Sot janë bërë 21 vite prej kur forcat serbe hynë me dhunë në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit dhe i morën burrin e katër djemtë e saj, për të mos i parë më kurrë të gjallë.
E historinë e rëndë të familjes së saj e rrëfeu nëna Ferdonije, e cila atë tmerr e kujton sikur të kishte ndodhur sot.
Në natën e 27 marsit të vitit 1999, forcat serbe kishin hyrë në shtëpinë e saj dhe kishin marrë burrin e saj, Halimin, si dhe katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin,.
Ajo po mbahet e fortë pas fjalëve të tyre, që kishin thënë se jetën do ta jepnin për lirinë e vendit.
Nuk gjen fjalë ta përshkruajë mallin e dhimbjen që peshon në supet e saj përgjatë këtyre vjetëve duke jetuar e vetme, e rrethuar me fotografi që ia mbajnë gjallë shpresën se një ditë do të gjenden edhe trupat e djalit Armendit, Ardianit dhe bashkëshortit.
Trupat e 2 djemve tjerë të saj Artanit, djalit të madh, dhe Edmondit të vogël, janë gjetur në lokacione të ndryshme në vitin 2005 në Kosovë.
Qerkezi thotë të jetë e zhgënjyer me punën e institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Më 27 mars 1999, forcat policore serbe kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e familjes Qerkezi, e, në sy të Ferdonijës, rrëmbyen 11 burra, në mesin e tyre katër djemtë dhe burrin e saj.
Djali më i vogël i saj ishte vetëm 14-vjeçar e burri 53.
20 vjet pas luftës, pos tyre, nuk dihet për fatin edhe të rreth 1,660 personave të tjerë të zhdukur.
Shtëpia e familjes Qerkezi ka mbetur një ndër dëshmitë më prekëse për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.