Marigo Pozio (1882-1932)

Marigo Pozio u lind në Korçë, më 2 shkurt të vitit 1882.
Ishte e bija e Papakosta Poçit dhe Lenka Ballaurit, me origjinë nga Voskopoja.

Marigoja u martua me Jovan Pozion nga Hoçishti i Devollit.
Familja u vendos më vonë me banim në Vlorë. Marigo lindi tri vajza, Evridhiqin, Fereniqin dhe Lirinë.

Marigoja ishte ideuesja dhe krijuesja e flamurit kombëtar shqiptar. Sipas Zhaneta Poçit, mbesa e Marigo Pozios, Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ia dha Ismail Qemalit. Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.

Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë, një vend të rëndësishëm ndër ata që iu përkushtuan çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi, ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe dhe nëna e kombit, siç e quanin bashkëkohësit Marigo Pozion.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe. Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol, duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002).
Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese, duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar. Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Pandeli Cale, Ceno Sharra. Jani Minga e Mihal Grameno, e kishin si shtëpinë e tyre dhe se nuk kanë kursyer asgjë për atdheun.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo luftoi për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arriti qëllimit në muajin mars të vitit 1914, duke themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botërore e paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare, dhe për këtë arsye, më 23 janar të vitit 1921, rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate, duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të gazetës “Shpresa e Kombit”, gazeta e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes i të gjitha grave dhe vajzave, të cilat me bindjet e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike, si dhe shkollimin dhe lartësimin e gruas shqiptare.
Vajzat e saj, Evridhiqi dhe Fereniqi, të shkolluara në SHBA, ishin redaktore të kësaj gazete dhe gjithashtu ishin edhe anëtare dhe merrnin pjesë në orkestrinën që kishte krijuar grupi “Labëria”.

Vajza e tyre Fereniqi dha një ndihmesë të rëndësishme për emancipimin e gruas shqiptare, shkroi me mjaft sukses në gazetat “Mbrojtja Kombëtare” dhe “Shpresa e Kombit”. Kurse, djali i saj, Vaso, radhitej ndër artistët e parë vlonjatë që organizuan shfaqjen e parë teatrale në këtë qytet me dramën historike, “Vdekja e Pirros”, të Mihal Gramenos, në të cilën ai luajti rolin e Aleksandrit.

Në motivacionin e dekorimit të parë, më 7 Mars 1960, pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.

Marigoja e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko-patriotik dhe kulturor, “Labëria”, si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës, e vitit 1920.

Po kështu, Marigoja shkruante dhe botonte në shtypin e kohës edhe poezi, si për shembull, kushtuar Avni Rrustemit.

Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia mori të tre fëmijët dhe vetë ajo u sëmur nga po e njëjta sëmundje. Në gusht të vitit 1932, ajo ndërroi jetë.

Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja, falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj, Violeta Posio, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota.