Nazmie Hoxha (1952-2007)

Nazmie Hoxha u lind më 25 tetor të vitit 1952, në Gjonaj të Hasit të Prizrenit, kurse vdiq më 5 maj 2007, në Prishtinë.

Nazmia ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000.

Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira, kishte filluar ta realizonte edhe dëshirën fëminore për të interpretuar.

Aty ishte futur në Shoqërinë Kulturoro-Artistike të qytetit dhe kishte filluar karrierën e saj të bujshme e shumë të suksesshme.

Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia ishte paraqitur para publikut në një koncert në Prishtinë. Që nga atëherë, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektivë dhe me këtë i ishin hapur dyert për incizimin e këngëve të saj në RTP.

Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur, ishin edhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”.

Me kalimin kohës bënë incizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë, si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit, por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 ishte pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu, Nazmia mori pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.

Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë: “Si dukat i vogel je” dhe “Oj zogo”, si dhe disa të tjera.

Nazmie Hoxha vdiq në moshën 55-vjeçare, më 5 maj të vitit 2007 dhe eshtrat e saj prehen në Prishtinë.