Marie Logoreci (1920 -1988)

Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana”, etj. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor. Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira, në komedinë Tartufi të Molierit.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana, në vitin 1945, ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë, ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto, që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit).

Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretuese dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errëta.

Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, tek “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e komplotistëve tek “Komploti i të dënuarve”, Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te Hamleti, Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te Halili dhe Hajria, Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse.

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kinematografi sigurisht kanë pasur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interpretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, që ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”‘, te “Mara të Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.

Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.

Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit.