Elvira Diamanti (1962-)

Elvira Diamanti është aktore e mirënjohur shqiptare. U lind në Tiranë, më 30 nëntor të vitit 1962. Është aktore e njohur e teatrit dhe kinemasë. Roli i saj më i spikatur mbetet ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”.

Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, më 1986 filloi punë si aktore në Teatrin Popullor.

Interpretoi kryesisht role me kahje pozitive, vajza romantike e të dashuruara, jo rralleherë edhe me fund dramatik a tragjik. Ajo mundi të japë në skenë tronditjen që vinte prej baladës ngjethëse të oralit shqiptar, “Kostandinit dhe Dhoqinës”, në inskenimin e novelës “Kush e solli Doruntinen” të Ismail Kadaresë (1988). Dy vjet me vonë i dha jetë një personazhi tjetër kompleks, Margarites, që vinte sëriah nga një tjetër novelë e Ismail Kadaresë, Natë me hënë (1990), ku spikati për emocionalitetin poetik dhe kthjelltësinë e aktrimit të saj në figurën e krijuar.

Diamanti ka luajtur me sukses edhe në 12 filma. La mbresa të forta me rolin e Marigosë te Përrallë nga e kaluara (1987). Në vitet 2000-2007 ishte drejtore e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Tiranë. Pas një periudhe të shkurtër pune në Presidencë, drejton prej vitesh Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku edhe falë punës së saj janë restauruar një sërë filmash e dokumentarësh me fonde kryesisht të huaja, por edhe shqiptare.