Nexhmie Zaimi (1917-2003)

Nexhmie Zaimi u lind në Libohovë, Shqipëri në maj të vitit 1917 dhe vdiq 18 prill 2003, në Santa Barbara, Kaliforni). Ajo ishte një autore dhe gazetare dhe njihet si gazetarja e parë shqiptare që punoi për mediume prestigjioze si CNN  dhe Zëri i Amerikës.

Babai i saj kishte qenë zyrtar i lartë në qeverisnë osmane. Pos në Libohovë, Nexhmija jetoi edhe në Tiranë. Atje, bashkë me të vëllanë, Mehmetin, kishte ndjekur një shkollë amerikane të Kishës Protestane (Presbyterian). Ishte njëra ndër 6 vajzat shqiptare që atëherë vazhduan shkollimin e mesëm. Vazhdimi i kësaj shkolle ishte në kundërshtim me orientimet fetare të familjes, por Nexhmija në moshën 14 vjeçare e hodhi edhe shaminë (peçënë) që deshën familja t’ia venë në kokë.

Në moshën 16 vjeçare, atë e martuan, por kjo martesë nuk qe e suksesshme, sepse ajo nuk jetoi kurrë me burrin e saj, me të cilin familja e martoi kundër vullnetit. Pas vdekjes së nënës, Sherifes, Nexhmijes me ndihmën e Jesse Munges, protestane, që e kishte njohur nga shkollimi, iu mundësua shkuarja në SHBA në vitin 1937.

Në univeristetin Wellesleu, pasi përvetësoi gjuhën angleze filloi studimet me sukses të madh. Gjatë kësaj kohe botoi librin “Bija e shqiponjës”. Pas kësaj, ajo në univeristetin e Kolumbias u diplomua edhe për gazetari. U martua me administruesin e hoteleve Henry M.Margolis. Bashkëjetesa ishte e shkurtër, por nga kjo martesë në vitin 1943 i lindi djali Erik Skënderbeg Margolis, tash gazetar i njohur në Amerikë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Nexhmija në Itali u ndihmoi shumë refugjatëve në kuadër të Kryqit të Kuq, ku u nderua me mirënjohje të lartë. Nga viti 1950 e deri në vitin 1980, ajo pat role drejtuese në shumë organizata shqiptaro-amerikane. Më e rëndësishmja ishte puna që e bëri në ”Vatra” dhe bashkëpunoi me Abaz Kupin, Fan Nolin, Faik Konicën e të tjerë.

Gjatë karrierës së saj, ajo u bë emër në median amerikane, e sidomos në “Zëri i Amerikës”, CNN, ”Evropa e Lirë”, etj.

Gjatë punës së saj në gazetari, ajo bëri intervista me mbretin e Jordanisë Husein, me ate të Egjiptit Naser. Prej vitit 1950 e deri në vitin 1954 Nexhmija vizitoi dhe shkruajti artikuj për Palestinën, Pakistanin, Jordanin, Libanin, Egjiptin, Sirinë dhe për shtetët tjera arabe. Për këto vende ka shkruar në gazetën “Newark News”. Në vitin 1958 në Gjenevë ajo takohet edhe me mbretin Faruk, me prejardhje shqiptare, të Egjiptit. Punoi shumë, por e pengoi edhe sëmundja e glaukomas, që edhe nuk e lejoi t’i përmbledhte shkrimet e saj në vëllime të posaçme e as të vazhdonte me botimin e librave.

Prej vitit 1980, kur Nexhmija u verbua, ajo ndihmonte bashkëatdhetarët me përkthime nëpër gjyqe, por u ndihmoi edhe të tjerëve që kishin nevojë.

Vdiq në Santa Barbara të Kalifornisë në moshën 90 vjeçare.

Veprat

Veprat letrare e shkencore:

  • “Bija e shqiponjës”-1937,
  • Studimi “Madhësia e inatit arab” 1952

Dekorimet

  • “American Legion”nga Shoqëria Amerikane e Veteranëve të Luftës”,
  • “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë”
  • “Medaljen e Mirënjohjes”, nga presidenti i SHBA-së, Roosvelt.