Luçie Miloti (1930-2006)

Luçie Miloti u lind në Shkodër, më 11 maj të vitit 1930, në një familje me traditë muzikore. Për herë të parë doli në skenë në moshën 12-vjeçare, ku çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin, etj. Rruga e saj artistike nisi në Radion e Shkodrës dhe më pas u angazhua në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prêng Jakovës.

Karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare, filloi në moshën 16-vjeçare. Në vitin 1946 u transferua në Tiranë dhe kjo e afroi me jetën artistike kryeqytetase. Fillimisht u emërua soliste në Radio Tirana dhe vetëm një vit më pas u bë soliste në filarmoninë shqiptare. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Pavlin Pali.

Në repertorin e saj artistik numërohen rreth 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka performuar në mbarë vendin dhe në skenat e huaja. Luçie Miloti, gjatë karrierës së saj artistike, ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, në fillim si soliste e Filarmonisë Shqiptare dhe në vazhdim si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Është vlerësuar me çmime dhe është cilësuar si zëri i rrallë i Ballkanit, “Bilbili me zë kristalor”. Ajo është një fenomen i rrallë, që do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave, që e duan dhe e adhurojnë këngën popullore”. Ajo në karrierën e saj arriti deri te titujt e lartë: “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe”.

Disa kompozime dedikuar kësaj artisteje janë: kënga nga Pjetër Gaci, “Qytetit tim”, Rud Gurashi, këngën: “Shpend ma i parë i bukurisë”, Zef Leka, me këngën: “Synin tand larush moj çike”, të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: “Zani yt, na sjell pranverë”, të kënduar nga Meri Zefi.

Në repertorin artistik numërohen 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj., ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës.

Në karrierën e saj, Luçie Miloti ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe në skenat e shumë kryeqyteteve të Ballkanit, madje edhe të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtre e madhe” nga ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës mban emrin Luçie Miloti në nder të këngëtares së mirënjohur.

Luçie Miloti ndërroi jetë nga një sëmundje më 15 maj të vitit 2006, pak ditë pasi mbushi 76 vjeç.