Inva Mula (1963-)

Inva Mula është këngëtare soprano shqiptare me famë ndërkombëtare. U lind në Tiranë, më 27 qershor të vitit 1963. Babai i saj, Avni Mula shqiptar nga Gjakova dhe nëna Nina Mula, ruse, ishin gjithashtu këngëtarë në opera.

Ajo filloi karrierën e sopranos në një moshë shumë të vogël. Koncertin e saj të parë e dha kur ishte vetëm 5 vjeç.

Në moshën 16 vjeçare ajo merr mësime nga e ëma e saj, Nina Mula.

Më vonë u diplomua si soprano në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku interpretoi Violetën e Traviatës, performancë kjo që do të përsëritet disa herë në rolet e mëpasshme. Ky rol i hap dyert e Teatrit të Operës në Tiranë, ku ajo këndoi për 5 vjet me radhë si soliste. Aty  interpretoi rolet e Rozinës tek “Berberi i Seviljes”,  Mimi tek “Boheme”, Xhilda tek “Rigoletto”, si edhe këndoi në opera të kompozitorëve shqiptarë.  

Që nga viti 1992 ajo zhvendoset në Francë. Triumfoi në 1993, në konkursin “Placido Domingo” dhe që aty fillon një bashkëpunim të ngushtë me maestron e madh. Pikërisht këtu fillon karriera e saj ndërkombëtare, fillimisht në operën e Avignon, pastaj Los Angeles, Bonn, Washington, Chicago e New York. Bashkëpunime të mëtejshme me emra të mëdha në fushën operistike, si me baritonin Leo Nucci apo maestron Ricardo Muti në teatrin e la Scales në Milano, i hapin rrugën suksesit të saj të mëtejshëm në Itali. Ajo u ftua të këndonte Violetën për hapjen e teatrit Arcimoldo në Milano, sukses ky që i sjell angazhime të tjera në Itali.

Deri më sot Inva ka marrë shume çmime, si edhe dashurinë e mbarë publikut, si shqiptar ashtu edhe ndërkombëtar, dhe kënget e saj janë bërë moto e mbarë gjeneratave.

1987 Fitoi konkursin e “Këngës Shqiptare” në Tiranë;

1988 Fitoi konkursin “George Enesku” në Bukuresht;

1992 Fitoi konkursin “Butterfly” në Barcelonë;

1993 Merr çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris; Ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo.

1996 Ka marrë pjesë në operën “Medee” të Luigi Cherubini-t në Francë;

1998 Rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”;

1997 Në filmin “Elementi i pestë”  i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizetit në Paris.

2001 Ishte e angazhuar në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit “Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scara” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon (2006). Luajti gjithashtu disa herë dhe La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto;

2007 Luajti Norinë-n e parë në “L’elisir d’amore” në Toulouse të Francës.

28 Nëntor 2012 Ka realizuar koncertin “Rrugëtimi i Kombit” në Pallatin e Kongreseve.

2016 Në muajin maj me TOB interpreton dhe vë në skenë operën “Pagliacci” të kompozitorit italian Leoncavallo. Për herë të parë si regjisore e spektaklit, por jo për të filluar një karrierë të re, atë si regjisore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është frut i eksperiencës dhe vizionit të Invës, të spektaklit nga fillimi në fund. Një sfidë e re në karrierën e saj.

ÇMIME & NDERIME

  • 1987 – Fitoi konkursin “Tefta Tashko Koço” & shpallet si këngëtarja më e mirë e operës për vitin 1987. Që këtu, filloi të shfaqet nëpër koncerte ndërkombëtare.
  • 1990 – Fitoi çmimin “Zhorzh Enesko”, më pas Madamme Butterfly në Barcelonë.
  • Sopranos Inva Mula i  është akorduar titulli i lartë “Nder i kombit” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me motivacionin: “Figurë e shquar e artit dhe kulturës shqiptare, e cila me zërin, artin dhe interpretimin e jashtëzakonshëm pushtoi skenat më prestigjioze botërore, duke u bërë, njëherazi, një dritë në terrin informativ të botës për Shqipërinë e duke u shndërruar në imazh të vlerave të saj, si një vend me kulturë të lashtë, me histori, dhe me tradita të pasura.”

Albumi me këngë në shqip, nuk është një rastësi që e ka quajtur pikërisht “Për ty atdhe”. Ky album që përmban 12 këngë ka lindur si iniciativë e këngëtares pikërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe është përçuar në të gjitha trevat shqiptare. Janë këngët më të njohura të kënduara në vite, këngë të cilat duhet të përcillen në të gjithë brezat e ardhshëm si pasuri e çmuar e kombit tonë. Tituj si “Rrjedh në këngë e ligjërime“, “Për mëmëdhenë”, “Himni i flamurit”, “Agimet shqiptare” apo “Dua më shumë Shqipërinë”, janë balsam për veshin e çdo bashkëatdhetari, janë një rikthim në nostalgjinë e kohëve të hershme.