Eliza Dushku (1980-)

Eliza Patricia Dushku u lind më 30 dhjetor 1980 në Boston, Massachusetts. Është një aktore amerikane me prejardhje shqiptare. U bë e njohur me rolin Faith në TV serinë Buffy dhe nga seriali televiziv Angel. Ajo ka luajtur në dy seriale të rrjetit Fox, Tru Calling dhe Dollhouse. Është gjithashtu e njohur dhe për rolet në filma si True Lies, The New Guy, Bring it On, Wrong Turn dhe Jay and Silent Bob Strike Back, gjithashtu dhe si dublante me zërin e saj për lojëra elektronike.

Dushku ka ndjekur shkollën Beaver Country Day dhe është diplomuar nga shkolla e mesme Watertown.

Dushku ndeshi në vëmendjen e agjentëve kur ishte 10 vjeç. Ajo u zgjodh pas një kërkimi pesë-mujor për rolin kryesor të Alice në filmin That Night. Në 1993, Dushku mori një rol si Pearl në krah të Robert De Niros dhe Leonardo DiCaprios në filmin This Boy’s Life, një rol që sipas saj i hapi shumë dyer. Vitin më pas ajo luajti rolin e vajzës adoleshente të Arnold Schwarzenegger dhe Jamie Lee Curtis në True Lies. Ajo kishte pjesë edhe në Bye Bye Love si vajza e Paul Reiser, si Cindy Johnson në Race the Sun, dhe role në një film televiziv dhe me metrazh të shkurtër.

Ajo është themeluesja dhe drejtuesja ekzekutive e Boston Diva Productions, shërben në grupin drejtues të organizatës THRIVEGulu (Qendra e Shërimit të Traumës dhe Reflektimit në Gulu), një organizatë kushtuar ndihmës së të mbijetuarve të luftës (përfshirë edhe fëmijë ushtarë) në Ugandën Veriore. Si një figurë model për aktivizmin e saj, u ftua nga Millenium Campus Network (MCN) si një folëse kryesore duke marrë çmimin Global Generation në krah edhe të Sekretarit të shtetit amerikan John Kerry në aktivitetet e MCN në 2011.

Performanca në Tru Calling i siguroi Dushkut dy nominime në vitin 2004 për ndarjen e çmimeve Teen Choice si Choice Breakout Star – Femër, dhe për çmimet Saturn, si aktorja më e mirë për një serial televiziv. Dushku u nominua në vitin 2009 për një çmim Scream, si aktorja më e mirë Shkencë-Trillim për rolin e saj si Echo. Ajo u quajt dhe Ambasadorja e programit Consumer Electronic Show Entertainment në tetor të vitit 2011.