Hida Halimi (1948-2012)

Hida Halimi është romancierja e parë në Kosovë, e njohur me romanin “Ai që nuk ishte Fidia”.

Ajo u lind në Radac të Pejës në vitin 1948. Ka botuar librat “Vendlindjen ma zgjodhe ti” (1993), “Ai që nuk ishte Fidia” (roman, 1995), “Njeriu im” (roman 1997), “Bijtë e Njeriut” (dramë, 2001), “Tri medaljonet e Franc Ferdinandit” (dramë, 2001), “Ato letra i shkrova vet” (novela dhe tregime, 2007). Romani “Njeriu im” është botuar në frëngjisht nga shtëpia botuese Publibook në Paris me titullin “Tu marcheras derrière ton ombre” (2007).

Libri i saj i fundit “Shpina”, mbeti i pabotuar nga autorja, e nën përkujdesjen e familjes së saj, ky material iu dorëzua shtëpisë botuese “OMBra GVG”, që e botoi atë në vitin 2012. Në Panairin e librit- Tirana 2013, Hida Halimit iu nda çmimi “In memoriam”.

Halimi, përveç aktivitetit të saj në letërsi, ajo ishte me profesion juriste dhe për shumë vjet punoi në jurisprudencën e botës së jashtme, kjo e bëri atë që një pjesë të madhe të jetës së saj ta kalonte e angazhuar si mbrojtëse e drejtave të njeriut. Halimi, shpesh e ka artikuluar brengën e saj në lidhje me shoqërinë kosovare në tranzicionin e pas luftës dhe kjo bëri që ajo kohë pas kohe të kontribuonte me shkrime editoriale në gazetat e ndryshme ditore.