Ambasada e Suedisë në Kosovë i kushton artikull AlbFem-it

Projekti “AlbFem” nisi si një iniciativë për të luftuar pabarazinë gjinore në internet, dhe vetëm kur filloi implementimi, u pa se sa shumë kishte nevojë vendi ynë për një projekt të tillë, që do të na sillte në kujtesë kontributin e grave shqiptare, për të mos e harruar më kurrë.

 

Pas tetë muajsh ekzistence, Ambasada e Suedisë në Kosovë ka shfaqur përshtypjet e veta dhe mbështetjen për vazhdimin e punës së projektit “AlbFem”.

Ky është postimi i plotë i Ambasadës së Suedisë në Facebook:

“Nëntëdhjetë për qind e atyre që shtojnë përmbajtje në Wikipedia janë burra. Ka katër herë më shumë artikuj rreth burrave sesa grave. Suedia vendosi ta ndryshojë këtë përmes #WikiGap.

 

Deri më tani, 1600 pjesëmarrës në më shumë se 50 vende kanë redaktuar në Wikipedia 3000 artikuj në 30 gjuhë, në lidhje me figura/eksperte/modele grash në fusha të ndryshme.

 

Këtë vit, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, Kosova kishte WikiGap-in e vet. Një nga vajzat e reja që mori pjesë, Fatbardhë Kiqina, vendosi të vazhdojë të bëjë internetin më të barabartë në aspektin gjinor dhe pati idenë për të filluar një projekt të quajtur “AlbFem”. Së bashku me fotografien Anisa Rada, ato kanë krijuar një ueb faqe, një faqe në Facebook dhe një faqe në  Instagram, ku po shkruajnë artikuj dhe po publikojnë video rreth grave të shquara kosovare.

Deri më tani, Fatbardha ka shkruar 80 artikuj dhe Anisa ka bërë 5 video.

Synimi i tyre: 200 artikuj dhe 20 video.

Ato kanë filluar projektin në fund të pranverës dhe tashmë kanë më shumë se 8 000 ndjekës.

 

Ne mendojmë se është fantastike!”.

 

Për suksesin e arritur me AlbFem-in, u shpreh i kënaqur edhe implementuesi e WikiGap-it në Kosovë, KosovaLive.