani (1912-1981) ishte kirurgia e parë shqiptare. Pasi kreu shkollimin në Vjenë dhe Romë, u kthye në Tiranë, ku u shqua si një ndër kirurget më të mira që shëruan të plagosurit e Luftës së Dytë Botërore.

Ajo ishte e bija e Fuatit, dy herë kryetar i Bashkisë së Tiranës, pjesëmarrës në Kongresin e Triestes (1913) dhe senator (1915), kjo pinjolle e njohur me emrin Doktoresha Lona dhe pjesë e asaj familje autoktone, lindi në Tiranë më 9 dhjetor 1912, ku bëri edhe shkollën fillore.
Arsimin e mesëm e kreu në Vjenë, ku banonte me familjen e saj, ndërsa arsimin e lartë në Romë. Në Tiranë u kthye menjëherë pas mbarimit të studimeve, ku punoi me detyrën e mjekes, duke u angazhuar njëherësh edhe në ndihmë të njerëzve të plagosur, me që ajo kohë përkonte me vitet e fundit të Luftës së dytë Botërore.
Pas çlirimit të vendit, Lona ishte mjeke e përgjithshme në Spitalin Civil të qytetit, ku shumë shpejt u dallua për vlerat dhe punën e saj. Për aftësitë e treguara, ra në sy të emrave të shquar të kirurgjisë së atëhershme, profesorit italian, Loci dhe mjekut të shquar shqiptar, Frederik Shiroka.
Edhe pse vetëm asistente, të gjitha operacionet që ju besuan asaj, ajo i kreu me sukses dhe për këtë fitoi besimin e plotë të personelit dhe të pacientëve. Pas vitit 1950, kur nevojat për mjekë ishin të mëdha, me detyrën e kirurges së parë, atë e transferojnë në Spitalin e Peshkopisë.
Lonën, historia e përcaktoi kështu si themeluesen e kirurgjisë për atë qytet dhe më gjerë për të gjithë zonën e Dibrës, ku përfshihej edhe Mati e Kukësi. Atje punoi, madje në kushte tepër të vështira, deri pa aparaturën e nevojshme dhe nganjëherë pa ndriçimin elektrik. Gjithnjë e suksesshme në kryerjen e operimeve të niveleve të ndryshme, kishte edhe një detyrë tjetër, që po ashtu e përballoi me mjaft rezultat. Lona përgatiti edhe kirurgët e rinj dibranë që do ta zëvendësonin atë. Pas dhjetë vjetësh, ajo u kthye përsëri në Tiranë, por këtë herë në Spitalin Gjinekologjik, përkrahë emrave të dëgjuar si Glozheni, Kosturi, Gjylbegu, etj. Edhe këtu, ajo përsëriti aftësitë dhe talentin e saj të kirurgut. Jo vetëm si një mjeshtre e bisturisë, por edhe si një edukatore dhe qytetare e kulturuar, Lona punoi shumë gjatë edhe në këtë institucion të rëndësishëm të shëndetësisë.
Kjo tiranase e shquar, dhe njëra nga gratë më intelektuale të kohës, mund të jetë mjekja e parë shqiptare grua, dhe, në mos qoftë tamam kështu, me siguri është kirurgia e parë. Për këtë, ajo jep një tjetër “rekord”.
Lona u nda nga jeta në moshën 69 vjeç, më 23 maj të vitit 1981. Për vlerat e gjithanëshme që kishte ajo, kolegët dhe pacientët e vet e mbajnë mend dhe e kujtojnë edhe sot.