Drita Pelingu (1926-2013)

Drita Pelingu u lind më 3 dhjetor të vitit 1926, në Vlorë. Ajo ishte një nga aktoret më të shquara të skenës shqiptare, regjisore dhe pedagoge.

Kreu shkollën e femrave, “Nana Mbretneshë”, në vitin 1944 dhe më pas vazhdoi shkollën e artit, “Jordan Misja” për teatër, ku ishte e vetmja vajzë.

Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar, në vitin 1946. Nga viti 1976 ka dhënë mësim mbi artin skenik në Akademinë e Arteve. Në vitin 1982 bëri debutimin në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës, si regjisore me dramën “Pavdekësia”.

Disa nga komeditë dhe dramat e para ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. “Rrëshqitja”, “Arturo Ui”, “I çuditshmi”, “Zonja e Bujtinës”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Artani”, etj.

Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek “Tana” (1958), e më pas tek “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, ku interpretoi rolin e Budës, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa”, etj.

Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 150 role, ndër të cilët më shumë se gjysma janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore.

Si një nga themelueset e Teatrit Kombëtar, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe si autore e shumë botimeve biografike për artistë të skenës shqiptare.

Për kontributet e saj të veçanta, Drita Pelingut iu akordua nga Presidenti i Republikës urdhri “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë.

Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si Qytetare Nderi të Vlorës dhe presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.

Drita Pelingu vdiq më 2 tetor të vitit 2013, në Tiranë.