Shpresa Shala/ Drejtore e Arsimit në Komunën e Prishtinës

Shpresa Shala është drejtore e Arsimit në Komunën e Prishtinës, por lidhja e saj me arsimin ka nisur shumë më herët., ku kaloi 17 vite si mësimdhënëse, pastaj si drejtore e një shkolle, e tash si drejtore e Arsimit, pozitë të cilën e fitoi pa qenë asnjëherë pjesë e ndonjë partie politike.

Ajo thotë se barazia në familje dhe qasja e barabartë në arsim, i ka dhënë krahë suksesit të saj, andaj thotë se sukseset arrihen vetëm duke mos hequr dorë nga ëndrrat dhe duke punuar për to.

 

Intervista e plotë:

  • A mund ta prezantoni veten?

Jam Shpresa Shala, jam e martuar dhe nënë e tre fëmijëve; vij nga Peja dhe jetoj në Prishtinë.  Kam përfunduar Fakultetin e Historisë në UP dhe Masterin në Menaxhment të Përgjithshëm.

 

  • Cili ka qenë rrugëtimi juaj deri tek shkollimi dhe avancimi në karrierë? A keni pasur vështirësi gjatë shkollimit?

Fakultetin e kam kryer në vitet e 90-ta jashtë institucioneve, në shtëpi private, por për asnjë moment nuk kemi humbur motivin dhe vullnetin për studiuar, duke e parë zgjidhjen e vetme për të dal nga okupimi serb.

Karriera ime ka filluar si mësimdhënëse për 17 vite në zona urbane dhe rurale duke qenë shumë aktive edhe me aktivitete të ndryshme për shkollën dhe nxënësit. Pas përfundimit të shumë trajnimeve dhe avancimit tim profesional kam aplikuar dhe jam përzgjedhur si drejtore në SHFMU “Xhemail Mustafa” në Prishtinë. Për  tri vite e gjysmë kam qenë Drejtore e kësaj shkolle.

Pas ofertës për të udhëhequr drejtorinë e arsimit në komunën e Prishtinës edhe pse nuk kam qenë pjesë e asnjë partie politike, unë kam kaluar në pozitën e Drejtores së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

 

  • Cila është përgjegjësia/puna që e mbani momentalisht?

Jam Drejtore e Arsimit në Komunën e Prishtinës; drejtoria që unë udhëheq  menaxhon 63 institucione publike: nga kopshtet, shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta, d.m.th. të gjithë arsimin para universitar.

 

  • Më herët keni qenë drejtoreshë e një shkolle, cila është vështirësia e arsimimit të gjeneratave të reja të nxënësve?

Vështirësitë e shkollimit të gjeneratave të reja janë të ndryshme. Fillimisht reformat të njëpasnjëshme; herë të menduara mirë e herë jo, duke u përpjekur që të emitojmë sisteme të avancuara të arsimit të shteteve të zhvilluara dhe jo shumë herë të përshtatshme me rrethanat tona. Për mua është shumë shqetësuese të menduarit për arritje individuale dhe jo ekipore, që fatkeqësisht është duke u mbjell tek gjeneratat e reja, si rrjedhojë e kësaj fillojnë edhe dukuritë negative siç është edhe problemi i bulizmit dhe më pas shumë dukuri tjera negative. Mungesa e përkrahjes për të arritur qëllimin kryesor e që është nxënësi i mileniumit të ri, ne dimë se tani jemi duke jetuar në mileniumin e ri dhe nevojat, kërkesat e nxënësve janë më të ndryshme, ngase ata tani janë duke u rritur në frymën e teknologjisë dhe mendësia e tyre nuk përkon më me të mësuarit mekanik, por logjik.

  • A jeni ndjerë ose a jeni diskriminuar ndonjëherë mbi bazë gjinore?

Tradicionalisht në shoqërinë kosovare, gruaja është ndjerë e nënvlerësuar në aftësitë profesionale të udhëheqjes. Gruaja e shekullit 21, tani nuk është vetëm pjesë e shoqërisë në fushën e arsimit vetëm si edukatore, që mësimdhënien ta marrin vetëm si obligim për të shkolluar brezat e rinj si djemtë ashtu edhe vajzat, por tani ndryshimi qëndron se po e njëjta grua e shekullit të kaluar mund të bëjë më shumë se që ka bërë deri tani.

Në familjen time jemi edukuar dhe arsimuar barabartë me vëllezërit e mi dhe këtë trajtim e kam pasur edhe nga bashkëshorti fatbardhësisht dhe po në të njëjtën frymë i kemi edukuar edhe fëmijët tanë.

Duke pasur parasysh këtë fakt, unë isha e lirë që të jap kontributin tim aty ku kërkohej, asnjëherë nuk jam ndjerë jo e vlefshme profesionalisht. Dëshira e madhe për të bërë ndryshime pozitive në fushën e arsimit, më ndihmoi që t’i injoroj edhe paragjykimet e mundshme në ndonjë rast eventual. Andaj, do të bëja thirrje, që nëse e doni punën tuaj, mënjanoni dhe injoroni çdo pengesë që mund ta hasni rrugës, pasi që ju siguroj se do të ketë edhe të tilla.

 

  • Pse mendoni se është i rëndësishëm shkollimi dhe pavarësimi ekonomik i vajzave/grave?

Duke u shkolluar, ne do ta ndihmojmë zhvillimin ekonomik, duke pasur një pune të dinjitetshme dhe të vlerësuar.

Një grua e shkolluar ka familje të shëndoshë si dhe ka mundësinë që të inkurajojë fëmijët e saj që të marrin arsimin e duhur, që në të ardhmen të arrijnë qëllimet e tyre për të ndihmuar shtetin në zhvillim dhe të jetojë në një shoqëri, e cila është aktive dhe e arsimuar.

Një grua e shkolluar, një shtëpi e arsimuar, një shtet i zhvilluar!

 

  • Si do i inspiroje vajzat dhe gratë e çfarëdo moshe që t’i arrijnë synimet që i kanë në jetë?

Nëse keni një ëndërr apo një qëllim, mos pushoni së ëndërruari, punoni me gjithë forcën tuaj që ta realizoni atë ëndërr, sepse vetëm me punë dhe përkushtim mund të arrihet çdo qëllim në jetë.